“Pres të vijë një nuse nga një udhë e pasosur…”

0
94

Nga Dritëro Agolli

Pres të vijë një nuse me taka të larta,
Me fustan të gjatë deri në tokë,
Me dy–tri unaza të arta,
Me kurorë të argjendtë në kokë;
Pres të vijë pa krushq e pa krushka,
Pa dasmorë e pa dhëndër,
Pa kalorës në kuaj, pa mushka;
Pres të vijë e bardhë si ëndërr;
Pres të vijë e të thotë duke hyrë në derë,
Duke ngritur pakëz fustanin e gjatë:
“Erdha, dasmën e lashë me dhëndrin e mjerë,
Me nënë e shkretë e tim atë;
Erdha ta përcjellim bashkë mbrëmjen e trishtë
Pranë tryezës me vjersha e jo në shtratin e natës së parë…
Të pëlqejnë unazat e gishtrinjve të brishtë,
Të pëlqejnë takat e larta e fustani i bardhë?”
Pres të vijë një nuse me kurorë në kokë,
Të vijë mes rrugëve të mëndjes sime të lodhur,
T’i bjerë bishti i fustanit në tokë,
T’i hedhë unazat mbi librin tim të zhubrosur…
Pres të vijë një nuse nga një udhë e pasosur…