Hoti për viktimat e dhunës seksuale: Turpi nuk është i viktimave të krimit, por i atyre që kanë kryer krimin

0
41

Nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, sot, u mbajt konferenca me temën: “Progresi dhe sfidat e procesit të njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ta mbështesë, në mënyrë që viktimat ta ndjejnë mbështetjen e shtetit të tyre”, tha Kryeministri Hoti.

Ai inkurajoi të gjithë personat që kanë qenë viktima të këtij krimi të tmerrshëm të luftës, që të aplikojnë për të fituar statusin që ju takon. Ndërsa, në të njëjtën kohë i bëri thirrje gjithë shoqërisë tonë që të mbështesin këtë proces, sepse turpi bie mbi kryesit e këtij krimi e jo mbi viktimat.

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Kryeministrit Hoti në këtë konferencë:

Faleminderit shumë znj. Begaj, Kryetare e Komisionit,

Të nderuar pjesëmarrës në këtë takim,

E nderuar Presidente Jahjaga,

Të nderuar Ministra Reçica dhe Selimi,

Zëvendës ambasador, deputete Haxhiu, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përfaqësues të organizatave të ndryshme që jeni prezent dhe të institucioneve të ndryshme të Republikës së Kosovës, që jeni prezent në këtë tryezë

Ju falënderoj të gjithëve edhe njëherë për prezencën në emër të Qeverisë, për të dëshmuar mbështetjen tonë të përbashkët për këtë pjesë të shoqërisë, e cila për më shumë se 20 vjet vazhdon të na preokupojë të gjithë neve pa përjashtim për dhimbjen që kanë pasur, të shkaktuar nga dhuna seksuale e ushtruar gjatë luftës nga ana e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë.

Kjo dhunë padyshim është plagë e rëndë për të gjithë ne, për shoqërinë e Kosovës, e cila ka mbetur ende pa u trajtuar si duhet dhe pa u trajtuar plotësisht. Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës meritojnë mbështetjen e plotë tonën, të familjes, të shoqërisë dhe të gjitha institucioneve relevante.

Sot, ne si shtet dhe si shoqëri jemi të përkushtuar për të njohur dhunën dhe vuajtjet e viktimave seksuale gjatë luftës dhe mbi të gjitha për të siguruar drejtësi për këto viktima.

Unë dua të siguroj që Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ta mbështesë në mënyrë që viktimat ta ndjejnë mbështetjen e shtetit të tyre.

Ne tanimë kemi vendosur strukturën e nevojshme institucionale me emërimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës dhe me emërimin e Sekretarisë, e cila mbështet punën e Komisionit dhe gjithashtu kemi ofruar mbështetje punën e tyre duke ofruar edhe mbështetjen e nevojshme buxhetore për kompletimin e të gjitha aktiviteteve të parapara nga ana e Komisionit.

Sigurisht, bazuar në ligjin përkatës Komisioni e ka bërë një punë të madhe deri më tash që nga themelimi me 28.04.2017, kur është përcaktuar edhe shuma që përfitojnë viktimat që ju njihet ky status. Jemi të vetëdijshëm që kjo shumë nuk është e mjaftueshme duke marrë parasysh vuajtjet e tyre, por, besoj që është një dëshmi që shteti i Kosovës ua njeh këto vuajtje dhe i respekton këto viktima.

Unë gjej rastin të falënderoj organizatat vendore dhe ndërkombëtare pa përjashtim për mbështetjen e këtij procesi shumë të ndjeshëm, shumë delikat, edhe për institucionet, edhe për personat e përfshirë.

E kuptoj që procesi i njohjes dhe i verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë është i vështirë, duke marrë parasysh kohën e cila ka kaluar deri më tani, por unë besoj shumë në përkushtimin e anëtarëve të Komisionit dhe gjithë mekanizmave tjerë të përfshirë në këtë proces, në mënyrë që kjo çështje të përmbyllet sa më parë.

Ne kemi nevojë si shoqëri që të shërojmë këtë plagë duke u përballur me këtë, duke mos harruar asnjëherë për atë që ka ndodhur. Besoj thellë që kjo dhimbje mund të përballohet përmes kurajos për të demaskuar dhunuesit dhe për të ditur të vërtetën, si dhe për ta bërë të njohur këtë të vërtetë para botës së civilizuar.

Unë sot i ftoj të gjithë personat që kanë qenë viktima të këtij krimi të tmerrshëm të luftës, që të aplikojnë për të fituar statusin dhe ftoj gjithë shoqërinë tonë që të mbështesin këtë proces, sepse turpi nuk është i viktimave të krimit, por i atyre që kanë kryer këto krime.

Ju faleminderit!