Qeveria e konfirmon se Petkoviqit i dhanë leje për vizitë në Kosovë

0
88

Qeveria e Kosovës i ka dhënë leje për vizitë drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviq.

Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar Antigona Baxhaku që është këshilltare për media e kryeministrit Avdullah Hoti.

Baxhaku tha se Petkoviqit i është dhënë leja për vizitë nga Ministria e Punëve të Jashtme në konsultim me shefin e qeverisë.

“MPJD në konsultim me Kryeministrin Hoti i kanë dhënë leje z. Petkoviq për vizitë në vendin tonë”.

Ajo shtoi se Qeveria e Kosovës respekton marrëveshjen e arritur në Bruksel për lëvizjen e lirë, duke theksuar se secila kërkesë analizohet nga institucionet para se të miratohet apo refuzohet.

“Qeveria respekton marrëveshjen e arritur në Bruksel lidhur me lëvizjen e lirë dhe vizitat e zyrtarëve të lartë serbe, në të cilën thuhet qartë se secila kërkesë analizohet nga institucionet kompetente para se të miratohet apo të refuzohet”.

Petkoviq gjatë kësaj vizite në Kosovë do t’i vizitojë komunat me shumicë serbe. Kjo është vizita e parë e tij në Kosovë që nga marrja e këtij posti të cilën më herët e mbante Marko Gjuriqin.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, më herët kishte deklaruar se asnjë zyrtari serb nuk do t’i jepet leja për vizitë derisa të kërkojnë falje për gjenocidin.