Hoti: Kam pranuar letër nga Lajçak, por kërkesat për vizita nga Serbia do t’i trajtojmë varësisht ndjeshmërisë që mund të kenë

0
181

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka thënë se ka pranuar një letër nga emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajcak, në të cilën kërkohet respektim i marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel për lejimin e vizitave nga zyrtarë serbë në Kosovë.

Hoti në një prononcim për media ka thënë se marrëveshjen për lëvizjen e lirë do ta respektojnë, por siç tha ai kërkesat për hyrjen në Kosovë do t’i trajtojnë varësisht nga konteksti i ndjeshmërisë që mund të kenë.

“Marrëveshjen për lëvizjen e lirë e respektojmë. Jemi pro lëvizjes së lirë. Po punojmë në process të dialogut që të gjitha çështjet e hapura që i kemi me Serbinë. Disa çështje janë të ndjeshme…Unë kam pranuar letër nga Lajcak, do t’i përgjigjemi, dhe në fakt jam në komunikim të rregullt me të. Çdo kërkesë për vizitë do të trajtohet në kontekst të ndjeshmërisë në situatën nëpër të cilën po kalojmë”, ka thënë Hoti.

I pyetur se si e komenton deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla se nuk do të ketë leje për zyrtarët nga Serbia, për të vizituar Kosovën përderisa nuk kërkojnë falje për gjenocidin e kryer, Hoti tha: “Qëndrimet zyrtare i përfaqësoj unë”. /Telegrafi/