Homazhe për 5-vjetorin e atentateve terroriste në Francë

0
42

Klasa politike francez bëri sot homazhe për viktimat e atentateve të 13 nëntorit 2015 duke theksuar se “Franca nuk harron” dhe se ajo mbetet e mobilizuar në luftën kundër terrorizmit.

“Fluctuat nec mergitur”, shkroi kryeministri Jean Castex në Twitter, që është edhe motoja e qytetit të Parisit, thënë ndryshe “Ai është përplasur nga dallgët, por nuk fundoset”, në shenjë nderimi për 130 të vdekurit dhe 350 të plagosurit nga sulmet e kryera atë mbrëmje jashtë ”Stad de France”, në veri të Parisit, në lokalet e kryeqytetit dhe në sallën e spektakleve pariziane të Bataclanit.

“Sot, mendoj shumë për familjet (…), dhimbja e tyre nuk ka përfunduar”, nënvizon ministri i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian në BFMTV, duke theksuar se terrorizmi mbetet një kërcënim i madh për vendin dhe vlerat e tij dhe kërkoi një vendosmëri shumë të madhe.

“Të luftojmë pa pushim kundër fanatizmit, të mbetemi të bashkuar”, shkruan në twitter kreu i LREM, Stanislas Guerini.

François Hollande, presidenti socialist i Republikës në kohën e këtyre atentateve, theksoi në një intervistë për të përditshmen “Le Parisien” se edhe nëse betejat janë fituar, lufta kundër terrorizmit nuk është fituar ende.

“Më shumë se kurrë, detyra jonë, për të gjithë ato viktima dhe të afërmit e tyre, është ashpërsia totale dhe luftarake përballë barbarisë islamike”, theksoi presidentja e Bashkimit Kombëtar (ekstremi i djathtë) Marine Le Pen.

“Lufta për liri, barazi dhe vëllazëri duhet të vazhdojë”, theksoi presidentja e grupit socialist në Asamble, Valérie Rabault./ATSH