Policia në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, kontrollon 17 lokale

0
38

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e Policisë së Kosovës, mbrëmë ka realizuar një plan operativ, me qëllim të hetimit, zbulimit dhe parandalimit të trafikimit me qenie njerëzore.

Ky plan është realizuar me qëllim të marrjes së masave pro aktive në identifikimin e hershëm dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme të trafikimit.

Zyrtarët policorë kanë kontrolluar 17 lokale në lokacione të ndryshme. Tri nga këto lokale janë mbyllur nga inspektorët komunalë si dhe janë shqiptuar gjoba dhe vërejtje për mungesë të dokumenteve të punës.

Në këto lokale janë hasur duke punuar 133 punëtorë, prej tyre 86 femra dhe 47 meshkuj. Nënshtetësia e këtyre punëtorëve është: 70 nga Kosova, 61 nga Shqipëria, 1 nga Serbia dhe 1 nga Bullgaria.

Në lokalet e kontrolluara janë gjetur dhe janë sekuestruar disa gjëra të ndaluara si sprej dhe shufër metalike.

Të gjithë shtetasit e huaj, në mungesë të paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit, janë referuar të trajtohen nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së.