Gjykimi për tenderin e ndërtimit të emergjencës në QKUK, paditësi kërkon kompensimin e dëmit në vlerë prej 1 milion euro

0
98

Sot është mbajtur seanca gjyqësore në Departamentin e Çështjeve Administrative, e cila kishte të bënte me tenderin e ndërtimit të Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), raporton Drejtësia Sot

Në padinë e parashtruar nga operatori ekonomik, “Çlirimi” shpk të datës 23.05.2016, i kërkohet Gjykatës Themelore në Prishtinë që të anulojë vendimin administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, më të cilin, kompania “Al Trade” kishte fituar tenderin për ndërtimin e Klinikës së Emergjencës në QKUK.

Tutje, paditësi pretendon që kompania fituese nuk i ka plotësuar kushtet ligjore për të cilën i është dhënë tenderi, si dhe kjo kompani kishte ofertuar çmim më të lartë se paditësi.

Po ashtu, parashtruesi i padisë kërkon edhe anulimin e vendimit të OSHP-së, më të cilin i ka lejuar palët kontraktuese, MSH-në dhe “Al Trade”, që të lidhin kontratë për ekzekutimin e tenderit.

Kështu në seancën e sotme të udhëhequr nga gjyqtarja Arjeta Sadiku u paraqitën pretendimet e palëve lidhur me kërkesë padinë e paditësit “Clirimi shpk” me seli në Prizren.

Përfaqësuesi i paditësit gjatë fjalës së tij tha se mbetët në tërësi pranë padisë dhe kërkesë padisë, duke theksuar se me vendimin e OSHP iu është bërë e padrejtë ngase këta si operatorë kanë qenë të përgjegjshëm duke ofruar cmimin më të lire. Sipas paditësit ekzistojnë edhe provat që dëshmojnë pretendimet në fjalë.

Paditësi në fund i kërkoj gjykatës që të merrën parasysh pretendimet e tyre duke marr vendim të drejtë për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga OSHP, kur për tenderin në fjalë e njëjta ka shpallur fitues kompaninë Al Trade. Sipas paditësit, dëmet financiare ndaj buxhetit të shtetit nga ky vendim i OSHP janë në shumë prej 627 mijë euro kurse rreth 1 milion euro ndaj kompanisë së tij.

Ndërsa përfaqësuesja e OSHP-së theksoi se i mbetët në tërësi përgjigjeve në padi dhe vendimit të OSHP-së si dhe deklaratave nga seancat e kaluara gjyqësore. E njëjta ndër të tjera sqaroi paditësi në dy vendimet e OSHP-së ishte shpallur i papërgjegjshëm për faktin se nuk kishte bashkangjitur raportin e auditimit për vitin 2014.

Përndryshe, në pamundësi që të sigurohet për këtë seancë dosja tenderuese nga ana e të paditurës OSHP- gjykata vendosi me aktvendim që për seancën e radhës që u caktua të mbahet më date 9 dhjetor 2020, të ftohet si palë me interes juridik Ministria e Shëndetësisë.

Kujtojmë që, MSH-ja kishte hapur ofertën për tenderim lidhur me ndërtimin e objektit të Emergjencës, më datë 08.06.2014, në të cilën paditësi ishte renditur si operatori i shtatë, më ofertë prej 7.333.444.66 Euro.

Kundër listës përfundimtare, ofertuesit kishin paraqitur ankesa, ndër ta edhe kompania “Çlirimi”, të cilës në fund të vitit 2015, MSH-ja i kishte dhënë kontratën si fituese e tenderit. Ndaj këtij vendimi, një nga operatorët ofertues kishte paraqitur ankesë në OSHP, të cilën ky institucion e ka vlerësuar si të bazuar dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim.

Pas kthimit në rivlerësim, më datë 08.06.2016, MSH-ja kontratën ja ndan kompanisë “Al Trade”, e cila kishte ofertuar më çmim prej 7.961.072.73 eurosh.