Jakup Krasniqi para Gjykatës: U munduat të na ndani në katolikë e myslimanë, s’jam katolik e as myliman, jam shqiptar

0
479

Ish’kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i emocionuar dhe me lot në sy në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, ka mohuar kategorikisht akuzat ndaj tij, duke thënë se më shumë ka bërë krim kjo Gjykatë me formën e arrestimit të tij, se sa ai që ka mundur të bëjë ndonjëherë.

Krasniqi ka thënë se kurrë në jetën e tij nuk ka kryer asnjë krim e as që ka trajtuar keq ndonjë njeri.

“Dua të them këtu se unë jam arrestuar me 4 nëntor 2020. Në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët. Unë deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit, as kaq siç më trajtuar njerëzit në këtë mënyrë sikur më trajtuat ju mua, nga arrestimi e deri këtu”.

Tutje, ai ka theksuar edhe një pjesë të aktakuzës ndaj tij, ku thuhet se UÇK ka vrarë njerëz vetëm pse kanë qenë katolikë.

Ai ka thënë se ka luftuar si shqiptar, e jo si katolik apo mysliman.

“Për më keq, njerëzit jeni munduar që t’i ndani në katolikë e myslimanë. Unë nuk jam katolik e as mysliman, por jam shqiptar”, ka thënë Krasniqi. /Reporteri.net