Shpallet fajtor i akuzuari për shpërlarje të parave, i konfiskohen mbi 65 mijë euro

0
77

M.G., i akuzuar për shpërlarje të parave dhe tregti të ndaluar, sot është dënuar me 6 muaj burgim dhe 1500 euro gjobë nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton Drejtësia Sot.

Deri te ky dënim ka ardhur pasi që i akuzuari dhe prokurori Burim Çerkini kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, ku prokuroria i ka propozuar gjykatës që ndaj tij të shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh i cili do të zëvendësohet me dënim me gjobë, si dhe një dënim të veçantë me gjobë në vlerë prej 500 deri në 1500 euro.

Aktgjyimi është shpallur nga gjyqtari Musa Konxheli, i cili theksoi se pas pëlqimit të të akuzuarit dënimi me burgim prej 6 muajsh zëvendësohet me dënim me gjobë në vlerë prej 3600 eurosh.

Me këtë aktgjykim, ai është dënuar edhe me 1500 euro gjobë si dënim i veçantë dhe iu konfiskuan në mënyrë të përhershme mjetet monetare në vlerë prej 65,450.00 euro.

Ndër të tjera, gjatë shpalljes së këtij vendimi, gjyqtari njoftoi se M.G. obligohet që të paguaj 50 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 50 euro tjera në emër të fondit për kompenzimin e viktimave të krimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës, M.G. më 14.08.2020, ka kryer veprën penale, “Tregti e ndaluar”, pasi që është hasur duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, në atë mënyrë që në veturën e tij janë gjetur mjete monetare të fshehura në valutën euro, të padeklaruara gjithsej gjashtëdhjetë e pesëmijë e katërqind e pesëdhjetë euro (65,450.00€ ).

Po ashtu, i pandehuri M.G. më 14.08.2020, ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”, pasi që duke e ditur apo duke pas arsye të dijë se ishte duke bartur këto mjete monetare, të fshehura në automjetin e tij, ka tentuar që të fshehë ose maskon natyrën e vërtetë, burimin, vend-ndodhjen, sistemimin, lëvizjen, të drejtat në lidhje me pronësinë e kësaj pasurie, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore./DrejtesiaSot