SOT NIS FESTIVALI ‘HYJNESHA NË FRON’

0
80

Sot (30.10.20), do të nis edicioni i 13-të me radhë i Festivalit të Filmit ‘Hyjnesha në Fron’, i cili do të zgjasë deri më 2 nëntor dhe këtë vit do të mbahet online, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia ‘CoViD-19’.

Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtorin artistik të këtij Festivali, Shkelzim Sylejmani, i cili tha: “Për shkak të gjendjes aktuale me pandeminë, ky edicion është vendosur të mbahet online, si çdo Festival tjetër këtë vit. Do të ketë filma ndërkombëtarë, nga vende të ndryshme. Ka dy kategori, kategoria e filmit të gjatë dhe ajo e filmit të shkurtër. Është një juri ndërkombëtare, e cila do ta bëj vlerësimin e këtyre filmave. Nuk do të jetë e lehtë që të realizojmë tërë programin e Festivalit online, por duhet përshtatur rrethanave aktuale. Ky Festival është garues dhe në kategorinë e filmave të gjatë janë 10 filma, të cilët garojnë për çmimet: ‘Filmi Më i Mirë’, ‘Aktori Më i Mirë’, ‘Skenari Më i Mirë’ dhe ‘Regjia Më e Mirë’. Normalisht, 10 filma do të konkurrojnë edhe në kategorinë e filmave të shkurtër, të cilët po ashtu janë në garë për çmimet ‘Filmi Më i Mirë i Shkurtër’, Aktori Më i Mirë’, ‘Skenari Më i Mirë’ dhe ‘Regjia Më e Mirë’.

Përgjatë katër ditëve sa do të zgjas Festivali ‘Hyjnesha në Fron’, filmat do të shfaqen në platformën ‘YouTube’, në rrjetin social ‘Facebook’ si dhe në Faqen zyrtare të këtij Festivali.