Reagon Sindikata e Infermierëve ndaj Qeverisë dhe MSH-së: Është ofenduese që infermierët të marrin 150 euro

0
80

Sindikata e infermierëve të Kosovës, ka reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë të cilët sot kanë arritur një marrëveshje me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës, për kryerjen e pagesave shtesë për punëtorët shëndetësorë.

Sipas reagimit të tyre, thuhet se infermierët ndihen të diskriminuar nga kjo marrëveshje.

“Sindikata e Infermierëve të Kosovës ndihet e indinjuar me vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me diskriminimin që iu është bërë infermierëve në shtesat bazuar në Ligjin anti COVID. Duke mos dashur që të nënvlerësojmë punën e mjekut i cili në bazë të marrëveshjes përfiton 250€ në muaj, 150€ për infermierin duke e ditur punën, angazhimin dhe sakrificën e infermierit në raport me pacientin, kujdesin kontinual 24h për pacientin, dhënien e shërbimeve në çdo kohë, ne si Sindikatë e konsiderojmë diskriminuese si dhe mos vlerësim të profesionit, punës dhe angazhimit të infermierit”, thuhet në reagim.

Tutje Sindikata e Infermierëve të Kosovës, i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të rishqyrtojnë marrëveshjen, pasi siç thonë ata kjo marrëveshje është ofenduese për komunitetin e infermierëve, mamive dhe profesionistëve shëndetësor.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të rishqyrtojnë urgjentisht marrëveshjen me akterët e involvuar pasi kjo marrëveshje është ofenduese për komunitetin infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor e cila tregon vlerësim joreal të punës së infermierit në periudhën në të cilën po kalon vendi ynë. Sindikata e Infermierëve të Kosovës pas takimit me kryesinë e Sindikatës do dal me njoftimin mbi veprimet sindikale që do ndërmarrim në shenjë pakënaqësie ndaj kësaj marrëveshje diskriminuese”, thuhet tutje në reagimin e Sindikatës së Infermierëve të Kosovës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës, për kryerjen e pagesave shtesë për punëtorët shëndetësorë.

Kjo është arritur në një takim që ka pasur kryeministri Avdullah Hoti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe përfaqësuesit e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK), të udhëhequr nga kryetari Blerim Syla, së bashku me nënkryetarët Blerim Delija dhe Xhemajl Selmani. /Telegrafi/