Kush ishte Avni Mula?

0
255

Kompozitori i shquar shqiptar, Avni Mula ndërroi jetë sot në moshën 92 vjeçare.

Avni Mula është Artist i Popullit dhe Nderi i Kombit.

Ai ka lindur në Gjakovë në 4 janar të 1928, në një familje ku ishte i shtati fëmijë, më i vogli mes tre djemve dhe vajzave në atë familje.

Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik, bariton.

Gjatë studimeve ai u njoh dhe u martua me sopranon ruse Nina Mula me të cilën kaloi një jetë të mrekullueshme.

Familja Mula është një nga Familjet e Mëdha të Artistëve shqiptarë, ku të gjithë anëtarët e familjes janë artistë: Avni Mula, Nina Mula dhe dy vajzat, Adelina Mula, pianiste dhe Inva Mula, me famë botërore.

Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës, etj.

Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.

Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.