Gjysmë milion foshnja kanë humbur jetën në botë si pasojë e ndotjes së ajrit

0
50

Raporti i vitit 2020 të Gjendjes Globale të Ajrit – pjesë e Institutit të Efekteve Shëndetësore i financuar nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit në SH.B.A – shqyrtoi të dhënat për vdekjet në të gjithë botën dhe vuri re rritjen e rrezikshmërisë që vjen nga ndotja e ajrit. Gjysmë milion foshnja kanë humbur jetën si pasojë e ekspozimit ndaj ajrit të ndotur gjatë muajve të parë të jetës. Shumica e vdekjeve u raportuan në vendet e Afrikës dhe Azisë së Jugut, të ndjekura nga Azia Jug-Lindore, Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme.

Ekspozimi ndaj ndotësve të ajrit është i dëmshëm edhe për foshnjat në bark. Mund të shkaktojë lindje të parakohshme ose nënpeshë. Gati dy të tretat e vdekjeve të dokumentuara ishin të lidhura me ndotjen e ajrit në mjedise të brendshme, veçanërisht që burojnë nga lëndët djegëse të ngurta, si qymyr druri.

Ekspertët mjekësorë kanë paralajmëruar për vite me radhë për ndikimet negative të ajrit të ndotur te njerëzit e moshuar dhe tek ata me kushte të caktuara shëndetësore, por vetëm së fundmi kanë filluar të kuptojnë rrezikun ndaj foshnjave.

Raporti përqendrohet te të dhënat për vitin 2019, kështu që nuk janë përfshirë ndikimet e politikave të izolimit në të gjithë botën për shkak të pandemisë. Autorët thanë (via Guardian) se Covid-19 do të ketë pasur një ndikim në cilësinë e ajrit dhe vdekjet nga ndotja e ajrit, por situata është ende e paqartë.

Në vitin 2019, 6.7 milionë njerëz ndërruan jetë si pasojë e ekspozimit afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit, një faktor që rrit rrezikun e goditjeve në tru, sulmeve në zemër, diabetit, kancerit të mushkërive dhe sëmundjeve të tjera kronike të mushkërive.

Burimet: Health Effects Institute, State of Global Air, National Geographic Society, Guardian