Jep mbrojtjen ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku në rastin “Veteranët”

0
119

Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dhënë mbrojtjen ish- kryeministri i Kosovës Agim Çeku, në rastin e njohur “Veteranët”, raporton Drejtësia Sot.

Agim Çeku, po akuzohet që në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Bashkë me Çekun, për keqpërdorim të detyrës po akuzohen edhe anëtarët e këtij Komisioni Rrustem Berisha, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku.

Ndryshe, në gjykimin e sotëm trupi gjykues morri vendim me të cilin ndalohet publikimi në media i dhënies së mbrojtjes deri sa të deklarohen të gjithë të akuzuarit. Kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka– Mekaj, këtë vendim e morri për shkak të mundësisë së ndikimit në proces gjyqësor publikimi i këtyre deklaratave.

Pas dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari Çeku, mbrojtjen e dha edhe i akuzuari Nuredin Lushtaku.

Drejtësia Sot, njofton se seanca e sotme filloi rishtas pasi që kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e seancës së fundit, ku të gjithë të akuzuarit u deklaruan sërish të pafajshëm. Po ashtu me pajtim të palëve të gjitha veprimet e mëparshme procedurale u konsideruan të lexuara.

Me të përfunduar orari i rregullt i punës në gjykatë, seanca e sotme është ndërprerë për të vazhduar nesër me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit e tjerë.

Kujtojmë se që nga marsi 2020, nuk ka arritur të mbahet asnjë seancë në këtë rast si pasojë e COVID-19. Përkatësisht gjyqtarja e rastit Nushe Kuka– Mekaj, kishte caktuar 2 herë datat e mbajtjes së seancave për këtë rast, mirëpo si pasojë e mos përmirësimit të gjendjes në vend nga virusi COVID-19, këto seanca janë anuluar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e cila përfaqësohet nga prokurorët Enver Krasniqi dhe Valdet Gashi, Agim Çeku sëbashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe AhmetDaku, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Të njëjtit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë njohjen e statusit të Veteranit Luftëtar, personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.

Të njëjtit me veprimet e kundërligjshme pretendohet se buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në shumë prej./DrejtesiaSot