Një vit dënim me kusht ndaj personit që kërcënoi Presidentin Thaçi

0
185

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjeti dhe shpalli fajtor personin G.M., i akuzuar për veprën penale ‘Shtytja për kryerjen e veprave terroriste’, raporton Drejtësia Sot.

G.M., akuzohet se duke përdorur profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka kërcënuar presidentin Thaçi dhe Gjykatën Kushtetuese.

Trupi gjykues në përbërje prej gjyqtarëve Shadije Gërguri, Arben Hoti dhe Musa Konxheli, i shqiptuan të pandehurit G.M., dënim me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njejti për periudhën verifikuese prej 2 vitesh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Gjykata po ashtu të njejtit i shqiptoi edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, masë kjo e cila do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër nga kjo gjykatë. I akuzuari G.M., u njoftua nga gjykata se në rast se nuk e zbaton këtë masë në liri të shqiptuar nga gjykata, e njejta do të zëvëndësohet me masë të trajtimit psikiatrik në ndalim.

Kujtojmë që sipas aktakuzës me datë 29.05.2020, rreth orës 11:00 në Mitrovicë, i pandehuri G.M., me qëllim të organizimit për kryrjen e veprës terroriste, përmes rrjetit social Facebook ka publikuar komentin e tij: ‘Më në fund erdh dita populli me kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatën Kushtetuese, Arta Hajrizi – Rama, nëse populli nuk e bënë këtë gjë, atëhere jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar dhe më i korruptuar në Ballkan.’

Tutje aktakuza thekson se ky koment është shpërndarë në mediat elektronike dhe në faqen e internetit ‘Indeksonline’./DrejtesiaSot