Arrestohet nën dyshimet për korrupsion Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova

0
46

Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova, nënkryetari iKomunës së Istogut dhe një zyrtar tjetër nga kjo komunë me urdhër të Prokurorisë së Pejës janë vënë nën pranga, raporton Drejtësia Sot.

I kontaktuar nga Drejtësia Sot, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës Shkodran Nikqi, e konfirmoi arrestimin e kryetarit Rugova dhe dy zyrtarëve të tjerë.

Sipas zëdhënësit Nikqi, tre personat e arrestuar janë ndaluar për 48 orë për shkak të dyshimeve se kanë kryer veprat penale si “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, “Konflikt i interesit” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Ndër të tjera Nikqi, shtoi se brenda afateve ligjore do të merren të gjitha veprimet e nevojshme nga ana e Prokurorisë së Pejës.

Ndryshe, Rugova aktualisht është duke u gjykuar nga Gjykata Themelore e Pejës lidhur me veprën penale të konfliktit të interesit pasi që i njëjti akuzohet se i ka mundësuar vëllait të tij, interes financiar.