Letra që shkroi Angelina Jolie për të fuqizuar gratë në luftimin e kancerit të gjirit

0
67

Nëna ime luftoi me kancerin për gati një dekadë dhe vdiq në moshën 56 vjeç. Ajo përballoi jetën aq kohë sa të takonte dhe t’i mbante në krahe të nipërit e mbesat e saj. Por fëmijët e mi të tjerë nuk do të kenë kurrë mundësinë ta njohin atë dhe të provojnë se sa e dashur dhe shpirtmirë ishte.
Shpesh flasim për “mamanë e mamit” dhe e gjej veten duke u përpjekur të shpjegoj sëmundjen që e largoi atë nga ne. Ata kanë pyetur nëse e njëjta gjë mund të ndodhë me mua. Gjithmonë u kam thënë atyre që të mos shqetësohen, por e vërteta është se unë mbaj një gjen “të gabuar”, BRCA1, i cili më rrit ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit dhe kancerit të vezoreve.
Mjekët e mi vlerësuan se unë kisha një rrezik 87% të kancerit të gjirit dhe 50% të kancerit të vezoreve, edhe pse rreziku është i ndryshëm në rastin e secilës grua.
Sapo e kuptova që ky ishte realiteti im, vendosa të isha proaktive dhe të minimizoja rrezikun sa më shumë që të mundesha. Unë mora një vendim për të bërë një mastektomi parandaluese të dyfishtë. Unë fillova me gjinjtë, pasi rreziku im për kancer të gjirit është më i lartë se rreziku im për kancer të vezoreve, dhe operacioni do të ishte më kompleks.

Unë po shkruaj për këtë tani sepse shpresoj që gratë e tjera të mund të përfitojnë nga përvoja ime. Kanceri është ende një fjalë që godet frikën në zemrat e njerëzve, duke prodhuar një ndjenjë të thellë të pafuqisë. Por sot është e mundur të zbuloni përmes një analize gjaku nëse jeni shumë të ndjeshme ndaj kancerit të gjirit dhe vezoreve. Kështu mund të merrni masa dhe parandaloni atë.
Kam bërë operacionin kryesor, ku hiqet indi i gjirit dhe vendosen mbushës të përkohshëm. Operacioni mund të zgjasë tetë orë. Ju zgjoheni me tuba kullues dhe zgjerues në gjinjtë tuaj. Ndihet si një skenë e një filmi fanta-shkencor. Por disa ditë pas operacionit mund të ktheheni në një jetë normale.
Nëntë javë më vonë, operacioni përfundimtar përfundon me rindërtimin e gjinjve me një implant. Ka pasur shumë përparime në këtë procedurë në vitet e fundit, dhe rezultatet mund të jenë të bukura.

Doja ta shkruaja këtë për t’u thënë grave të tjera që vendimi për të bërë një mastektomi nuk ishte i lehtë. Por është një vendim për të cilin jam shumë e lumtur që e bëra. Shanset e mia për të zhvilluar kancer të gjirit kanë rënë nga 87% në nën 5%. Unë mund t’u them fëmijëve të mi se ata nuk kanë nevojë të frikësohen se do të më humbin mua nga kanceri i gjirit.
Jam me fat që kam një partner, Brad Pitt, i cili është kaq i dashur dhe mbështetës. Pra, për këdo që ka një grua ose të dashurën duke kaluar këtë, dijeni që ju jeni një pjesë shumë e rëndësishme e tranzicionit. Brad ishte në Qendrën e Gjirit, ku unë u mjekova, për çdo minut të operacioneve. Arritëm të gjenim momente për të qeshur së bashku. Ne e dinim se kjo ishte gjëja e duhur për të bërë për familjen tonë dhe se do të na afronte.
Për çdo grua që e lexon këtë, shpresoj se ju ndihmon të dini se keni mundësi. Unë dua të inkurajoj çdo grua, veçanërisht nëse keni një histori familjare të kancerit të gjirit ose vezoreve, të kërkoni informacionin dhe ekspertët mjekësorë që mund t’ju ndihmojnë në këtë aspekt të jetës tuaj dhe të bëni zgjedhjet tuaja të duhura.

Jeta vjen me shumë sfida. Ato që nuk duhet të na trembin janë ato që mund të marrim përsipër dhe të marrim nën kontroll.
Autore: Angelina Jolie
Burimi: The New York Times
Përktheu dhe përshtati: Italmed