Ish-ministri i Shëndetësisë Numan Baliq, mohon se ka kryer veprën penale të sulmit seksual ndaj pacientes

0
68

Në shqyrtimin e sotëm fillestar të mbajtur në Gjykatën e Pejës, ish ministri i Shëndetësisë Numan Baliq, mohoi fajësinë për veprën penale të sulmit seksual, raporton Drejtësia Sot.

Kështu me fillim të shqyrtimit pasi që i akuzuari është njoftuar me të drejtat e tij është lexuar aktakuza nga ana e prokurores së rastit Ardiana Veselaj, e më pas i akuzuari Numan Baliq deklaroi se nuk e ndjen vetën fajtorë fare andaj edhe nuk e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Pas këtij momenti gjyqtari i çështjes Shaqë Curri, njoftoi të akuzuarin Baliq dhe mbrojtësen e tij avokaten Aurora Mulhaxha, se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet lidhur me provat në aktakuzë si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Ndryshe shqyrtimi i dytë lidhur me këtë çështje u caktua për datën 11 nëntor 2020 në ora 09:00, raporton Drejtësia Sot.

Sipas aktakuzës të siguruar nga “Drejtësia Sot”, Baliq akuzohet se me 12 gusht të këtij viti në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj.

Tutje në aktakuzë sqarohen veprimet e të akuzuarit ku thuhet se në natën kritike e dëmtuara duke qenë nënë dhe shoqëruese e foshnjës së hospitalizuar, aty i vjen i pandehuri në cilësi të mjekut-kirurg kujdestar edhe pse nuk punonte në atë repart dhe e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë për t’u konsultuar, e dëmtuara shkon pas tij dhe sapo afrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e fut të dëmtuarën brenda dhe e mbyll derën e zyrës, i afrohet dhe e prekë pa pëlqimin e saj por viktima arrin të largohet dhe të kërkojë ndihmë.

Kujtojmë se ish-ministri Baliq, edhe në vitin 2018 ishte i akuzuar për vepër penale të ngacmimit por Gjykata e Pejës e kishte liruar nga akuza në korrik të vitit 2019 ndërsa në shtator të vitit 2020 vendimi i kësaj gjykate është vërtetuar nga Gjykata e Apelit./DrejtesiaSot