Ismail Kadare shpallet fitues i çmimit Neustadt për letërsi në vitin 2020

0
84

Ismail Kadare është shpallur fitues i Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë për vitin 2020, një çmim që jepet çdo dy vjet dhe konsiderohet një nga çmimet letrare më prestigjioze ndërkombëtare. Duke qenë se sponsorizohet nga Universiteti i Oklahomës, njihet gjerësisht si Nobeli Amerikan në Letërsi.

“Urime për Ismail Kadarenë, i cili ka fituar Çmimin Neustadt për Letërsinë në vitin 2020. Kadare – një shkrimtar, poet, eseist dhe dramaturg shqiptar, që fitoi famë përmes forcës së poezisë dhe trillimit të tij, u nominua nga Kapka Kasssabova (poete dhe shkrimtare),” shkruan në Twitter The Neustradt Prize.

Që prej themelimit të tij në vitin 1970, laureatë dhe kandidatë të tij janë vlerësuar edhe me çmimin Nobel. Çmimi Neustadt vjen i shoqëruar me një pendë shqiponje të argjendtë dhe 50,000 dollarë amerikanë.

Në rrjete sociale, Ambasada Amerikane shkroi:

“Kemi kënaqësinë të njoftojmë se shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare do të nderohet me Çmimin Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë të këtij viti. Si një nga ngjarjet më të mëdha të letërsisë botërore, Festivali Neustadt i Letërsisë është një festim i librave dhe kulturës ndërkombëtare, sponsorizuar nga World Literature Today dhe organizuar nga Universiteti i Oklahomës. Këtë vit, ngjarja do të zhvillohet virtualisht dhe do të jetë pa pagesë për të gjitha ata që regjistrohen.”