Libri “Tokë e premtuar” i Barack Obama-s do të botohet në shqip

0
222

Në fillim të pranverës, do të botohet në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj” vëllimi i parë i kujtimeve të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Kujtimet presidenciale të Barack Obama-s do të botohen në dy vëllime. Vëllimi i parë i titulluar “Tokë e premtuar” është planifikuar të botohet më 17 nëntor 2020 në SHBA dhe do të botohet njëkohësisht në 25 gjuhë të botës.

Nuk është vendosur ende një datë për botimin në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”, e cila ka botuar edhe dy librat e tij të parë, “Ëndrra nga im atë” dhe “Guximi për të shpresuar”.

Barack Obama rrëfen tek “Tokë e premtuar” historinë e odisesë së tij që në rininë e hershme, në kërkim të identitetit si lider i një bote të lirë, duke përshkruar me detaje tejet personale si edukimin epolitik ashtu edhe rrethanat e fotografuara nga sytë e tij në katërvjeçarin e parë në presidencën historike – kohë transformimesh dramatike dhe pasigurish të mëdha.

Obama e çon lexuesin në një udhëtim frymëzues që nis nga aspiratat e tij të hershme politike, me fitoren e jashtëzakonshme në Iowa e cila tregoi fuqinë e aktivizmit të popullit të thjeshtë e deri në natën e 4 nëntorit të 2008-s, natë që ndryshoi historinë, teksa ai u zgjodh presidenti i 44-t i SHBA, duke u bërë në këtë mënyrë i pari afroamerikan në krye të zyrës më të rëndësishme të vendit.

“Tokë e premtuar” është një histori jashtëzakonisht intime – është historia e bastit të një njeriu me historinë.

Obama thotë:

“Nuk ka një ndjesi më të bukur sesa kur mbaron një libër dhe unë jam krenar për këtë. I kam kaluar këto vitet e fundit duke reflektuar për presidencën time dhe te “Tokë e premtuar” jam përpjekur të jap një version të ndershëm të fushatës sime presidenciale dhe kohës së kaluar në zyrë; eventet kyçe dhe njerëzit që e dizenjuan atë; këndvështrimi im për çfarë bëra mirë dhe gabimet e mia; dhe pushtetet politike, ekonomike dhe kulturore me të cilat skuadra ime dhe unë duhet të përballeshim atëkohë—me të cilat kombi ynë vijon të përballet edhe sot. Në këtë libër jam përpjekur gjithashtu t’iu jap lexuesve një ndjesi të rrugëtimit personal, timit dhe Michelle-s, rrugëtim që ndërmorëm përgjatë këtyre viteve, me të gjitha ulje-ngritjet e pabesueshme që na ndodhën. Dhe më në fund, në një kohë kur Amerika po përjeton një turbullirë të jashtëzakonshme, libri ofron disa nga mendimet e mia më të gjera sesi mund t’i shërojmë ndarjet e thella në vendin tonë, duke vështruar përpara dhe duke e bërë demokracinë tonë të vlejë për cilindo – një detyrë që nuk do të varet nga një president, por nga të gjithë ne, qytetarët e angazhuar. Unë shpresoj se, përveç të qenit një lexim i këndshëm dhe informativ, mbi të gjitha ky libër të mund të frymëzojë të rinjtë në këtë vend – dhe në gjithë globin – që të marrin përgjegjësinë, të ngrenë zërin dhe të luajnë rolin e tyre për ta bërë këtë botë më të mirë.”