Thirrje publike për subvencionim të NVM-ve me pronësi të grave ndërmarrëse

0
91

Bazuar në Udhëzimin Administrativ (MTI) nr. 01/2018 për ndarjen e mjeteve financiare nga kategoria ekonomike e subvencioneve dhe transfereve, dhe me qëllim të fuqizimit të bizneseve me pronësi apo me bashkëpronësi (se paku 50%) të grave ndërmarrëse, shpallim thirrje të hapur publike për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme.

MTI/KIESA do të mbështes në subvencionim me mjete financiare ndërmarrjet sipas kategorive si në vijim:
– Për ndërmarrjet mikro (të punësuar 1 deri 9 punëtor), vlera maksimale që mund të përfitoj një ndërmarrje mikro është deri në 75% e vlerës së projektit ose në vlerë financiare maksimumi deri në 10,000.00 EURO.
– Për ndërmarrjet e vogla (të punësuar 10 deri 49 punëtor), vlera maksimale që mund të përfitoj një ndërmarrje e vogël është deri në 50% e vlerës së projekt ose në vlerë financiare maksimumi deri në 20,000.00 EURO.
– Për ndërmarrjet e mesme (të punësuar 50 deri 249 punëtor) vlera maksimale që mund të përfitoj një ndërmarrje e mesme është deri në 50 % e vlerës së projektit ose në vlerë financiare maksimumi deri në 30,000.00 EURO.

Aplikuesi i cili aplikon për subvencione dhe transfere në Ministri, duhet të jetë i regjistruar në Republikën e Kosovës.
1. Për të aplikuar duhet plotësuar Aplikacionin (shkarko në web) më të dhënat bazike të subjektit aplikues dhe duhet të dorëzoj dokumentacionin sipas UA (MTI) 01/2018 dhe kërkesave shtesë, si në vijim:
1.1. Deklaratën nën betim (duhet të jetë e vulosur nënshkruar) (shkarko në web);
1.2. Certifikatën e regjistrimit të biznesit me të gjitha informatat përcjellëse sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës;
1.3. Certifikatën e numrit fiskale (nuk aplikohet për bizneset të cilat numrin e regjistrimit të biznesit dhe numrin fiskal e kanë në një certifikatë);
1.4. Vërtetim tatimor me të cilën vërtetohet se aplikuesi nuk ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera apo obligime tjera tatimore ose është në marrëveshje për shlyerjen e borxhit me ATK;
1.5. Kopjen e letërnjoftimit të personit/ve në emër të cilit/ve është i regjistruar aplikuesi;
1.6. Dëshmi nga aplikuesi se nuk është nën falimentim ose nën administrim të dhunshëm gjyqësor të lëshuar nga Gjykata Themelore – kërkohet origjinali jo më i vjetër se 30 ditë;
1.7. Dëshminë e xhirollogarisë aktive të aplikuesit në njërën prej bankave të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovë;
1.8. Gjendjen e xhirollogarisë bankare të aplikuesit për vitin e fundit. Për aplikuesin e sapo themeluar kjo nuk është e aplikueshme;
1.9. Projekt-propozimin që përfshin: qëllimin, aktivitetet e projektit, koston financiare si dhe planin kohor të realizimit të projektit dhe strukturën organizative të aplikuesit;
1.10. Të mos ketë pranuar mjete nga burimet tjera të financimit për të njëjtat aktivitet, (e dëshmuar më deklaratën nën betim);
1.11. Të kenë kryer të gjitha detyrimet nga mbështetja financiare paraprake, nëse kanë përfituar nga burimet publike të financimit nga MTI për dy vitet e fundit, (e dëshmuar me deklaratën nën betim);
1.12. Lista e të punësuarve aktual (jo me e vjetër se 30 ditë nga shpallja publike) e dëshmuar nga Administrata Tatimore e Kosovës. Në bazë të së cilës listë do të kategorizohen si ndërmarrje mikro, e vogël dhe e mesme. Sqarim: Ndërmarrjet që kanë mbi 249 punëtor, diskualifikohen.

Sqarim: Ju lutem vini re se në mungesë të cilitdo dokument të kërkuar me lartë, subjektet aplikues do të diskualifikohet dhe nuk do të shqyrtohet tutje për kriteret e vlerësimit të listuara më poshtë.

2. Kriteret e vlerësimit:

2.1 Të ardhurat bruto, marrin maksimum 20 pikë:
– ndërmarrjet mikro marrin nga një (1) pikë për çdo 2,000.00 EUR të ardhura bruto,
– ndërmarrjet e vogla marrin nga një (1) pikë për çdo 20,000.00 EUR të ardhura bruto,
– ndërmarrjet e mesme marrin nga një (1) pikë për çdo 100,000.00 EUR të ardhura bruto.
Të ardhurat bruto të dëshmohen nga Administrata Tatimore e Kosovës prej janar 2020 e deri me rastin e aplikimit në këtë thirrje publike.

2.2 Vlera e bashkëfinancimit të projektit investiv nga ana e ndërmarrjes, marrin maksimum 25 pikë:
– ndërmarrjet mikro marrin nga tri (3) pikë për çdo 500.00 EUR të deklarimit të bashkë investimit të vlerës së projektit.
– ndërmarrjet e vogla marrin nga një (1) pikë për çdo 800.00 EUR të deklarimit të bashkë investimit të vlerës së projektit.
– ndërmarrjet e mesme marrin nga një (1) pikë për çdo 1,000.00 EUR të deklarimit të bashkë investimit të vlerës së projektit.
Vlera e bashkëfinancimit të vlerës së projektit investiv duhet të dëshmohet me dëshmi bankare (gjendja bankare e nënshkruar dhe e vulosur) apo me “letër referencë” nga banka (nënshkruar dhe vulosur), e cila dëshmon që do të bashkë financoj projektin e subjektit aplikues në rast që do të përfitoj subvencionimin në fjalë.

2.3 Planifikimi i punësimit, maksimum 30 pikë,
– ndërmarrjet mikro marrin nga tetë (8) pikë për çdo një (1) që do të punësojë;
– ndërmarrjet e vogla marrin nga pesë (5) pikë për çdo një (1) që do të punësojë;
– ndërmarrjet e mesme marrin nga tre (3) pikë për çdo një (1) që do të punësojë;
Numri që planifikohet të punësohet duhet të dëshmohet me deklaratë me shkrim (nënshkruar dhe vulosur), e cila më pastaj për ndërmarrjet përfituese do të jetë pjesë e marrëveshjes.

2.4 Maksimumi 25 pikë, me projekt-propozime dëshmojnë që subvencionet e ndara do të ndikojnë në:
– Rritjen e investimeve në Republikën e Kosovës;
– Rritjen e prodhimtarisë vendore;
– Rritjen e eksportit;
– Promovimin e turizmit;
– Zhvillimin e NMVM-ve;
– Rritjen e kapaciteteve konkurruese të NMVM-ve;
– Hapjen e vendeve të reja të punës.

Vëmendje:
 Në rast që ndërmarrja do të jetë përfitues, atëherë do të nënshkruhet marrëveshje dypalëshe (MTI/KIESA dhe ndërmarrje), pjesë e secilës do të jenë edhe deklarimet që janë bërë me rastin e aplikimit.
 TVSH është shpenzim i pranueshëm vetëm për persona fizik dhe ndërmarrje jo deklaruese të TVSH-së. Për ndërmarrjet që janë deklaruese të TVSH-së, ky është shpenzim i papranueshëm.
 Ndërmarrjet mund të përfitojnë vetëm një grant.
 Vlerësimi i aplikacioneve zhvillohet ndërmjet kategorive përkatëse si mikro me mikro, të vogla me të vogla dhe të mesmet me të mesme.
 Përfitues do të jenë ato ndërmarrjet që janë renditur më pikë më të larta nga komisioni vlerësues, varësisht prej limiteve buxhetore të planifikuara.
 Pronësia e ndërmarrjeve duhet të jetë e definuar para hapjes se kësaj thirrje publike dhe nuk pranohen ndryshim-plotësime në pronësi pas hapjes se kësaj thirrje publike.

Periudha e aplikimit:
Njoftimi për thirrje publike është i publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë mti.rks-gov.net dhe KIESA-s kiesa.rks-gov.net . Subjektet që dëshirojnë të aplikojnë sipas thirrjes publike duhet të shprehin interesimin e tyre duke dorëzuar të gjithë dokumentacionin në zyrën e arkivit të Ministrisë në formë fizike dhe në CD, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Rr. Muharrem Fejza, Lagjja e Spitalit, p. n. Prishtinë, 10000, Republika e Kosovës.
Afati i fundit për shprehje të interesit është deri më datë 02.10.2020 në orën 16:00 dhe aplikimet pas këtij orari nuk pranohen nga zyra e Arkivit të Ministrisë.

Informata dhe sqarime shtesë mund të merren përmes postës elektronike në: sme.kiesa@rks-gov.net konform U.A.01/2018, por jo më vonë se pesë (5) ditë para mbylljes se thirrjes publike.