Osmani nderon mijëra shtetas amerikanë dhe shqiptarë të cilët kanë humbur jetën nga një sulmi tmerrshëm terrorist 19 vjet më parë

0
78

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, bashkë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka vendosur lule tek pllaka përkujtimore, me rastin e 19 vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA.

Para pllakës përkujtimore të 11 Shtatorit, kryeparlamentarja Osmani tha se janë aty për të nderuar mijëra shtetas amerikanë, e në mesin e tyre edhe shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën nga një sulmi tmerrshëm terrorist 19 vjet më parë.

Osmani tha se ky sulm zgjoi ndërgjegjen e botës dhe të demokracive anë e kënd globit, për të luftuar terrorizmin si një ndër sfidat kryesore të kohës moderne.

Kosova, sipas kryetares Osmani, do të qëndrojë përgjithmonë bashkë me popullin amerikan në kërkim të drejtësisë për ato mijëra viktima të atij sulmi të tmerrshëm.

“Kosova dhe populli i saj, si populli më proamerikan në botë dhe Republika jonë, si aleati kryesor i SHBA-ve, kanë qëndruar me popullin amerikan edhe atëherë, qëndrojnë edhe sot në nderimin e viktimave të këtij akti të shëmtuar terrorist dhe do të qëndrojmë përgjithmonë bashkë me popullin amerikan në kërkim të drejtësisë për ato mijëra viktima”, tha kryetarja Osmani.

Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Osmani konfirmoi se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit dhe luftimin e fenomeneve negative.

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, u shpreh se partneriteti SHBA- Kosovë, tejkalon raportet politike.

“Sot përkujtojmë jo vetëm ngjarjet e tmerrshme të 11 shtatorit 2001, por edhe lidhjen e ngushtë dhe partneritetin mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës dhe ky parneritet tejkalon politikën. Për dy dekada, populli i SHBA-së dhe Kosovës, qëndruan së bashku për të luftuar terrorizmin, në përpjekje për të ndërtuar një të ardhme në paqe, drejtësi e përparim për njerëzit e të dy vendeve tona dhe për fqinjët”, tha ambasadori Kosnett.

Kosnett falënderoi popullin e Kosovës që çdo vit përkujton viktimat e sulmit të 11 shtatorit të vitit 2001, ndërsa shtoi se SHBA dhe Kosova do të forcojnë partneritetin për të luftuar terrorizmin dhe fenomenet negative.

Gjatë homazheve, kryetarja Osmani shoqërohej gjithashtu edhe nga nënkryetarët e Kuvendit, Arbërie Nagavci dhe Memli Krasniqi.​