Apeli kthen në rigjykim rastin ndaj ministres Meliza Haradinaj- Stublla, e akuzuar për mosdeklarim të pasurisë

0
228

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj- Stublla, e akuzuar për mosdeklarim të pasurisë, raporton Drejtësia Sot.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet komunikatës për media të lëshuar nga kjo gjykatë.

Gjykata Themelore e Prishtinës, Haradinaj- Stubllën, e kishte shpallur fajtore dhe dënuar me tetë muaj burg me kusht dhe dënim me gjobë në vlerë prej 1 mije euro.

Ndërkaq Apeli, gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Po ashtu, nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, thuhet në komunikatë.

Kjo gjykatë, ka gjetur se dispozitivi i aktgjykimit të themelores është i mangët andaj, gjykata ka vendosur që çështja të kthehet në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla, në drejtim të kryerjes së veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.

Sipas kësaj aktakuze Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, me rastin e marrjes së detyrës, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK),për vitin paraprak, ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, me zyre nr “108 Ëoolmead Avenues në “Companies House”, edhe pse ka qenë e obliguar sipas ligjit./DrejtesiSot