Fillon gjykimi ndaj dy zyrtarëve, të akuzuar për keqpërdorime me formularët për njohjen e statusit të veteranëve të UÇK-së

0
165

Pas tetë muajsh në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka filluar gjykimi ndaj Sanije Rexhës dhe Kushtrim Balaj, të akuzuar për keqpërdorime me formularët për njohjen e statusit të veteranëve të UÇK-së, raporton Drejtësia Sot.

Sanije Rexha, gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha, i njohur si “Sandokani”, dhe Kushtrim Bala, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit.

Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor pas leximit të aktakuzës nga prokurori Enver Krasniqi, të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Më pas, seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse nga palët. Në fjalën hyrëse prokurori Krasniqi, theksoi se me provat e propozuar në aktakuzë dhe me dëgjimin e dëshmitarëve do të vërtetohet se të akuzuarit Rexha dhe Balaj, kanë kryer veprat penale që i’u vihet në barrë.

Tutje, i njëjti shtoi se ky rast është shembull konkret se si zyrtarët që janë të thirrur për t’i shërbyer shtetit i shkelin detyrat e tyre dhe dëmtojnë buxhetin e shtetit.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarës Sanije Rexha, avokati Tahir Rrecaj, tha për gjykatën se prokuroria nuk ka bashkangjitur asnjë provë të vetme në aktin akuzues se e mbrojtura e tij dhe i bashkëakuzuari Balaj, të kenë kryer veprat penale që i’u vihen në barrë.

Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Balaj, avokati Muhamet Muja, theksoi se mbështet fjalën hyrëse të avokatit Rrecaj, dhe shtoi se me administrimin e provave do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Me të përfunduar fjalën hyrëse nga ana e palëve, kryetari i trupit gjykues Musë Konxheli, e ndërpreu seancën e sotme dhe të radhës e caktoi më 21 shtator 2020.

Sipas aktakuzës, Sanije Rexha akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, Udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe i akuzuari Kushtrim Bala, person zyrtar në të njëjtin departament të ministrisë së njëjtë, gjatë muajit tetor të vitit 2017, në bashkëveprim, kanë shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare.

Bala dhe Rexha, akuzohen se i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare në atë mënyrë që pa autorizim kanë marrë nga DIFDL 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, përkatësisht në qytetin e Krumës, ku kanë plotësuar këta formular për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë. Formular këto të cilët i kanë sjellë në Kosovë në DIFDL të MPMS-së.

Këta persona në emër të statusit të veteranit të luftës në mënyrë të kundërligjshme përfituan shumë prej 133.280.00 euro.

Po ashtu, të akuzuarit Rexha dhe Bala, në cilësi të personave zyrtar më 16.01.2019, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejt në zyrtaren me inicialet V.B., për pranimin e katër formularëve në DIFDL të MPMS, për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë S.P., shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave tu siguroj pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.