Tri dekada nga miratimi i Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut, gurthemelit të shtetësisë së Kosovës

0
60

Janë bërë tri dekada, që kur më 2 korrik të vitit 1990, 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës që atëherë përfaqësonin Kosovën me status krahine në Serbi, kanë nënshkruar Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur edhe si Deklarata e 2 Korrikut.

Ajo datë është konsideruar si gurthemeli i shtetit të Kosovës, për shkak se shënoi pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar trajtim të barabartë me republikat e atëhershme socialiste brenda Federatës Jugosllave.

Miratimi i Deklaratës së 2 korrikut, me shpalljen e Kosovës njësi të barabartë të federatës jugosllave, u hapi rrugë veprimeve të mëtutjeshme të shtetformimit.

Më 7 shtator 1990, u mbajt Kuvendi i Kosovës në Kaçanik, i njohur si Kuvendi i Kaçanikut i cili erdhi si proces i pandalshëm pas më shumë se dy muajsh nga Deklarata e 2 Korrikut, duke e miratuar Kushtetutën e cila e shpalli Kosovën Republikë.

Neni i parë i Kushtetutës së Kaçanikut e definoi Kosovën “shtet demokratik i kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”.

Kushtetuta e Kaçanikut legjitimoi një realitet politik në përputhje me vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës të shprehur në referendumin për pavarësi në shtator të vitit 1991, i pasuar nga zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në maj të vitit 1992 prej nga do të dalë Parlamenti i parë plural si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës e cila organizoi pushtetin paralel si formë e rezistencës institucionale deri në luftën e vitit 1999 në Kosovë.

Ky zhvillim historik për Kosovën, mbi të cilin u ndërtua shtetësia e saj, do të konfirmohet ndërkombëtarisht, më 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Guximin e kemi marrë nga popullata”

Ish-delegatja e Kuvendit të Kosovës në atë kohë, Feride Hyseni në një prononcim për Anadolu Agency (AA) kujton kohën kur u votua deklarata në fjalë, nën frikë dhe kërcënime të policisë serbe në vend. Ajo kujton se seanca ishte planifikuar të mbahej më 2 korrik brenda në sallën e seancave plenare në objektin aktual të Kuvendit të Kosovës, por nuk ishin lejuar nga kryetari i atëhershëm i Kuvendit, ndërsa delegatët mëngjesin e të njëjtës ditë i kishin gjetur dyert e mbyllura të këtij institucioni.

Në një situatë të tillë, me këmbëngulje dhe siç thotë Hyseni, me “guximin të cilin e kemi marrë nga popullata”, delegatët lexojnë dhe nënshkruajnë në oborrin e objektit të Kuvendit Deklaratën Kushtetuese.

“Kur e kemi parë që s’ka fare mundësi të futemi brenda atëherë është marrë vendimi që ky akt të mbahet edhe para Kuvendit. Të rrethuar kemi qenë me polic dhe kanë qenë në objektin karshi parlamentit që ka qenë atëherë si barnatore e shtetit dhe institucion për punë sociale. Në kulme kanë qenë edhe me snajperë. Por, guximin e kemi marrë nga popullata, të cilët ishin me numër të madh përreth nesh atë ditë dhe ne kishim frikë edhe për ta se mos u ndodhte ndonjë gjë”, thotë për AA, Hyseni.

Kosova kishte fituar autonominë e saj si pjesë konstituive e Jugosllavisë në vitin 1974 duke pasur të drejta pothuaj të njëjta sikurse gjashtë republikat e tjera. Ndërsa në mars të vitit 1989, Serbia dhunshëm ia suprimoi Kosovës autonominë duke e kthyer atë nën pushtetin e saj, gjë që shtyri delegatët e atëhershëm kosovarë të ndërmerrnin hapa konkretë muaj më vonë.

“Patjetër duhej ta kërkonim këtë sepse ne si autonomi kemi qenë element konstituiv i federatës në atë kohë. Serbia me dhunë e suprimoi dhe ne duhej të bënim diçka. Kuvendi ynë ka ekzistuar gjashtë muaj, deri në suprimim të dhunshëm dhe për ato gjashtë muaj ne praktikisht kemi bërë një rezistencë se jo punë normale, duke refuzuar ligje të Serbisë edhe për arsim edhe për shëndetësi edhe për plane hapësinore e në çdo lëmi”, thotë ajo.

Çfarë përmbante Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990?

Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, u publikua një ditë më vonë në “Fletorën Zyrtare” të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK). Ajo ishte shkruar nga Akademia e Shkencës në atë kohë me në krye nga akademik Gazmend Zajmin si dhe juristë e delegatë kosovarë, ndërsa përmbante 5 pika kryesore.

Delegatët kosovarë aty shprehnin dhe shpallnin qëndrimin burimor kushtetues të popullsisë së Kosovës Kuvendit të Kosovës si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.

Deklarata e konfirmonte Kosovën si bashkësi politiko-kushtetuese dhe “pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare)”.

Po kështu, deklarata bënte të ditur se “Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë”.