Për të tretën herë me radhë, shtyhet seanca fillestare në rastin për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

0
140

Mungesa e prokurorit Iljaz Beqiri, dhe deputetes së AAK-së Donika Kadaj- Bujupi, bëri që të dështoi për herë të tretë radhazi seanca fillestare ndaj dy deputetëve dhe dy ish- deputetëve, të akuzuar për futje të gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, raporton Drejtësia Sot.

Kadaj-Bujupi, bashkë me Pal Lekaj, Albulena Haxhiu dhe Besa Baftiu, po akuzohen se me datë 19.02.2016, kanë futur bombola të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ashtu si në seancën e kaluar, lidhur me mungesën e të akuzuarës Kadaj- Bujupi, gjyqtarja e rastit Naime Krasniqi- Jashanica, theksoi se e njëjta e ka njoftuar gjykatën nëpërmjet telefonit se nuk ka pranuar ftesë për seancën e sotme. Edhe pse i pranishëm në gjykimin e sotëm ishte mbrojtësi i saj, avokati Sylejman Klinaku.

Ndërkaq, lidhur me mungesën e prokurorit gjyqtarja Krasniqi- Jashanica, theksoi se i njëjti është njoftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë dështoi të mbahet dhe e radhës është caktuar më datë 15 shtator 2020.

Sipas aktakuzës së siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, e cila përfaqësohet nga prokurori Ilaz Beqiri, të pandehurit akuzohen se më datë 19.02.2016, paautorizim kanë poseduar armë, përkatësisht bombola të gazit lotsjellës.

Të njëjtit këto bombola kanë arritur që ti fusin në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas pauzës së punës së Kuvendit, derisa ishin duke u kthyer në sallë për të vazhduar me punimet. Mjete këto të cilat i’u janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit gjatë kontrollës.

Me këtë secili veç e veç e kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”, e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, ky rast është duke u gjykuar në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë./DrejtesiaSot