Të gjithë e njohim si Uilliam Shekspir, por cili ishte identiteti i vërtetë dhe jeta e tij enigmatike

0
1178

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, të 31 me rradhë ka Uilliam Shekspir.

OxygenPress.info në vazhdimësi do të sjell këto personalitete njërin pas tjetrit.

Nr. XXXI- Eduard De Ver, i njohur me emrin Uilliam Shekspir.

(1550-1604)

Dramaturgu dhe poeti i madh anglez, Uilliam Shekspir, në përgjithësi është njohur si shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave. Për identitetin e tij ka shumë thashetheme, që do t’i shohim më poshtë, ndërsa talentin dhe arritjet asnjeri nuk ia ka vënë në dyshim.

Shekspiri shkroi së paku 36 drama, 154 sonete të veçanta dhe disa poezi. Midis dramave të shkruara, janë: Hamleti, Makbethi, Mbreti Lir, Jul Çezari, Otello etj. Mund të duket pak e çuditshme që emri i tij, me gjithë lavdinë e madhe të arritur, nuk është vendosur më parë në libër. Shekspirin e vendosim në vendin e 31-të, jo se ia nënçmojmë vlerat krijuese, por vetëm për besimin se njerëzit e fushës krijuese, të marrë në përgjithësi, përpjesëtimisht kanë ndikim më të paktë në historinë njerëzore se ata të fushave të tjera. Veprimtaria e një udhëheqësi klerikal, shkencëtari, politikani, zbuluesi apo filozofi shpesh lë gjurmë edhe në fusha të tjera të jetës njerëzore. Për shembull, dijet shkencore mund të ndikojnë vendosmërisht në jetën ekonomike dhe politike po në të njëjtën kohë ndikojnë edhe në besimet fetare, bindjet filozofike, zhvillimin e krijimtarisë etj. Një piktor i madh mund të ndikojë te pasardhësit e tij, por është vështirë të besohet që ky ndikim do të ndihet edhe në zhvillimin e letërsisë, muzikës e aq më pak në zhvillimin e shkencave, në zbulimet e ndryshme apo në sfera të tjera të veprimtarisë njerëzore. Përfundime të ngjashme mund të nxirren edhe për poetët, dramaturgët dhe kompozitorët. Krijuesit e artit ndikojnë vetëm në atë fushë të krijimtarisë që ata punojnë.  Ja pse asnjë shkrimtar, piktor apo muzikant nuk përfshihet në 20 personalitetet e parë të librit dhe të paktë janë edhe ata që përfshihen në këtë libër.

Atëhere lind pyetja, pse në libër janë përfshirë edhe krijues? Përgjigja është se kultura jonë e përgjithshme, në kuptimin social të fjalës, formohet deri diku edhe nga krijimtaria. Krijuesit ndihmojnë në formimin e përgjithshëm të shoqërisë, ndaj jo rastësisht, ata janë gjurmë karakteristike në çdo qytetërim.

Veç kësaj, kënaqësia shpirtërore e çdo njeriu është e lidhur me krijimtarinë. E thënë ndryshe, çdo njeri kalon pjesë të kohës së tij duke lexuar libra, duke parë piktura deri dhe duke dëgjuar muzikë, që janë pjesë të jetës sonë dhe që ndikojnë në veprimtaritë e tjera. Kështu, që krijuesit, në një mënyrë a tjetër ndikojnë në gjendjen tonë shpirtërore dhe në tërë jetën shoqërore. Ato janë shprehje e ndenjave tona më të thella që ia rritin vlerën kulturore secilit.
Në një farë mënyre, krijimtaria artistike ka përmbajtje të dukshme deri diku filozofike, fakt që mund të ndikojë në arsyetimet tona. Sido që të jetë, kjo më e dukshme është në pjesët letrare, se në ato muzikore apo pikturë. Për shembull, kur në dramën “Romeo dhe Zhuljeta” (paragrafi III, skena I) Princi thotë:”Por, i vrari ka vrarë i pari dhe kush do ta paguajë gjakun e parë?” –fitojmë bindjen e një përmbatjeje filozofike, (pa marrë parasysh nëse e kuptojmë apo jo) dhe është e vërtetë që kjo ndikon në pikëpamjet tona të përgjithshme politike. Por kjo, nuk ndodh kur shohim “Mona Lizën”.

Vendosja e Shekspirit në vend të parë midis krijuesve nuk ka mosmarrëveshje. Në ditët tona, të paktë janë ata që lexojnë Çezarin, Virgjilin apo Homerin, sepse nuk janë përfshirë në programet shkollore. Nga ana tjetër, një shfaqje e dramave të Shekspirit përfshin publik të madh. Aftësia e tij për të dhënë fraza të përsosura është e paaritshme. Madje, ai shpesh është cituar edhe nga njerëz, që a e kanë lexuar dhe as i kanë parë veprat e tij. Pra, që popullariteti i tij nuk është një modë e shkuar. Krijimtaria e tij jep kënaqësi estetike si për lexuesit ashtu edhe për shikuesit që prej 400 vjetësh. Përderisa krijimtaria e tij ka qëndruar kohës, kemi të drejtën të mendojmë se popullariteti i tij do të vazhdojë edhe në shekujt e ardhshëm.

Në vlerësimin e rëndësisë së Shekspirit, mund të kemi parasysh faktin se në qoftë se nuk do të kishte lindur ai, nuk do të ekzistonin edhe veprat e tij, gjë që është e njëjtë edhe për çdo krijues tjetër. Megjithatë, ky faktor nuk është i një rëndësie të veçantë kur vlerësojmë ndikimin e krijuesve më pak të njohur. Edhe pse shkruante në anglisht, Shekspiri me plot kuptimin e fjalës është shkrimtar i përbotshëm: gjuha angleze nuk është e përgjithshme, por është më afër së përgjithshmes nga gjuhët e tjera. Veç kësaj, dramat e Shekspirit janë përkthyer, lexohen edhe luhen në gjithë botën.

Ka shumë autorë popullorë, që veprat e tyre janë kritikuar rëndë nga disa kritikë letrarë. Një gjë e tillë, praktikisht për veprat e Shekspirit nuk ka ndodhur: krijimtaria e tij sa vjen e vlerësohet gjithnjë e më shumë si nga kritikët letrarë ashtu edhe nga masat e gjera të popullsisë. Breza e breza dramaturgësh i kanë studiuar veprat e tij dhe janë përpjekur të arrijnë dinjitetin e tij letrar. Kombinimi midis ndikimit shumë të madh të tij te shkrimtarët e tjerë dhe popullaritetit mbarëbotëror që gëzon, i jep të drejtën Shekspirit të zërë vendin e nderit në libër. Ndërsa me identitetin e njeriut që shkroi këto vepra letrare nën këtë emër, kanë lindur mjaft dyshime:

Mendimi i përgjithshëm, që në mënytë jo kritike e kemi vërtetuar edhe në botimin e parë të këtij libri, është se bëhet fjalë për të njëjtin Uilliam Shekspir që ëshë lindur në vitin 1564 në Stratford-On-Ejvn dhe vdekur po aty, nga viti 1616. Megjithatë, kur vlerësojmë me vëmendje argumentet e skeptikëve dhe kundërargumentet,”me një të menduar ortodoks”, arrijmë në përfundimin se skeptikët kanë të drejtë dhe argumentet e tyre të arta dhe të fuqishme i pranojmë:

Shumica e dokumenteve pohojnë se Uilliam Shekspiri është pseudonimi i grofit XVII nga Oksfordi, Eduard de Ver, ndërsa Uilliam Shakspiri (Shakspere, Shakspeyr, Shagspere ose Shaksbere emër i shkruar gjithnjë pa e pas shkronjës së parë, për shkak se dëgjohet si a e shkurtër), është emri i një tregtari të sukseshëm, që puna e shpuri në Londër, por që s’ka pasur asnjë lidhje me teatrin e, aq më pak, me të shkruarit e dramave. Në anglisht, Shekspiri shkruhet SHakespeare (fjala më e afërt: Shejkspia).

Në përgjithësi, nuk pohojmë që De Veri t’i ketë shkruar veprat e tij me emrin Shakspir. Gjatë kohës së vet, Shakspiri nuk njihej si autor i dramave dhe asnjëherë nuk ka patur pretendime të tilla. Ideja, që Shakspiri është dramaturgu i madh Uilliam Shekspir, doli në vitin 1623, shtatë vjet pas vdekjes së tregtarit Shakspir, kur u botuan fashikujt e parë të veprave të Shekspirit. Botuesit kanë përfshirë në to një parathënie, ku aludohej (po nuk thuhej açik) se autori i atyre veprave ishte njeri nga Stratford-on-Ejvn.
Që të kuptohet pamundësia e të qenit të Shekspirit si dramaturg, duhet njohur së pari, versioni i përgjithshëm i pranuar i biografisë së Shekspirit. I ati i Shekspirit, Xhon, dikur shumë i pasur, ra në një situatë të vështirë dhe i vogli Uilliam u detyrua të rritej në varfëri. Përballë kësaj, ai u shkollua në shkollën klasike të Stratfordit, ku u njoh me letërsinë klasike dhe gjuhën latine.

Kur ishte 18 vjeç, Uilliami pati miqësi me vajzën e re, En Hatavaj, me të cilën shpejt u dashurua. Siç ishte zakoni, ata u kurorëzuan dhe pas disa muajsh En-i lindi. Pas dy vjet e ca, lindi për së dyti,  por këtë radhë binjakë. Kështu, Uilliami, i ndodhur para faktit, ende pa mbushur 21 vjeç ishte i detyruar të mbante gruan dhe tre fëmijët. Nuk ka të dhëna për veprimtarinë e tij dhe as për vendin se ku ndodhej gjashtë vitet e fundit të jetës. Por, në fillim të vitit 1590 ai ishte në Londër si anëtar i një trupe aktorësh. Uilliami ishte aktor shumë i mirë, por kohën e kalonte më tepër duke shkruar drama apo poezi. Në vitin 1598, vlerësohej si shkrimtari më i madh anglez i të gjitha kohërave. Uilliami qëndroi në Londër gati 20 vjet, kohë që shkroi 36 drama, 154 sonete dhe disa poezi. Pas disa vitesh u bë aq i pasur, sa arriti të blejë një shtëpi të shtrenjtë në Stratford. Gjatë gjithë kësaj kohë, familjen e kishte në Stratford, ndërsa ai shkonte herë pas here aty.

Sado që të duket e çuditshme, ai nuk botoi asnjë nga dramat e tij të njohura. Megjithatë, botuesit jo skrupuloz kuptuan se në to fshihej një bashkëpunim, prandaj ata botuan në mënyrë joligjore gjysmat e dramave. Edhe pse këto botime të jashtëligjshme ishin të paarrira dhe të ngatërruara, Shekspiri nuk ndërhyri.

Në vitin 1612, në moshën 48-vjeçare, krejt papritur ndaloi së shkruari dhe u kthye për së dyti tek e shoqja, në Stratford. Aty vdiq në prill të vitit 1616 dhe u varros në oborrin e kishës. Edhe pse varri nuk mban emrin e tij, jo shumë vonë, në murin e afërt është ngritur një përmendore e tij. Tri javë para vdekjes, ai shkroi testamentin, ku pothuajse gjithë pasurinë ia linte vajzës së madhe Suzana. Ajo, dhe pasardhësit e saj jetuan në shtëpinë e mirë në Stratford derisa vdiq edhe anëtari i fundit i gjinisë, në vitin 1870.

Duhet nënvizuar se pjesa më e madhe e biografisë së ekspozuar deri tani është marrë nga biografë, që kanë mbrojtur versionin e përgjithshëm të miratuar. Nuk ka dokumente ose të dhëna që të vërtetojnë se Shekspiri ka mësuar në shkollën klasike të Stratfordit. Nuk ka të dhëna as nga bashkënxënës dhe as nga mësues që t’i kenë dhënë mësim shkrimtarit të madh. Veç kësaj, me asnjë të dhënë nuk argumentohet të qënit e tij si aktor.

Në kundërshtim me këto, në shikim të parë, versioni zyrtar pranohet si i vërtetë. Por, me një studim më të hollësishëm, evidentohen menjëherë pasaktësi, shfaqen dyshime:

Problemi i parë, i pohuar edhe nga shumë biografë të “besuar”, është fakti se në dorë kemi informacione të pakta për jetën e Shekspirit, më pak se mund të pritej për një figurtë të tillë të shquar. Në përpjekjen për të sqaruar mungesën e të dhënave, ndonjë studiues thotë:”Por ai ka jetuar para 400 vjetësh dhe është e natyrshme që shumica e dokumenteve për të të kenë humbur”.Po të arsyetohet kështu, atëherë duhet vlerësuar numri i informacioneve që zotërojmë nga koha e Shekspirit:

Ai, së paku nuk jetoi në një shtet të prapambetur, apo në një epokë të ngrysur, por jetoi në Anglinë e mbretëreshës Elisabet dhe në epokën e lulëzimit, kur kishte shtypshkronja, kur mjetet për të shkruar ishin mall i zakonshëm dhe kur shumë njerëz dinin të shkruanini dhe lexonin. Kuptohet, që dokumentet humbasin, por nga ajo kohë kanë mbetur miliona dokumente origjinale.

Për shkak të interesimit të madh për Uilliam Shekspirin, breza të tërë studiuesish kanë kërkuar informacione për gjeniun më të madh të letrave në botë. Sipas renditjes së të dhënave të asaj kohë, del se shumica e dokumenteve flasin për çdo poet tjetër të asja kohe, madje edhe për ndonjë krijues më pak të njohur, ndërsa për Shekspirin janë gjetur vetëm rreth tridhjetë shënime të rastëshime, ku nuk flitet sadopak që ai të ketë qënë poet apo dramaturg.

Kemi në dorë shumë dokumente për jetën e Frensis Bekonit, për mbretëreshën Elisabet, Ben Xhonsonin apo Edmund Spenserin, po për Shekspirin pothuajse nuk kemi asgjë. Madje, dimë më tepër për poetin që ka jetuar para tij, Xhon Lilin. Veçanërisht të bie në sy krahasimi me Isak Njutonin, gjeniun më të madh të shkencave në histori. Për Njutonin kemi ne dorë me mijëra dokumente origjinale. Ashtu si Shekspiri, ai rridhte nga një vend i vogël i Anglisë. Është e vërtetë që Njutoni është lindur 78 vjet pas Shekspirit, por ne kemi shumë informacione të hollësishme për Galilein, që është lindur në vitin 1313.

Për 29 vjetët (1592-1612) e qëndrimit të dramaturgut të madh në Londër, ne nuk gjejmë asnjë shënim, që dikush ta ketë parë në të gjallë, në skenë, apo të ketë biseduar me të për poezinë, a të ketë shkruar së bashku me të,apo të jenë takuar në rrugë ose në shëtitje. Kur takohej ndonjëri me aktorin e famshëm, Riçard Berbic ose me dramaturgun Ben Xhonson, këto takime i regjistronte si ngjarje të rëndësishme. Ndërsa për takimin me Shekspirin asnjeri nuk e paska parë të arsyeshme që ta regjistronte si ngjarje të rëndësishme në kujtimet e veta? A mund të ndodhë kjo?

I vetmi argument sqarues është se autori ka shfrytëzuar me sukses pseudonimin Uilliam Shekspir për ta fshehur identitetin e tij. Ata që e kanë takuar, nuk e kanë ditur që ai të ketë qenë dramaturgu i madh, Uilliam Shekspiri. Sido që të jetë Shakspiri, emri i të cilit është aq i ngjashëm, nuk mund të fshihej pas një pseudonimi të tillë.
Një moskuptim më i madh i versionit zyrtar është dhe sjellja e qytetit të lindjes ndaj Shakspirit. Në qoftë se Shakspiri ishte aktor i shkëlqyer dhe dramaturgu më i madh i Anglisë, si është e mundur që asnjeri të mos e dinte këtë? Madje, më e çuditshme është kur kujtojmë se ai u largua nga Stratfordi i varfër dhe u kthye i pasur, ndryshim që sido që të jetë, do të provokonte dashurinë e miqve dhe të familjarëve. E vërteta është se gjatë gjithë jetës së tij, asnjë nga miqtë, të afërmit, madje edhe të familjes, nuk flisnin për Shekspirin si aktor, dramaturg apo si krijues letrar në përgjithësi. Por cfarë mund të thuhet për dorëshkrimet e dramave të shkruara me dorën e vetë Shekspirit? Pa dyshim, ato duhet të tregonin se kush është autori. Fatkeqësisht, dorëshkrime të tilla nuk ekzistojnë. Madje,nuk ka as shënime, pjesë të pashfaqura ose të pambaruara. Faktikisht, përveç 6 firmave në dokumentet gjyqësore, nuk kemi asgjë të shkruar nga dora e tij. Nga sa gjykohet prej dokumenteve ekzistuese, del se Shakspiri jo vetëm që nuk është autori, por ai ka qenë gjysmë analfabet ose analfabet i plotë.Ky është çasti të pohojmë se prindërit, gruaja dhe fëmijët e Shakspirit kanë qenë analfabetë. Patjetër, që njeriu nuk i zgjedh prindërit dhe fëmijët. Bashkudhëtarët e jetës zgjidhen sipas cilësive të tjera dhe jo sipas arsimimit.Por, nga ana tjetër,është pak e besueshme që njeriu,që ndriçoi botën duke shkruar,t’i linte vajzat e tij pa shkollë?!  Në qoftë se Shakspiri ishte Shekspiri, ky do të jetë rasti i vetëm në histori që një shkrimtar kaq i madh t’i linte fëmijët e tij pa shkollë. Mbetet problem edhe testamenti i Shekspirit: Ekziston origjinali, që përbëhet nga tri faqe, ku në mënyrë të hollësishme shënohet pasuria dhe një varg kërkesash të tjera, ndërsa nuk shënohet asgjë për poezitë, dramat, për pjesët e pambaruara apo për të drejtat e autorit. Asgjë nuk shënohet për ndonjë libër vetjak apo dokument. Nuk shënohet as se kujt do t’ia linte dramat e pabotuara (që deri atëhere ishin rreth 20 të tilla) ose në përgjithësi, tërë ato që kishte shkruar, drama apo poezi. Ky është testamenti i një njeriu të paarsimuar, madje, edhe i një tregtari pa shkollë. Duhet nënvizuar edhe kjo: Kur vdiste ndonjë shkrimtar apo poet i shquar, poetët anglezë organizonin detyrimisht ceremoni pompoze duke mbajtur fjalime të gjata e lavdëruese mbi varret e tyre. Ndërsa vdekja e Shekspirit në vitin 1616 nuk është shënuar as edhe nga një shkrimtar anglez. Ben Xhonsoni, që thoshte më vonë se ishte lexues dhe mik i Shekspirit, nuk e pa si të arsyeshme që në fund të jetës së tij, të shprehte ndenjat dhe takimet që kishte bërë me të?! Është e dukshme që poetët e tjerë të asaj kohe nuk shihnin asgjë të përbashkët midis tregtarit nga Stratfordi dhe dramaturgut të madh. Sipas nesh, dokumentet e ekspozuara janë të mjaftueshme dhe nuk duhen të dhëna të tjera për të vërtetuar se Shakspiri nuk është dramaturgu i madh dhe se Uilliam Shekspiri është pseudonim i përdorur për të fshehur identitetin e autorit të vërtetë. Ka edhe dokumente të tjera jo të drejtëpërdrejta, që pohojnë se Shakspiri nuk është autori i dramave të sipërpërmenduara, por ato nuk janë vërtetuar. Për shembull, thuhet shpesh se shumica e dramaturgëve dhe romancierëve në veprat e tyre trajtojnë ngjarje nga jeta e tyre. Jo rrallë, ato janë edhe të dhënat kryesore që mund të çojnë deri të biografia e Shekspirit. Edhe një argument tjetër: Me veprat që ka shkruar, shkrimtari Uilliam Shekspir duket që ishte njeri shumë i arsimuar. Të shohim vetëm pasurinë e pabesueshme të fjalorit që ka përdorur në to (shumë më i pasur nga fjalori i dramaturgëve të tjerë), njohjen e gjuhës franceze dhe latine, shfrytëzimin e saktë të terminologjisë ligjore dhe njohjet e shumta nga fusha e letërsisë klasike.Nga ana tjetër, të gjithë janë të të njëjtit mendim, që Shakspiri jo vetëm që nuk ka shkelur në universitet, por është shumë e dyshimtë të ketë vazhduar edhe gjimnazin.

Ka edhe mjaft elemente të tjera të jetës së Shakspirit, që nuk përputhen në asnjë mënyrë me hipotezën, që ai të ketë qenë shkrimtari Uilliam Shekspir. Kjo mund të argumentohet edhe me shumë faqe të tjera, por lexuesi i interesuar, këto hollësi mund t’i gjejë në librin e Çarlton Odbergut me titullin “Enigmatiku Uilliam Shekspir”. Sidoqoftë, biografët “e vërtetë” kanë dhënë sqarime hipotetike për të gjitha problemet e shtruara më lart. Ndonjë nga këto sqarime edhe mund të mos qëndrojë, pavarësisht se në vetvete mund të jetë i mundur.

Për shembull, a është e mundur që një njeri që përpiqet t’i ruajë letrat që ka marrë nga personalitete të njohura, ta zëmë nga Shekspiri, dhe rastësisht t’i humbasin të gjitha? A është e mundur, që njeriu që ka respektuar në dramat e tij inteligjentët dhe gratë e shkolluara të pranojnë që vajzat e tij të mbeten analfabete? A është e mundur, që asnjë nga miqtë, të afërmit dhe anëtarët e familjes në Stratford, të mos shihnin tek ai aktorin e lavdishëm, poetin dhe dramaturgun e madh? Jo, nuk është e besueshme, nuk është e mundur!. Sigurisht, si në rastin konkret, ashtu dhe në shumë raste të tjera, tërësia është më e madhe nga çdo pjesë përbërëse e saj në veçanti. Po të kishim vetëm një apo dy çaste të pakuptueshme nga biografia zyrtare, do të pranonim edhe ato që janë të prapanueshme. Por, nuk mund të mos nënvizojmë, se asnjë nga problemet e ngritura më lart nuk përfshihen në mënyrë të natyrshme në biografinë zyrtare. Çdo dokument për këto probleme, kërkon sqarime të veçanta për çdo rast të veçantë. Problemi është se Uilliam Shakspiri nga Stratford-en-Ejvn ishte pothuajse tregtar i pashkollë dhe se as arsimimi, as karakteri, as qëndrimet e tij, as familja dhe as fqinjët nuk flasin për atë si shkrimtar të madh, si Uilliam Shekspir.

Mirë, që Shekspiri nuk është autor i dramave, por kush tjetër është? Dalin shumë pikëpyetje, por më e besueshmja është që autori i vërtetë të jetë filozofi i njohur, Frensis Bekon. Por, vitet e fundit kanë dalë të dhëna që pa dyshim të drejtojnë tek Eduard De Veri. Për Eduard De Verin dihen shumë: Ai ka bërë një jetë plot aventura, ngjarje të të cilave i gjejmë të pasqyruara në këto drama. U lind në vitin 1550. Ka qenë bur dge trashëgimtar i grofit XVI nga Oksfordi, shumë i pasur dhe aristokrat i lartë. Me synimin e përgatitjes për titullin që do të trashëgonte, zakon ky qysh në fillimet e pushtimeve Normane, Eduardi i ri u stërvit me stilin e zakonshëm për lordët e zinj: studioi për kalorësi, gjueti, kulturë ushtarake si dhe për muzikë e dans. Me mësues privatë ai studioi për gjuhët frëngjisht, latinisht e lëndë të tjera. Diplomën e mori në Universitetin e Kembrixhit, ndërsa magjistraturën e mbrojti në Universitetin e Oksfordit. Pas kësaj, studioi për Drejtësi dhe punoi në një nga katër shoqëritë kryesore të avokatëve të Londrës.

Kur ishte 12 vjeç i vdes i ati, kështu që për disa vite me radhë jetoi me të ëmën, e cila u martua për së dyti. Pas kësaj, Eduardin e mori nën kujdestari Uilliam Sesili, besnik mbretëror i Anglisë dhe shumë vite anëtar i këshillit personal të mbretëreshës Elisabeta, e për rrjedhim, një nga njerëzit më të shquar të Anglisë. Siç i përshtatej rangut të tij të lartë, De Veri u bë anëtar i familjes së Sesilit. Falë ndikimit të Uilliamit, De Veri arriti t’i shpëtonte gjyqit për vrasjen e një lakeu të Sesilit, që e kishte kryer vërtet. Në moshën 20-vjeçare De Veri u vendos në oborr, ku u njoh me shumë njerëz të shquar, midis të cilëve edhe me mbretëreshën Elisabet. Asaj, i la përshtypje shumë të mirë, jo vetëm për zgjuarsinë, por edhe pse ishte mjaft i rregullt, simpatik dhe me një pamje të jashtëzakonshme.Shpejt u bë edhe një nga dashnorët e saj.
De Veri u martua 21 vjeç me vajzën e tutorit, En Sesilin. Meqenëse ata ishin rritur bashkë si motor e vëlla, kjo martesë u duk mjaft e jashtëzakonshme. Në moshën 24-vjeçare ai kreu një udhëtim të gjatë nëpër Evropë: Vizitoi Francën dhe Gjermaninë. Për shumë muaj ndenji në Itali. Gjatë kthimit në Angli, qëndroi përsëri në Francë. Duke lundruar në La Mansh, anija me të cilën udhëtonte, u sulmua nga piratët që kërkonin t’i merrnin peng për para. De Veri i bindi piratët se ai ishte mik vetjak i mbretëreshës Elisabet. Për të mos pasur probleme me mbretëreshën, piratët e liruan anijen.Një skenë e ngjashme ndodh edhe me trimin në dramën ”Hamleti”.

Nëntë muaj pasi la Anglinë, e shoqja lindi vajzë. Ai mendoi se nuk ishte fëmija e tij, ndaj e akuzoi për pabesi dhe u nda prej saj. Mjaft historianë mendojnë se për këtë nuk ka baza. Edhe De Veri do të ketë menduar kështu, sepse pas pesë vjetësh u ribashkuan. Akuza të pabaza për gratë e reja të ndershme ndeshen shpesh në veprat e Shekspirit, për shembull, në “Çdo gjë është e mirë kur përfundon mirë”, ”Përrallë dimri” dhe “Otello”. Dhe më shpesh, akuzat e padrejta gruaja ia fal burrit”.

Gjatë pesë vjetëve të ndarjes, De Veri kishte si dashnore një zonjë të oborrit që u nda prej tij. Mbretëresha Elisabet, e tërbuar për këtë, dha urdhër ta burgosnin në Kullën e Londrës. Pas disa muajsh u lirua. Por, një nga miqtë e zonjës së re, i zemëruar nga kjo, e qëlloi dhe e plagosi rëndë De Verin. Midis dy familjeve shpërthyen grindje të rënda, që u sheshuan me kërcënimin që u bëri mbretëresha. Kjo ngjarje përsëri na çon te ”Romeo dhe Zhuljeta”.

Që kur u kthye De Veri tek e shoqja, u lindën pesë fëmijë. Papritur, në moshën 32 vjeçare, En-i vdes. Katër vjet pas kësaj, De Veri u martua përsëri. Gruaja e dytë e mbijetoi. Në atë periudhë, nga gjendja financiare, De Veri ishte shumë keq, pasi prishte pa masë. Por, në vitin 1586, kur ishte 36 vjeç, mbretëresha Elisabet i lidhi një pension prej 1000 funt sterlinash në vit, afërsisht 100 mijë dollarë të sotëm. Pas kësaj u lirua edhe nga detyrimet e tjera. Kjo është diçka e çuditshme, kur dihej që Elisabeta ishte mjaft e shtrënguar. Më i çuditshëm është fakti, se ky gjest nuk është i lidhur me ndonjë detyrim që mund t’i ketë patur në të kaluarën apo me ndonjë shërbim të mëvonshëm. Pensioni iu pagua rregullisht, jo vetëm gjatë kohës së mbretëreshës, por edhe pas vdekjes së saj më 1603, nga zëvendësi Xhejms I.

De Veri ishte i interesuar për poezinë dhe teatrin. Ai kishte miqësi me shumë shkrimtarë. Në rini kishte shkruar vjersha dhe drama me emrin e tij. Dramat e tij të para kanë humbur, ndërsa mjaft poezi janë ruajtur. Disa prej tyre janë me të vërtetë shumë të mira, megjithatë shumë larg nivelit të Uilliam Shekspirit të pjekur. Asnjë nga ato nuk është botuar, pasi nuk ishte e udhës që aristokrati të shkruante poezi për të botuar. Sot, kjo tingëllon si e çuditshme, por historianët pohojnë se kjo ishte diçka e zakonshme.Tabuja e tillë asnjëherë nuk është prishur.

Që kur mori pensionin e mirë nga mbretëresha Elisabet, De Veri nuk shkroi asnjë radhë me emrin e tij. Disa vjet pas kësaj, filluan të botohen poezi dhe drama nga autori i padukshëm Uilliam Shekspir.

Del pyetja, pse mbretëresha Elisabet i lidhi një pension kaq të madh De Verit? Përgjigja nuk është gjetur asgjëkundi. Por, shkaku i mundshëm mund të jetë se mbretëresha, ashtu si dhe shumë monarkë përpara saj, e ndihmoi krijuesin e talentuar me shpresën, që në veprat e tij të glorifikohej figura e saj.Po të jetë kështu, atëherë ajo nuk i ka prishur paratë kot. Dhe vërtet, nuk ka udhëheqës, para dhe pas saj, që të ketë bërë një zgjidhje kaq të bukur.
Që kur mori pensionin, De Veri mjaft aktiv, u shkëput pothuajse nga çdo aktivitet i oborrit. Thuhet, se pesëmbëdhjetë vjetët e fundit ai i ka shkruar dramat e mëdha dhe poezitë që i dhanë emrin Uilliam Shekspir. Vdiq në vitin 1604, në kohën e epidemisë së murtajës. U varros pranë shtëpisë së tij në Hakni, jo larg Stratfordit. Në Angli ka dy qytete me të njëjtin emër.Ky i fundit ishte më i madh nga Stratford-on Ejvn.

Në ndryshim nga Shakspiri, ose nga çdo personalitet tjetër për të cilin thuhet se është autori i vërtetë i dramave të Shekspirit, sipas gjithë kritereve, Eduard de Veri i afrohet më tepër ngatërrestarit Uilliam Shekspir, sepse:

-Kishte arsim të rregullt, kishte studiar për Drejtësi dhe dinte gjuhë të huaja (frëngjist), latinisht, ndoshta edhe të tjera);

-Ishte aristokrat, pranë jetës dhe intrigave të oborrit mbretëror:

-Kishte kohë të mjaftueshme për të shkruar drama;

-Një numër i madh miqsh dhe të njohurish e paraqisnin herë pas here si shumë të zgjuar dhe të talentuar:

-Gjatë tërë jetës së vet tregoi interes për teatrin dhe është vërtetuar plotësisht se kur ka qenë i ri ka shkruar drama dhe poezi me emrin e tij. Gjatë kohës kur jetoi tregohej me gisht si një fisnik, që shkruante poezi, por sipas tabusë së njohur, ato nuk ishin botuar me emrin e tij. Veç kësaj, është lartësuar si fisniku më i aftë që merrej me veprimtari të tilla. Për këtë ka dokumente:

-Në dramat e tij janë përfshirë shumë ngjarje të lidhura dukshëm me ngjarje vetjake dhe persona të njohur prej tij. Ndonjë prej tyre e theksuam edhe më lart, por ka edhe shumë të tjera. Problemi i vetëm që mbetet pa përgjigje është mbajtja e fshehtë e indentitetit të tij. Për këtë ekzistojnë disa sqarime të mundhsme, si:

  1. Në atë kohë ekzistonte ligji, që ndalonte fisnikët të shkruanin vjersha për botim ose drama për teatrot komerciale.
  2. De Veri ishte i njohur si oborrtar e meqenëse në dramat e tij paraqitej jeta e oborrit, nëse dihej autorësia, atëhere njerëzit në mënyrë të natyrshme dhe me të drejtë do të identifikonin ngjashmërinë e personazhit me personin e vërtetë të oborrit, gjë që mund të shkaktonte edhe skandale. Sot, kjo quhet si e pranueshme, edhe pse jo miqësore, veprim që mund të jetë met për ndekje në gjyq. Në atë kohë, një gjë e tillë,së paku të shpinte në proces gjyqësor, në mos në duel.
  3. Shumë nga sonetet e tij, Uilliam Shekspiri ia adresonte marrëdhënieve me ndonjë të dashur. Po të njihej autorësia, e shoqja do të shqetësohej shumë.

4.Por, më e keqja është se shumë nga sonetet e tij u janë adresuar personaliteteve të gjinisë mashkullore, gjë që ka sjellë interpretimin se autori i tyre ka pasur prirje homoseksuale apo biseksuale. Pavarësisht nga e vërteta e një interpretimi të tillë (shumica e kritikëve mendojnë se nuk është e vërtetë), njohja e autorësisë së soneteve do të provokonte intriga, që do t’ia shkatërronin jetën familjes së De Verit. Ndoshta, asnjëra nga këto përgjigje mund të mos jetë plotësisht e besueshme. Por të gjitha së bashku sqarojnë pse De Veri ka fshehur identitetin e tij. Është plotësisht e mundur, që ai të ketë patur edhe shkaqe të tjera të panjohura për ne. Nuk është qartësuar, për shembull, krijimi i kushteve të mira dhe dhënia e pensionit nga mbretëresha Elisabet: trajtimi i tij sipas normave të përgjithshme për t’iu shmangur dueleve midis oborrtarëve, si dhe të mosbotimit të asgjëje me emrin e tij. Pa marrë parasysh nëse kemi sqaruar bindshëm shkaqet e fshehjes së identitetit të autorit, në çdo vështrim tjetër, sjellja e De Verit u përgjigjet plotësisht kritereve që ai të jetë Shekspiri. Theksojmë, se asnjë figurë tjetër nuk i afrohet këtyre përkimeve. Për këtë besojmë që autori i këtyre dramave dhe soneteve të jetë De Veri. Dhe problemi i fundit: Si ndodhi që autori i dramave të mendohej tregtari Shakspir? Gjithsesi kjo mund të shpjegohet si nga tri sqarimet, secila e dhënë pas vdekjes së Shakspirit dhe secila e dyshimtë. Për deri sa nuk bëhet fjalë për një përputhje jo të zakonshme ose për një publikim me paramendim, gjithnjë shkaktohen ngatërresa. Nuk jemi të sigurt në përgjigjen e kësaj pyetje, por më e besueshme është se ngatërresat janë shkaktuar nga familjarët e De Verit, kur rreth vitit 1620, vendosën të botonin veprat e tij të plota, duke ruajtur në fshehtësi emrin e autorit të vërtetë. Shkaqet ishin me të vërtetë të ngjashme: frika nga ndonjë skandal ose ndonjë motiv tjetër: premtimi për monark. Edhe të ishte gënjeshtër e plotë, ata vendosën të paraqisnin si autor një figurë tjetër. Shakspiri ishte zgjedhur pikërisht për ngjashmërinë e emrit. Veç kësaj, ky i fundit kishte vdekur disa vjet më parë, ndaj nuk mund të zbulohej gënjeshtra. Në Londër, thuajse ishte i panjohur, ndërsa në vendlindje pak veta mund të dyshonin për këto parregullsi. Në të vërtetë, është lehtë të gënjesh. Ben Xhonsoni, që është autori i parathënies së botimit të parë me vjersha, ka futur aty disa fjali të dyshimta, të paargumentuara ose, si të thuash, gënjeshtra të hapura, që njoftonin se autori rridhte nga Stratford on-Ejvn. Në një farë mënyre, ishte rregulluar që të vendosej aty edhe përmendorja me një mbishkrim me fjalë të dyshimta, ndonëse lavdëruese. Duke parë, se deri atëhere identiteti i Uilliam Shekspirit ishte ruajtur në fshehtësi, disa aluzione, se ai ka qenë tregtari nga Stratford on-Ejvn, ishin fare të kënaqshme për biografinë zyrtare. Në atë kohë, rrallëkush mendonte për verifikimin e të dhënave: atëhere interesimi për biografitë e shkrimtarëve fatkeqësisht ishte më i vogël se sot. Në kohën kur u shkrua biografia e parë e Shekspirit, në vitin 1709, ata që e dinin të vërtetën, tashmë kishin vdekur, ndërsa miti për autorësinë e Shekspirit nga Stratford on-Ejvn ishte forcuar.

Libri “100 personalitetet më të shquara të historisë” i autorit amerikan Majkëll Hart, bën fjalë për jetën dhe veprën e 100 pishtarëve më në zë të botës, që kanë bërë epokë, duke luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e historisë njerëzore.

Duke lexuar librin faqe pas faqe të shfaqen përpara syve beteja të rëndësishme luftarake, që kanë shkrirë fise e shtete e kanë krijuar perandori të mëdha, si ato të Romës, Persisë, Kinës etj; të shfaqen profetë, që me predikimet e tyre kanë zbutur gjakrat dhe atavizmat njerëzore; filozofë e politikanë, që kanë krijuar e zbatuar sisteme të ndryshme politike-shtetërore: shkencëtarë e zbulues, që me arritjet e tyre kanë rritur mjaft mirëqenien njerëzore; mjekë e studiues të kësaj fushe, që me ndihmesën e tyre kanë dyfishuar jetën njerëzore; “lundërtarë” të ajrit e të tokës; na shfaqen shkrimtarë, piktorë e muzikantë, që kanë ndikuar në edukimin estetik të ndjenjave njerëzore – e të gjithë këta kanë jetuar në vende e kohë të ndryshme, që nga antikiteti e deri në ditët tona.

Duke shpalosur jetën dhe veprën e pishtarëve më të mëdhenj të historisë, padashje, edhe vetë autori, Majkël Hart, është bërë një pishtar i tillë.

Për përzgjedhjen e qindëshes së parë të figurave më të shquara të historisë, autori është mbështetur në sugjerimet e marra nga grupe komisionesh të organizuara sipas fushave përkatëse, ndërsa renditjen e tyre në libër nuk e ka bërë sipas rendit kronologjik apo alfabetit, por sipas ndikimit të secilës figurë në zhvillimin e historisë njerëzore. Për këtë renditje, autori ka patur vështirësi të shumta, pasi mjaft nga figurat kanë qenë të dyzuara: Në të njëjtën kohë kanë qenë filozofë, udhëheqës fetarë apo politikanë; mjaft të tjerë kanë qenë edhe shkencëtarë edhe shpikës e kështu me radhë.

Por, me kulturën dhe dokumentacionin që zotëron, Majkëll Hart ka arritur të bëjë një klasifikim të besueshëm duke argumentuar shkencërisht renditjen e çdo figure në libër. Megjithatë, ky klasifikim është subjektiv dhe për këtë na le shteg vetë autori. Në variantin e parë të botimit të këtij libri në vitin 1978, ndonjë figurë ai e ka renditur pak më lart, se në variantin e librit që kemi në dorë.

Autori ka përfshirë si zë më vete Marksin dhe Engelsin, vëllezërit Rajt (Vilburn dhe Orvil), Isabelën i me Fernando V për shkak të ndikimit të njëjtë dhe të veprimtarisë së tyre të kryer në të njëjtën kohë.

Në libër mbizotërojnë dy grupe: shkencëtarë me 31 veta dhe pushtetarë e udhëheqës ushtarakë 30 veta. Aty ka edhe dy gra, të dyja mbretëresha. Pjesa më e madhe e këtyre personaliteteve janë nga Evropa.

Për hir të ndikimit të fuqishëm te njerëzit në kohën e vet, autori nuk është shmangur dot edhe ndonjë figure negative, si ajo e Hitlerit, për shembull, për shkak të të cilit kanë humbur jetën mbi 30 milionë njerëz.

Pavarësisht nga kriteret, që ka përdorur autori për klasifikimin e këtyre figurave, rëndësia e pamohueshme e këtij libri qëndron në njohuritë enciklopedike që merr çdo lexues. Dhe në këtë aspekt, lexuesi shqiptar, i etur aq shumë për dije e kulturë, ka shumë për të përfituar nga ky libër.

Oxygenpress.info në ditët në vijim do të sjellin edhe personazhet e tjera, me rradhë është Xhon Dalton.