Komisioni i Ndihmës Shtetërore miraton propozimin e hartës rajonale të Kosovës për periudhën 2021-2026

0
58

Komisioni i Ndihmës Shtetërore (KNSH), në mbledhjen e radhës të mbajtur të Premtën (28.08.20), miratoi propozimin për Hartën Rajonale për Ndihmën Shtetërore në RKS për periudhën 2021-2026, kërkesë që buron nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë.
Sipas MSA, Kosova në tërësi, për momentin konsiderohet si një rajon A, qe në terminologjinë e hartës rajonale të ndihmës shtetërore dhe bazuar në nenin 107 (3) (a) të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian (TFBE), nënkupton një ekonomi seriozisht të pazhvilluar, deri të paktën në prill 2021. Si rezultat, Kosovës i lejohet të shfrytëzojë limitet maksimale të ndihmës shtetërore për qëllime të aprovimit të ndihmës shtetërore për zhvillim rajonal dhe disa kategorive të tjera të ndihmës horizontale shtetërore.

Në propozimin e hartës rajonale, KNSH propozon që Kosova edhe më tutje, respektivisht gjatë periudhës 2021-2026, të trajtohet si Rajon A i vetëm respektivisht si nje ekonomi që ka BPV për kokë banori më pak se 75% të mesatares së BE-së në një nivel statistikor NNJTS II .

Një kualfikim i tillë lejon që Kosova të shfrytëzojë kufijtë maksimal të ndihmës shteterore për zhvillim rajonal.
Pasi që propozimi për hartë rajonale të Kosovës për periudhën 2021-2026 të aprovohet nga Komisionin Evropian, kjo hartë do të jetë publike në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës.

Aprovimi i këtij dokumenti është një hap përpara i përafrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian, duke përmbushur kështu kriteret e përcaktuara me MSA, dhe një sinjal i qartë i orientimin tonë për t’i respektuar obligimet ndërkombëtare të vendit tonë.

KNSH, në takimin e së premtes po ashtu ka analizuar edhe skemën “Masa lehtësuese zbritje e përkohshme e tarifave të shërbimeve të trajtimit të kufizuar në tokë në masë prej 30% – deri në mars 2021 në kontekstin e COVID-19”, e njoftuar nga Ministria e Financave / Departamenti Qendror i Partneritetit Publiko Privat.
Pas analizimit të gjitha fakteve KNSH, ka konstatuar se masa e njoftuar nga MFT/DQPPP, me titull “Zbritje e përkohshme e tarifave të shërbimeve të trajtimit të kufizuar në tokë në masë prej 30% – deri në mars 2021 në kontekstin e COVID-19” për të gjitha aviokompanitë që operojnë dhe synojnë të operojnë në ANP, NUK PËRBËN NDIHMË SHTETËRORE në kuptimin e nenit 3 paragrafi 1.1 të Ligjit nr. 05 / L-100 dhe nuk i nënshtrohet parimit të përgjithshëm të ndalimit.

Siç përshkruhet në dokumentet zyrtare, zbritja do te aplikohet për të gjitha Kompanitë Ajrore që operojnë në ANP “Adem Jashari”. Zbritja e propozuar është uniforme (pra jo diskriminuese) dhe në favor të kompanive ajrore dhe udhëtarit. Numri i kompanive ajrore aktive në ANP gjatë 7 muajve të parë të vitit 2020 ka variuar nga 16 në 3 avio-kompani (maj 2020), ndërsa viti 2019 është përmbyllur me mbi 2mil pasagjerë.