Masat kundër Covid-19, shkaku kryesor i moscaktimit të seancave gjyqësore për lëndët e krimit të organizuar

0
70

Bazuar në monitorimin sistematik që Drejtësia Sot u bën të gjitha gjykatave në Republikën e Kosovës, janë siguruar të dhëna që tregojnë se deri më tani në Gjykatat Themelore të Kosovës, janë në trajtim 52 lëndë të krimit të organizuar.

Vlen të theksohet se numri më i madh i këtyre lëndëve gjendet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në total 32, që pasohet nga Gjykata Themelore në Mitrovicë me 16 lëndë, si dhe Gjykata Themelore në Pejë me 2 raste. Kurse, me nga një lëndë të kësaj natyre janë të ngarkuara Gjykata Themelore në Ferizaj dhe Gjilan.

Mirëpo, përhapja e pandemisë COVID-19 në shumë vende të botës ashtu edhe në Kosovë, ka ndikuar në reduktimin e aktiviteteve në gjykatat e Republikës së Kosovës, të cilat e kanë shtyrë Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) që të marrë disa vendime lidhur me menaxhimin e kësaj situate të krijuar në sistemin gjyqësor.

Në kuadër të këtyre masave, kompetenca u ishte lënë gjyqtarëve të rasteve që të vendosin lidhur me mbajtjen ose jo të seancave që kanë të bëjnë me lëndët e krimit të organizuar, për faktin se në këto raste zakonisht kemi të bëjmë me një numër të madh të palëve në procedurë.

Hapësira e vogël në sallat e gjykimit si dhe numri i madh i pjesëmarrësve në seancat gjyqësore për rastet e krimit të organizuar përbejnë arsyen kryesore të mos caktimit të seancave gjyqësore për këto raste, për faktin se do të binin ndesh me rekomandimet dhe vendimet e institucioneve të shëndetësisë, për masat preventive kundër Covid-19.

Lidhur me trajtimin e këtyre lëndëve, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nga 12 marsi 2020 e deri më tani janë mbajtur 8 seanca gjyqësore, ndërsa janë shtyrë ose janë anuluar 9 seanca gjyqësore për rastet e krimit të organizuar.

Sa i përket gjykatave të tjera, me theks të veçantë ajo e Mitrovicës, edhe pse ka një numër të madh të lëndëve të krimit të organizuar, në bazë të të dhënave asnjëra prej tyre nuk ka mbajtur asnjë seancë gjyqësore, duke i respektuar kështu vendimet e KGjK-së lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Kujtojmë që KGjK-ja fillimisht, më 12 mars 2020, kishte kufizuar përkohësisht veprimtaritë gjyqësore ku përfshihet publiku, në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës, sipas vlerësimit të kryetarit të gjykatës dhe gjyqtarit të çështjes, ndërsa më 15 mars 2020 kishte vendos që të reduktohen esencialisht të gjitha aktivitetet në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të gjitha Gjykatat e Kosovës dhe të realizohen vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

Ndërsa, më datë 08 maj 2020, KGjK kishte marrë vendim lidhur me shtimin e punës në gjykata e vendit, ku përveç rasteve urgjente, gjyqtarët do të do të trajtonin edhe rastet tek të cilat nuk është e nevojshme pjesëmarrja e palëve dhe publikut në procedurë.

Së fundi, vendimi i Këshillit që mban datën 29 maj 2020, obligonte kryetarët e gjykatave për marrjen e masave për rifillimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në përputhje dhe respektim të plotë të masave për kufizimin e përhapjes së Covid-19.

Kështu, obligohen gjyqtarët që të fillojnë me trajtimin e lëndëve sipas prioriteteve ligjore dhe planit strategjik të përcaktuar nga KGJK. Gjatë kësaj periudhe seancat gjyqësore duhet të mbahen pa prezencën e publikut, me qëllim të evitimit të grumbullimit të njerëzve si dhe parandalimin e përhapjes së virusit./DrejtesiaSot