Rajmonda Bulku, e bukura e kinemasë shqiptare

0
911

Nga fundi i viteve 1970 u shfaqën në ekranin e madh shqiptar një grup aktoresh të reja, të kulturuara dhe të pasionuara që i dhanë ndriçim, risi dhe shkëlqim filmit shqiptar duke tërhequr vëmendjen dhe admirimin e spektatorëve.

Ndër këto aktore bëjnë pjesë: Raimonda Bulku, Eva Alikaj, Elvira Diamanti, Luiza Xhuvani, Anisa Markarian, Matilda Makoci etj. Por Rajmonda Bulku do të binte në sy me bukurinë e natyrshme që aq lehtë i përshtatej cdo roli. Rajmonda do të spikaste që në fillimet e saj në filmin e regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro “Dimri i fundit”.

 

Nën muzikën e Aleksandër Lalos, vajza me flokët e zeza dhe sytë plot jetë do të mbetej gjatë në kujtesën e publikut që do ta donte atë menjëherë. Më 1976-tën ajo do të ishte Meli, tek “Zonja nga qyteti” një personazh që vazhdon të jetë më i pëlqyer në ekrane edhe sot.

Vajza me fundet e prerë drejt deri tek gjunjët e flokët e gjatë, do të shkëlqente në rolin e vajzës së zonjës Ollga. Rajmonda Bulku vazhdoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në degën e dramës dhe filloi punë si aktore më 1 shtator 1985.

 

Veprimtarinë e saj në kinematografi e filloi, duke qenë ende në bankat e shkollës, me një interpretim të suksesshëm në filmin “Dimri i fundit” me regjisorët Ibrahim Muça, Kristaq Mitro, 1976, duke u nderuar me një medalje në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar në vitin 1976.

Ky film i hapi rrugën për një kariere të sigurt në filmin shqiptar, duke u bërë një aktore mjaft e njohur për spektatorin. Deri në vitin 1994 ajo interpretoi në rreth 18 role-të shumtën role kryesore- duke u nderuar me disa çmime në festivalet e filmit shqiptar.

 

Rolet e saj më të njohur në kinematografi janë: “Nusja dhe shtetrrethimi” (Nusja), 1978; “Duaje emrin tend” (1984) u nderua me Kupën e Festivalit V për rolin e Jonës; “Të paftuarit” (Diana), 1985; “Dhe vjen një ditë” (Klara), 1986; “Vrasje në gjueti” (Lida), 1987; “ Muri i gjallë” (Gelina), 1989; “Vitet e pritjes” (Magda) e nderuar me Çmim të Parë në Festivalin IX-1990; “Vdekja e kalit” (Meri), 1991; “Nekrologji” (Madhëria e saj), 1994.

 

Filma të tjerë: “Zonja nga qyteti” (Meli), 1976; “Gunat përmbi tela” (Nusja), 1977; “Ballë për ballë” (Zana), 1978; “Emblema e dikurshme” (Mësuese Ana), 1979; “Një shoqe nga fshati” (Meli), 1980; “Kërcënimi” (Ema), 1981; “Gabimi” (Mamaja), 1986; “Binarët” (Keti), 1987; “Një djalë dhe një vajzë” (Koreografe), 1990; “Ngjyrat e moshes” (Saimira), 1990.

 

Paralelisht ajo ka interpretuar dhe vazhdon të interpretojë shumë role në Teatrin Kombëtar, në Tiranë. Ne vitet 2009-2013 u zgjodh deputete e Partise Demokratike ne Parlamentin shqiptar. Pas politikës ajo I është kthyer sërish pasionit të saj të përhershëm aktrimit, duke e parë në disa role në skenën e Teatrit Kombëtar.

 

Për interpretimin e rolit të Dianës në filmin “Të paftuarit” u nderua me Medalionin e Festivalit të Shtatë të Filmit Artistik Shqiptar.