Caktohet arrest shtëpiak ndaj dy të dyshuarve që sulmuan zyrtarët policor

0
101

Gjykata Themelore në Pejë përmes një komunikate për media ka njoftuar se i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, dy të dyshuarve për shkak të veprës sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas kësaj komunikate ndaj të pandehurve A.R dhe B.GJ., ekziston dyshimi i bazuar se “Me datë 13.08.2020, rreth orës 23:50, në oborrin e QKMF-së në Pejë, në bashkëkryerje sulmojnë personat zyrtar të Policisë lidhur me detyrat zyrtare duke i’u shkaktuar lëndime të lehta trupore”.

Tutje sipas komunikatës, “Derisa policia ishin në zbatim të planit operativ “Covid-19”, e ndalojnë veturën që e drejtonte i pandehuri B.GJ., i cili ju thotë policëve se e ka nënën e sëmurë dhe duhet t’a dërgojë te mjeku, me ç’rast policia ja merr lejen e qarkullimit dhe e lejon të lëvizë duke i kërkuar që t’a sjellë raportin mjekësor por vetura shkon në drejtim tjetër dhe kur arrin te pika tjetër e kontrollit, nuk ndalet dhe të dëmtuarit nisen pas tij ku i pandehuri fillon t’i fyej dhe i sulmon duke ju shkaktuar lëndime trupore”.

Lidhur me këtë vendim palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, thuhet në fund të komunikatës.