Bie numri i ndërmarrjeve ekonomike të regjistruara në Kosovë

0
82

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Repertorin Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë për tremujorin e dytë (TM2) 2020.

Në TM2 2020, gjithsej janë regjistruar 2 033 ndërmarrje. Krahasuar me tremujorin paraprak (TM1 2020) ka një rënie prej (-12.03%) të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar TM2 2020 me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2019) ka rënie prej (-23.4%) të ndërmarrjeve të regjistruara.

Për sa u përket aktiviteteve ekonomike, më të preferuarat gjatë këtij tremujori ishin: tregtia me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 488 ndërmarrje të regjistruara (24%); ndërtimtaria me 328 ndërmarrje të regjistruara (16.1%); prodhimi me 309 ndërmarrje të regjistruara (15.2%); akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 191 ndërmarrje të regjistruara (9.4%); aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 189 ndërmarrje të regjistruara (9.3%), etj.
Në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 1 963 ndërmarrje të regjistruara, në këtë tremujor (96.6%); me 5 deri 9 të punësuar janë 53 sosh (2.6%); me 10 deri në 19 të punësuar janë 11 ndërmarrje të regjistruara (0.5%); me 20 deri 249 të punësuar janë 6 ndërmarrje të regjistruara (0.3%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka ndonjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.

Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave prin Komuna e Prishtinës me 551 ndërmarrje të regjistruara (27.1%); Ferizaj me 164 ndërmarrje të regjistruara (8.1%); Prizreni me 153 ndërmarrje të regjistruara (7.5%); Peja me 127 ndërmarrje të regjistruara (6.2%); Gjilani me 110 ndërmarrje të regjistruara (5.4%); dhe Gjakova me 108 ndërmarrje të regjistruara (5.3%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.