“Kur ti të rritesh bija ime!”

0
404

Nga EJLIN

Gjërat të cilat dua qe ti BIJA ime ti dish, kur të rritesh edhe pak!
Kur mora vesh se një krijesë e vogël po rritej brenda meje, sigurisht mendimi I parë ishte që të ishte një bebush I shëndetshëm. Pastaj me kalimin e muajve, shpresoja dhe lutja Zotin që të ishte nje vajzë. Dhe ashtu ndodhi. Vajzë dhe e shëndetshme. ZOT FALEMINDERIT!
Koha fluturon dhe papritur e gjen veten, mes mijëra pikëpyetjeve, të cilave nuk e di nëse je duke ju përgjigjur ashtu sic duhet. Tek e shoh tani të shtrirë aty tek krevati I saj I vogël rozë, veshur me pizhamat e saj me princesha, ku vendimi më I rëndësishëm I saj është të flejë apo të luajë ende, mendoj: “Si po të rris bija ime?”
Me vjen ne mendje një shprehje që thote : “Nëse edukon një mashkull, ke edukuar vetëm një individ. Nëse edukon një femër, ke edukuar gjithë shoqerinë.” Pra është një përgjegjësi e madhe, dhe jo vetëm kundrejt teje.
Ti je ne atë moshë ku ende nuk e di ndryshimin midis një djali dhe një vajze, ku ende nuk e di nëse kur e ke thënë një fjalë ke lënduar njeri, ku nuk të intereson nëse ha apo jo, mjafton të kesh mundësinë të luash. Je në një moshë të atillë që nuk të intereson nëse ke apo jo një trup perfekt, ku modeli që kanë marrë flokët e tua në mëngjes është në listën e gjërave që nuk të shqetëson aspak.
Do të dëshiroja që të qëndroje po kaq e pafajshme, kaq e pastër, përgjithnjë, por e di që kjo nuk mund të ndodhë. Ajo nuk do të ndodhë. Është ligji I natyrës.
Je në moshën (gati) 4 vjecare, por shumë shpejt do të vijë dita ku do të gjendesh mes udhëkryqesh, dhe do të duhet të zgjedhësh, dhe këtë do e bësh bazuar në të gjitha ato gjëra që unë të mësova gjatë jetës. Pra, gjithsesi, edhe nëse diku gabon dicka bija ime, është patjetër edhe faji im, është më shumë faji im!
Shumë shpejt do të duhet të përballesh me jetën e vërtëtë bijë, me botën, me djemtë, me besimin, me presionin, me krahasimin, me situata të tjera të trazuara të cilat janë të pashmangshme.
Të gjitha këto do të bëhen të vërteta, shumë shpejt. Dhe unë kam ende shumë gjëra për të të mësuar, kam akoma miliona gjëra të cilat ende nuk ti kam mësuar. Dua bija ime, që ti të ndjekësh keshillat e mamit, jo sepse mami është perfekte dhe nuk gabon kurre, por sepse ti meriton të mos bësh gabime, meriton të mos vuash, meriton të jesh e lirë.
Duhet të kuptosh që je e bukur dhe mos u shqetëso për përmasat e tua. Ti je e bukur, pavarsisht të gjithave. Ti ke një shpirt të bukur, ke një zemer të madhe, dhe kjo është thelbësorja. Kënaqu me trupin që ke, bëj vrap apo ushtrime fizike nëse ty të pëlqen. E nëse stë pëlqen kjo gjë, mos e bëj. Bëj dicka tjetër që do të bënte të ndiheshe mirë. Përmasat e tua nuk janë ato që tregojnë kush je ti në jetë (vetëm nëse kërkon të bëhesh modele zemra ime, atëherë po).
Thuaj ‘vafsh në djall’ kur duhet thënë. Thuaje me sytë e tu, me veprat e tua, thuaje me mëndjen tënde, ose thuaje me zë te lartë. Thuaje si të duash, vetem kujdesu që ta thuash kur e ndjen. Thuaje kur nuk të respektojnë, thuaje kur të diskriminojnë, kur të neglizhojnë, thuaje kur dikush nuk të trajton ne mënyren që ti duhet të trajtohesh, thuaje kur dikush të prek në një mënyrë që nuk të pëlqen. THUAJE. Dhe sigurohu që personi të cilit po ja thua ta ketë kuptuar qartë.

Kënaqu, shijoje jetën, për vete, jo për të tjerët. Bli rroba të reja, pi caj, ha cokollata, bëj masazhe, bëj shpesh pushime, përdori pjatat e mira, ndiz qirinj, ha ushqimet e preferuara, fli, vishu si të pëlqen, pikturo nëse të pëlqen, edhe pse nuk di të pikturosh. Edhe nqse ti je I vetmi person qe e shijon këtë, bëje. Nuk ke përse ti ruash këto gjëra vetëm për njerezit e tjerë. E rëndësishme është që ti do të ndihesh e lumtur. Jo gjithmonë njerëzit të vlerësojnë nëse bën dicka. Kështu që bëje per vete. Ndihu e lumtur TI.
Mos e detyro veten të bësh dicka që nuk ke dëshirë ta bësh. Nëse një ditë nuk dëshiron të shkosh në punë, mos shko. Nëse një I njohur të bën të ndihesh keq, thuaja, dhe nëse e bën sërish, largohu prej tij, mos I jep një shans të tretë. Mos e lexo një libër nëse nuk ke dëshirë. Mos shko në një ditëlindje ku nuk do ndiheshe komode. Mos vish nje veshje të ngushtë vetëm se të tjerët e bëjnë këtë, por vetëm nëse ti ndihesh mirë në të. Mos vish këpucë me taka vetëm që fustani të duket bukur, edhe me atlete është po njëlloj I bukur më beso! (sdo të dhëmbin as këmbët në fund të ditës). Nëse nje ditë madje, sdo duash të veshësh recipeta, mos I vish, quaje si dita jote ndërkombëtare pa recipeta  Nëse një ditë do të njohësh një djalë, mos ndrysho kurrë për të. Dikush dashurohet me ty për atë qe je, jo për atë që ti do të bëhesh. Por edhe nëse do të duash të njohësh një vajzë, atëherë, mbyll sytë dhe shih brenda zemrës, e nëse ajo të thotë që është e duhura për ty, dhe të bën të lumtur, atëherë njihe. Vërtet Zoti krijoi Adamin dhe Even, por I tha Adamit që të mos e hante mollën e ndaluar. Edhe ai kishte mundësinë të zgjidhte midis qindra frutave të tjera, por nuk e bëri, prapë frutin e ndaluar hëngri  Nuk është e gabuar ajo që të thonë të tjerët që është e gabuar, e gabuar është të mos ndjekësh zemrën, të kalosh jetën me një njeri që nuk e do, që të bën të ndihesh keq. Kjo është e gabuar!
Do të ketë ditë që do të ndihesh mirë, do të ketë ditë që do të ndihesh keq, dhe do të duket sikur e gjithë bota pot e përmbytet. Do kërkosh arsyet,do fajësosh veten dhe të tjerët.
E nqse dikush të thyen zemrën, nëse ndihesh keq, nëse një fjalë e thënë nga dikush, s’të bën të ndihesh mirë, qaj, bërtit, nxirre zemërimin. S’ka asgjë të keqe të jesh e ndjeshme!Shprehe gjithcka që ke brenda, do ta shohësh se më pas do të ndihesh më mirë. Largohu nga njerëzit e këqinj. Thuaju gjithcka ke për tju thënë dhe largohu, dhe mos u jep shansin të të lendojnë sërisht.
Dije bijë se nuk ka ndonjë kurë magjike për tu ndjerë më mirë dhe se nuk do të kalojë as me një kërcitje të gishtave. Ti ulu, merr frymë thellë, mbyll sytë, dhe prit sa stuhia të kalojë. Por mbi të gjitha, fol, fol me mua bijë. Do ta gjej gjithnjë mënyrën për të të ngushëlluar. Do të përqafoj fort fort në kraharorin tim, dhe do të harrosh gjithcka, të premtoj bijë.
Ti ke shumë vlera, dhe jo se je bija ime, por sepse do arrish në jetë gjithcka që ti do, sepse ke force, sepse ke dashurinë ke një zemër të madhe dhe po të jepet nje mundësi të jetosh jetën sic do ti (është një mundësi që u mohoet shumë njerëzve)
Edhe nëse gabon, mos u merzit, ktheje këtë në forcë, mëso nga ky gabim. Ktheje në dicka positive.
Jeta nuk është aq e lehtë bijë, por shihe me pozitivitet. Kur jeta nuk shkon ashtu sic ne duam, kur është rrëmujë, ka dicka që mund të bësh, vish veshjen tënde më të bukur, bëj tualet, buzeqesh, dil ………dhe…………sfidoje……..