Tym, zjarr dhe kundërmim në Gjakovë që disa javë, sqaron kryetari i kësaj Komune

0
54

Nga Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës

Pas rreth tre jave të ekspozuar nga tymi ngulfatës për shkak të djegjes së mbeturinave në Qendrën Transfer, sot jam krenar që jemi në gjendje të trajtojmë dhe zgjidhim këtë problem disa- dekadash një herë e mirë.

Komuna është angazhuar që me urgjencë të bëj zgjidhje për këtë situatë. Pas sigurimit të mjeteve nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit respektivisht ministri Blerim Kuqi, me procedura emergjente është përzgjedhur operatori që do ta bëj pastrimin e tërësishëm të zonës.
Në bazë të një plani dinamik, kjo pjesë, përfshirë të gjitha mbeturinat do të pastrohet në tërësi në një afat prej 40 deri 50 ditë. Operatori do të punojë pa ndërprerë, 24 orë në ditë, ndërsa gjatë tërë kohës do të asistohet nga punëtorët e KRM “Çabrati”, zjarrfikësit dhe pjesëtarët e policisë, të cilët do ta bëjnë sigurimin e plotë të zonës.
Në qytetin e Gjakovës mund të ketë tym dhe erë të keqe edhe për 2 apo 3 ditë, për shkak të rrëmihjes së mbeturinave dhe djegies së vazhdueshme të tyre, por lajmi i mirë është që ky problem do të marrë fund një herë e përgjithmonë dhe atë shumë shpejtë.

Kjo temë tashmë është edhe subjekt i hetimeve penale dhe kriminale, pasi ekzistojnë dyshime të bazuara se zjarrvënja ka qenë e qëllimshme dhe për këtë, është obligim i institucioneve që shkaktarët e këtij kaosi mjedisor të dalin para drejtësisë.
Kërkoj mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës, duke bashkëndjerë me ta edhe unë bashkë me familjen time pasi të gjithë jemi të prekur nga ndotja e ajrit.