“Pezullimi i procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë është tregues i degradimit që vazhdon t’i bëhet sundimit të ligjit në Kosovë”

0
53

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka kërkuar ndër vite fillimin e një procesi vetingu në sistemin e drejtësisë, me qëllim që të largohen elementet e kapjes mbi të, duke garantuar kështu që figura e gjyqtarëve dhe prokurorëve i nënstrohet parimeve të profesionalizmit, integritetit, pastërtisë së pasurisë e të kaluarës. Së fundmi, Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria kanë vendosur të ndalin procesin dizajnimit të vetingut, duke shpikur kështu një proces kinse të reformës në sistemin e drejtësisë në vend të vetingut të gjyqtarëve e prokurorëve. GLPS vlerëson që një tendencë e tillë e Qeverisë është padiskutim e gabuar, dhe do të sjell më shumë mjegull sesa qartësi në lidhje me nevojën për një veting ndaj gjyqtarëve e prokurorëve në Kosovë.

Sic është theksuar në dhjetëra raporte ndërkombëtare e vendore, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka probleme serioze me mekanizmat e përgjegjësisë, në shumë raste, probleme serioze me figuren dhe pastërtinë e gjyqtarëve e prokurorëve te caktuar dhe drejtuesve të sistemit, dhe në kuptimin statistikor, ka probleme serioze me performancën në raport me dënimin e figurave të larta të krimit të organizuar e korrupsionit politik. Fakti që ende nuk ka një numër dënimesh serioze ndaj figurave të larta të krimit të organizuar e korrupsionit është tregues i mjaftueshëm për defektet dhe cilësitë e munguara që janë prezente në sistëmin e drejtësisë. GLPS në vazhdimësi ka argumentuar që rrënjët e dukurive të tilla nuk janë të lidhura me organizimin, strukturat, apo faktorët infrastrukturor ligjor. Ato janë para së gjithash të lidhura me figurën, guximin dhe profesionalizmin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nxjekin e gjykojnë këto raste gjyqësore.

Rrjedhimisht, një proces vetingu në sistemin e drejtësisë është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë një reforme serioze në fushën e sundimit të ligjit. GLPS beson që hisedarë të këtij procesi, dhe bartës praktik të tij, nuk mund të jenë ata që duhet t’i nënshtrohen vetingut. Plani i Minstrisë së Drejtësisë që të dizajnoj – pa asnjë nevojë – një reformë në sistemin e drejtësisë me figurat e larta të vet këtij sistemi është paradoks dhe tautologji. Si mund t’i lësh në dorë dizajnimin e një procesi të tillë atyre që duhet thirrur në përgjegjësi për këtë gjendje? Apo mos Qeveria dëshiron që përmes kinse reformave t’i mbroj ata që duhet të thirren në përgjegjësi për këto dështime?

GLPS i kërkon Qeverisë që të fus në axhendë primare të saj një proces vetingu që do të kishte për qëllim kontrollin e përshtatshmërisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve sa i përket pastërtisë, profesionalizmit dhe të kaluarës së tyre. Një proces i tillë do të duhej dizajnuar në formë të tillë që elementi ndërkombëtar, konsensusi politik dhe garancionet e forta ligjore për paanshmëri e pavarësis të trupave vetues të ishin emëruesit e përbashkët të tij. Asgjë më pak sesa kjo nuk është e pranueshme. Cdo tendencë për të dizajnuar një kinse reformë tjetër është qartazi e qëllimshme për t’i ofruar mbrojtje papërgjegjësisë dhe inkriminimit të figurave brenda sistemit të drejtësisë. Prandaj, i kërkojmë Kryeministrit Hoti dhe Ministrit Selimi që të reflektojnë mbi këtë thirrje dhe të mos lejojnë degradimin e mëtejshëm të nevojës serioze për një veting substancial në sistemin e drejtësisë.