Vaksina e Oksfordit rezultoi e suksesshme, testimi tek njerëzit tregon se ka krijuar antitrupa kundër coronavirusit

0
142

Një vaksinë kundër coronavirusit e zhvilluar në Universitetin e Oksfordit është e sigurt dhe mund të trajnojë sistemin imunitar për të mbrojtur trupin nga një infeksion.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, testimi i cili u krye me 1,077 persona rezultoi se injeksioni çoi në krijimin e antitrupave dhe qelizave të bardha që mund të luftojnë coronavirusin.

Megjithëse gjetjet janë jashtëzakonisht premtuese, ende është herët të dihet nëse vaksina mjafton për të ofruar mbrojtje kundër sëmundjes, derisa edhe testime të mëdha janë duke u zhvilluar.

Siç thuhet më tej, Mbretëria e Bashkuar tashmë ka porositur 100 milionë doza të vaksinës.

Ndryshe, numri i përgjithshëm i të prekurve nga coronavirusi në botë u rrit në 14.5 milionë, ndërsa 606 mijë persona kanë ndërruar jetë.

Përveç masave të izolimit, dhe rregullave të tjera të distancimit shoqëror, ekspertët thonë se një vaksinë e efektshme e coronavirusit mund ta mposht pandeminë.

Si funksionon vaksina?

Vaksina e quajtur “ChAdOx1 nCoV-19” po zhvillohet me një shpejtësi të paparë.

Ajo është bërë nga një virus që shkakton ftohjen e zakonshme në shimpanze – sakaq ajo nuk mund të shkaktojë infeksione tek njerëzit.

Shkencëtarët në kuadër të udhëzimeve gjenetike në shënjestër kishin proteinën specifike të coronavirusit, mjetin kryesor që përdor ai për pushtuar qelizat tona.

Kjo do të thotë se vaksina i ngjan coronavirusit dhe sistemi imunitar mund të mësojë se si ta sulmojë atë.

A është e sigurt?

Vaksina është e sigurt, mirëpo posedon edhe afektet anësore.

Megjithëse këto efekte anësore nuk janë edhe aq të rrezikshme, 70 për qind e njerëzve në testim zhvilluan ethe ose dhimbje koke.

Studiuesit thonë se kjo do të mund të menaxhohet me paracetamol.

Ndërkohë Sarah Gilbert nga Universiteti i Oksfordit thotë se ende ka shumë punë, përpara se ekipi ta konfirmojë se vaksina mund të menaxhojë pandeminë e COVID-19, mirëpo këto rezultate sipas saj janë mjaft premtuese.

Cili është hapi i radhës?

Rezultatet e deritanishme janë mjaft premtuese, por qëllimi i tyre kryesor është të sigurojë që vaksina të jetë mjaft e sigurt për njerëzit.

Studimi nuk potencon nëse vaksina mund të parandalojë sëmundjen apo edhe të zvogëlojë simptomat e COVID-19.

Më shumë se 10 mijë njerëz do të marrin pjesë në fazën tjetër testuese të vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar.

Sidoqoftë, testimi është zgjeruar edhe në vendet e tjera, pasi niveli i coronavirusit është i ulët në Mbretërinë e Bashkuar, duke e bërë të vështirë të dihet nëse vaksina është efektive.

Me këtë rast do të bëhet një testim më i gjerë, i cili do të përfshijë rreth 30 mijë persona në SHBA, 2,000 të tjerë në Afrikën e Jugut dhe 5,000 persona në Brazil.