Mungon e akuzuara për deklarim të rrejshëm dhe falsifikim të dokumentit për përfitim të pensionit të veteranëve

0
108

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, pranë Departamentit të Përgjithshëm, është shtyrë shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarës V.K., nga Gjakova, e cila po akuzohet për deklaratë të rrejshme dhe falsifikim të dokumentit, më qëllim të përfitimit të pensionit në Zyrën për Çështje të kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së, raporton ”Drejtësia Sot”.

Gjyqtari Drilon Haraçia, me të filluar seanca njoftoi se nuk ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës, për arsye se mungonte vet e akuzuara V.K. Sipas gjyqtarit Haraçia, bashkëshorti i të akuzuarës ishe paraqitur në gjykatë, ku kishte njoftuar se V.K., nuk mund të merrte pjesë në seancën e sotme, për shkak se e njëjta ndodhej në Shqipëri.

Andaj, gjyqtari Haraçia njoftoi se seanca e radhës do të mbahet me datën 29 korrik 2020.

Ndryshe, Drejtësia Sot njofton se e akuzuara V.K., në datën 4 maj 2018 në Gjakovë, duke qenë në cilësinë e palës në procedurën administrative, më vetëdije paraqet deklaratë të rreme më qëllim të përfitimit të pensionit në Zyrën për Çështje të kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së. E njëjta jep deklaratë të rreme se kinse ka qenë e regjistruar si ushtare aktive e armatosur nga Shtabet Operative të UÇK-së në Zonën ë Dukagjinit deri në përfundim të luftës, ku në bazë të kësaj deklarate arrin të realizoj të drejtën për pension të veteranit luftëtar.

Me këto veprime e akuzuara ka kryer veprën penale deklarim i rrem nga neni 392 par.2 të KPRK-së.

Më tutje, aktakuza shpjegon se e akuzuara V.K., si aplikuese për pensionin e veteranit të luftës, me dije e përdorë dokumentin e falsifikuar dhe atë vërtetimin e datës 28 maj 2018 të Zyra për Çështje të kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së në Prishtinë, ku të njëjtin dokument e dorëzon në Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale-Departamenti për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile.

Me këto veprime e akuzuara ka kryer veprën penale falsifikim i dokumentit nga neni 398 par.2 të KPRK-së./DrejtesiaSot