Isa Mustafa propozon shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë së LDK-së

0
76

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka propozuar që të shkarkohet Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe kryesisë së këtij subjekti politik.

Mustafa e ka bërë këtë përmes një letre drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku ka kërkuar votimin për shkarkimin e Osmanit.

Mustafa, në letrën dërguar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, i ka uruar ata për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti.

Më tej në letër ka përmendur se tre deputetë të LDK-së, Vjosa Osmani, Fatmir Rexhepi dhe Haxhi Avdyli kanë votuar kundër Qeverisë, kurse në seancën e Kuvendit, në të cilën u votua mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, Osmani në kundërshtim me qëndrimin e Kryesisë së LDK-së, bëri apel të mos votohet mocioni.

Mustafa ka thënë se Osmani vazhdoi publikisht me kundërshtimin e koalicionit aktual i cili përbën Qeverinë Hoti.

Kreu i LDK-së thotë se Osmani iku nga përgjegjësia për ta drejtuar seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së drejtuar nga LDK-ka.

“Si Kryetar i LDK-së e kam për obligim të kujdesem për zbatimin e Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rrjedhimisht për zbatimin e vendimeve të organeve të LDK-së. Ju përkujtoj se Statuti i LDK-së në nenin 14, pika 14.2 shprehimisht thotë: ‘Anëtarët e LDK-së nuk mund të jenë në pozita, organe dhe forume të LDK-së, nëse ata publikisht refuzojnë dhe i mohojnë vendimet e organeve dhe forumeve, anëtarë të të cilëve janë’. Organet e LDK-së, sipas Statutit janë: Kuvendi i LDK-së, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Kryetari i LDK-së dhe Kryesia e LDK-së; pastaj Forumi i Gruas së LDK-së dhe Forumi Rinor i LDK-së”, thuhet në letrën e Mustafës.

Kreu i LDK-së ka kërkuar që Avdullah Hoti të marrë pozitën e Vjosa Osmanit, si nënkryetar i partisë.

Mustafa ka kërkuar që anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të votojnë sot deri në orën 19:00 në mënyrë elektronike.