Grenell: Shkëmbimi i territoreve s’është politikë e Trumpit, por e John Boltonit

0
47

Përfaqësuesi i Posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell, ka zbuluar për herë të parë se ideja për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ishte e John Boltonit.

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Sigurisë John Bolton, me të cilin Donald Trump ka pasur vazhdimisht përplasje dhe kur pas disa muajve e shkarkoi, ishte personi i cili ndiqte politikat e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Bolton i cili u takua edhe me kryediplomatin serb Ivica Dacic në Amerikë, ishte personi që deshi shkëmbim territoresh mes dy vende si arritje e marrëveshjes përfundimtare.

Lajmin e ka deklaruar sot Richard Grenell për Fox News, duke thënë se ai po e lufton këtë ide të dikurshme të Boltonit dhe se po e bartë mesazhin se kjo politikë nuk është e presidentit të SHBA’ve, Donald Trump.

“Kur bëhet fjalë për Kosovën dhe Serbinë, përfaqësuesit e të dyja shteteve do t’i kemi bashkë në Shtëpinë e Bardhë të shtunën e ardhshme për të folur për një lëvizje dhe marrëveshje historike. Në ndërkohë që unë jam duke luftuar vazhdimisht për thashethemin për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Grenell

“Dhe, kjo nuk është politikë e [Donald] Trump, por kur gërmoni më thellë të dyja palët do të thonë ‘Mirë, kjo është ajo çfarë John Bolton ka thënë’. Unë jam duke luftuar të gjitha thashethemet që vazhduan, për shkak që [John] Bolton po ndiqte politikën e tij, dhe jo të presidentit Trump”, tha Grenell.

Kujtojmë se Kosova dhe Serbia do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë ku pritet të diskutohet për rifillimin e dialogut. Grenell ka bërë një deklaratë ku thotë se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Në foton e mëposhtme e keni John Bolton dhe Ivica Dacic në një takim në Amerikë.