Kryeministri në detyrë Kurti bashkë më ministrat e tij prezantuan ​të arriturat e 100-ditëshit qeverisje

0
55

Nën kryesimin e kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbledhja e 31-të e Qeverisë.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Kurti, ka folur për 100- ditëshin e punës së Qeverisë, ku ka shpalosur të arriturat, rezultatet dhe vendimet e marra gjatë kësaj periudhe.
“Siç e dini, është praktikë dhe traditë në çdo demokraci parlamentare që një qeveri e re të ketë 100 ditë kohë të tregojë modelin e saj qeverisës dhe vizionin e saj programor. Kjo praktikë respektohet në çdo vend nga opozita, mediat por edhe nga kritikët dhe ekspertët. Tek ne kjo nuk u respektua. Por ndoshta pikërisht nga fakti që kjo traditë nuk u respektua, flet shumë për punën tonë”, tha fillimisht kryeministri në detyrë Kurti.

Më tej, kryeministri në detyrë Kurti, tha se është zgjedhur kryeministër në një kohë kur në secilin sondazh për 10 vjetët e fundit, qytetarët kanë listuar korrupsionin dhe papunësinë si problemet kryesore të tyre dhe një ndër arsyet kryesore përse ata kanë lëshuar vendin.

“Pra korrupsion i lartë qeveritar dhe papunësi e lartë qytetare, ose mjerimi dhe varfëria e madhe e qytetarëve në njërën anë dhe korrupsioni e zhvatja e buxhetit të qeveritarëve nga ana tjetër. Prandaj ndryshe edhe s’kishte si të ndodhte sepse prioritetet e kësaj qeverie ishin përcaktuar nga vetë qytetarët me 6 tetor. Menjëherë pas zgjedhjes së qeverisë me 3 Shkurt, pa humbur kohë, kemi filluar me veprime dhe vendime në luftimin e korrupsionit, ndaljen e keqpërdorimit dhe humbjes së parasë publike si dhe shkapjen e shtetit”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Pas fjalës së kryeministrit në detyrë Kurti, ministrat e kabinetit qeveritar kanë shpalosur po ashtu rezultatet dhe të arriturat e tyre përgjatë 100-ditëshit qeverisje.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti për 100-ditëshin e punës së Qeverisë

Të nderuar ministra, kabinet qeveritar, të dashur qytetarë.

Më lejoni të filloj këtë fjalim me disa shënime.

– Sot është përvjetori i masakrës së Korishës andaj sot kujtojmë viktimat e asaj kohe të asaj dite të kobshme para 21 vjetësh.

– Së pari, Dua të filloj këtë takim duke shprehur ngushëllimet e mia për të gjitha familjet që kanë humbur të dashurit e tyre në këtë pandemi dhe të shpreh mbështetjen time dhe të qeverisë për të gjithë ata që janë të shtrirë në spital duke luftuar me virusin covid 19. Mendjet tona janë me ata.

– Deri më tani kemi 919 të infektuar, 671 të shëruar, të vdekur 29 dhe 219 raste aktive. Pra më shumë se trefishin e rasteve aktive, i kemi të shëruar. E megjithatë virusi nuk është zhdukur. Masat e qeverisë duhet respektuar dhe lëvizjet duhet të reduktohen. Shpallja e fitores ndaj virusit është veprim i ngutshëm dhe në kundërshtim me udhëzimet e institucioneve shëndetësore të cilat tashmë kanë prezantuar fazat e hapjes së ekonomisë. Komunat kanë bërë një punë të mirë duke bashkëpunuar me institucionet qendrore, por këtë duhet ta vazhdojnë dhe të ruhen nga deklarata që nxisin qytetarët në mospërfillje.

Pjesëmarrjen masive në zgjedhjet e 6 tetorit të shprehu nga qytetarët për ndryshim të ne bashkërisht e kthyem në qeveri të reformave me 3 Shkurt dhe sot janë bërë 100 ditë të punës së qeverisë .

Siç e dini, është praktikë dhe traditë në çdo demokraci parlamentare që një qeveri e re të ketë 100 ditë kohë të tregojë modelin e saj qeverisës dhe vizionin e saj programor.

Kjo praktikë respektohet në çdo vend nga opozita, mediat por edhe nga kritikët dhe ekspertët.

Tek ne kjo nuk u respektua.

Por ndoshta pikërisht nga fakti që kjo traditë nuk u respektua, flet gjithashtu jo pak për punën tonë.

Unë jam zgjedhur kryeministër në një kohë kur në secilin sondazh për 10 vitet e fundit, qytetarët kanë listuar korrupsionin dhe papunësinë si problemet kryesore të tyre dhe një ndër arsyet kryesore përse ata kanë lëshuar vendin edhe në paqe edhe pas pavarësisë.
Pra korrupsion i lartë qeveritar dhe papunësi e lartë qytetare, ose mjerimi dhe varfëria e madhe e qytetarëve në njërën anë dhe korrupsioni e zhvatja e buxhetit të qeveritarëve nga ana tjetër.

Prandaj ndryshe edhe s’kishte si të ndodhte sepse prioritetet e kësaj qeverie ishin përcaktuar nga vetë qytetarët me 6 tetor të vitit të shkuar.

Menjëherë pas zgjedhjes së qeverisë me 3 Shkurt, pa humbur kohë, kemi filluar me veprime dhe vendime në luftimin e korrupsionit, ndaljen e keqpërdorimit dhe humbjes së parasë publike si dhe shkapjen e shtetit nga shpërdorimi e zhvatja.

E në këtë drejtim dua të shpjegoj pak më ndryshe punën e mirë dhe të madhe të bërë nga kabineti ynë qeveritar bashkërisht.

Puna që kemi bërë duhet parë nga dy veprime që ndërthuren me njëra tjetrën.

Veprimi i parë ishte marrja e një sërë vendimesh të cilat kishin për qëllim që të ndalonin humbjen dhe keqpërdorimin e parasë publike.

Vendime të tilla ishin, zvogëlimi (ulja) i kabinetit qeveritar; ulja e pagave përgjysmë për qeverinë, pa prekur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ulja e shpenzimeve dhe privilegjeve.

Përmes këtyre vendimeve jemi duke ndalur një praktikë ku qeveritë e kaluara i përdornin taksat e qytetarëve për të zgjidhur problemet e tyre familjare e partiake por edhe për të krijuar një klientelë të cilën zakonisht e përdornin kur vinte koha e zgjedhjeve. Në fillim këtë e përdornin përmes mbushjes së pozitave në administratë publike. Por kur ajo u stërmbush, filluan me e zgjeru e me rrit qeverinë sepse nuk i nxinte.

Formula ishte, ti veç siguromi votat e unë të shpërblej me një pozitë në qeveri.

Një qasje e zvetënuar dhe primitive ku qeveria dhe buxheti i shtetit trajtoheshin pamëshirshëm e papërgjegjshëm sikur të ishin para të fituara nga ndonjë kartel i drogës e jo nga djersa e qytetarëve.

– Mbet dikush i partisë pa punë e pa pozitë? Shtoje një ministri qaty, nja 5 zëvendës ministra e nja 20 këshilltarë, shtoi edhe do shofera e asistenta edhe ja, e rehaton një degë të partisë.

– Paska mbet edhe ndonjë familjar e kushëri pa punë? pa problem, hape një konkurs në administratë të shtetit edhe rehatoje edhe ata.

Shteti dhe paraja publike shiheshin më shumë si plaçkë që duhet shfrytëzuar e jo si vend ku duhet promovuar vlerat e përbashkëta të shoqërisë.

Prandaj në këtë drejtim duhet me e pa edhe zvogëlimin e kabinetit qeveritar por edhe uljen e pagave. Duke e zvogëluar kabinetin po mundohemi që të rrisim cilësinë sepse duhen më pak njerëz të aftë që të kryejnë më shumë punë dhe duke i ulur pagat po mundohemi të largojmë profiterët që vijnë në qeveri jo për të punuar por për të siguruar një pagë të lartë.

Kësisoj puna në qeveri bëhet më shumë sfidë se sa privilegj dhe secili nga ministrat është dëshmi e gjallë për këtë. Por duhet edhe të dërgojmë mesazhin që qeveria përfaqëson popullin në tërësinë e tij dhe sërish puna juaj e ka dëshmuar këtë.

Kabinet të vogël sepse jemi vend i vogël dhe paga më të ulëta sepse jemi vend i varfër!

Nëse e përdorë qeverinë për të punësuar këdo që e njeh, atëherë vërtetë nuk e kupton që ka varfëri në Kosovë sepse krejt ata që i njeh i ke punësuar e krejt ata që i ke punësuar i njeh.

Ne kemi nisur bashkërisht si kabinet i ri me një kulturë të re qeverisëse ku punohet për të shërbyer qytetarin e nuk punësojmë të afërmit për të sunduar popullin.

Veprimi i dytë i yni ishte ardhja e qeverisë se re e me ministra e kabinet të ri të pakorruptuar si dhe ndërrimi i bordeve të ndërmarrjeve publike.

Pra, edhe ndërrimi i qeverisë dhe agjencive qeveritare që menaxhojnë me paranë publike por edhe i bordeve të ndërmarrjeve publike që po ashtu menaxhojnë me paranë publike.

Shpenzimet e KEK-ut, Postës dhe Trepçës tejkalojnë shpenzimet e shumë agjencive të qeverisë dhe pikërisht në këto ndërmarrje ishin vendosur kushërinj e familjarë që kontrollonin kush punësohej e kush fitonte tendera. Kësisoj në njërën anë të kontrollonin qeverinë e në anën tjetër ndërmarrjet publike.

Ndryshimet në borde të ndërmarrjeve nuk janë hakmarrje ndaj dikujt, por veprim për të instaluar profesionalizmin, llogaridhënien dhe ndaljen e abuzimit me paranë publike.

E shembulli që duam të dërgojmë shkon përtej ndaljes së abuzimit me pozita shtetërore e keqpërdorim të parasë publike.

Ne duhet ta kuptojmë se kurrë nuk mund të bëhemi shtet prosperues dhe konkurrues nëse modeli i shoqërisë që ndërtojmë është promovimi i njerëzve mbi bazën e afërsisë familjare e jo mbi bazën e dijës dhe aftësive individuale.

Kjo është jetike për ne.

Prandaj ju ftoj që përtej vendimeve që marrim të gjykoni edhe modelin e qeverisjes që po ndërtojmë.

Për mua ka shumë rëndësi që prindërit në Gjakovë apo në Drenas të cilët i rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre me shumë mund e djersë e i edukojnë me vlera e parime, të besojnë që shteti ku ata jetojnë i vlerëson. Të besojnë se shteti e çmon përpjekjen individuale, punën dhe sakrificën, dijen dhe djersën dhe se të jetosh me dinjitet dhe integritet është vlerë dhe jo përçmim.

Këto janë vlera pa të cilat ne nuk mund të ecim përpara. Këto janë vlera që ne duhet ti rrënjosim në mendjet dhe zemrat e fëmijëve tanë që të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë e më prosperuese ku çdokush që punon me djersë dhe që paguan detyrimet e saj ndaj shtetit ka shansin të realizoj potencialin e saj dhe të ndjehet krenar me shtetin e saj.

Kështu i shoh unë veprimet që kemi ndërmarrë në këto 100 ditë; pra intervenim i shpejtë për të ndalur humbje të mëdha të parasë publike dhe fillimi i ndërtimit të një shteti bazuar në vlera.

Në 100 ditë janë marrë 192 vendime nga Qeveria dhe unë si Kryeministër pa përmendur këtu dhjetëra vendime të secilës ministri mesatarisht.

– Nga ulja e kabinetit qeveritar do të kursehen mbi 1.4 milion euro në vit pasi ka më pak ministra, zëvendësministra, këshilltarë e asistentë.

– Nga zbritja e pagave do të kursehen mbi 1.1 milion euro në vit pasi pagat e qeveritarëve do të reflektojnë më shumë pagat në sektorin privat

– Heqja e privilegjeve të shumta dhe shpenzimeve në telefona, makina e udhëtime zyrtare, dreka e darka do të kursejë mbi 300,000 euro në vit dhe do të reflektojë më mirë jetën e qytetarëve të cilët i përfaqësojmë. Ka bileta aeroplani 2000 euro por ka edhe 200 euro; ka suita hoteli në vlerë 800 euro por ka edhe dhoma nga 80 euro. Kur je përfaqësues i një vendi të vogël e të varfër nuk duhet të kompleksohesh e të prezantosh vetën si përfaqësues i Luksemburgut sepse nuk je. Nëse qytetarët tanë të varfër të papunë të bëjnë të turpërohesh jashtë shtetit atëherë më mirë të mos i turpërosh qytetarët duke i prezantuar ashtu siç nuk janë. Ne jemi vend i varfër dhe këtë duhet ta kuptoni. Nuk është qeveria jonë vend ku shuhen komplekset e jetës luksoze. Në këtë vend nuk pasurohesh dot me një rrogë të qeverisë, por nëse vërtet e ke synim pasurimin me çdo kusht atëherë pasuroje popullin. Puno që të ulet papunësia e të zhduket varfëria, që të rritet rroga minimale e pensioni. Unë kështu e shoh qeverinë dhe funksionin e karriges së kryeministrit. Kur ngritët niveli i përgjithshëm i mirëqenies së qytetarit ngritët edhe mirëqenia e qeveritarit.

Përtej uljes së privilegjeve që do të definojnë karakterin e qeverisë; kemi pasur edhe vendime të ministrave të cilat kanë parandaluar humbjen e qindra miliona eurove.

– Në ministrinë për Integrime Evropiane nga shkëputjet e kontratave lobuese që nuk i shërbenin shtetit por individëve për të rregulluar imazhin jashtë shtetit, shkëputja e kontratës së qirasë për zyrat e shtetit në objekte private dhe ndërprerja e shërbimeve të veçanta janë kursyer miliona euro. Këto kursime do të bëjnë të mundur që të përkrahim bursistët nga Skema Celula e të Rinjve të cilët ishin lënë në pritje për mungesë të mjeteve.

– Ministria e Drejtësisë ndër të tjera ka inicuar procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë, është duke e zhvilluar koncept dokumentin për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme, si dhe ka filluar përgatitjet për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

– Ministria e infrastrukturës ka anuluar një tender për autostradë në vlerë 110 milionë euro e ku një pjesë e madhe e tyre shkonin në shpronësim të tokave bujqësore. Ne kemi nevojë për rrugë por me çmim të arsyeshëm e pa korrupsion. Gjithashtu është anuluar tenderi për zgjatjen e punimeve në rrugën Arben Xhaferi në vlerë prej 50 milionë eurove dhe ndërtimet në lagjen afër liqenit të Badocit.

– Menaxhimi i një pandemie nga Ministria e Shëndetësisë duke e bërë Kosovën rrëfim suksesi në Evropë. Ngritja e Qendrës së thirrjeve në të cilën pranohen 200 deri në 300 thirrje brenda ditës, si dhe funksionalizmi i sistemit të informimit për COVID-19 ka bërë që ne të mos kemi sot as 30 të vdekur.

– Nga ministri i Bujqësisë nuk janë vazhduar mbi 60 kontrata afatshkurta “marrëveshje mbi shërbime të veçanta” të cilat, në mënyrë të jashtëligjshme, ishin vazhduar nga një, tre apo gjashtë muaj deri në 10 vite rresht.

– Mbi 650 pozita fiktive janë eliminuar nga ministri i Financave dhe Transfereve. Ai ka hasur edhe në shumë gabime sistemike / keqklasifikime të shpenzimeve ndërmjet shpenzimeve kapitale dhe mallrave e shërbimeve, si dhe në shumë obligime të papaguara nga organizatat buxhetore. Këto janë simptome të një sëmundje të rëndë të keqmenaxhimit financiar që ka qenë prezent gjatë gjitha qeverive të kaluara, e sidomos kësaj të fundit.

– Disa nga vendimet e MEPTINIS-it që kanë sjellë kursime të konsiderueshme dhe do të shmangin keqpërdorime të mëdha janë:

– Votimi i marrëveshjes së kyçjes mes operatorit të transmisionit KOSTT dhe rrjetit evropian ENTSO-E. Marrëveshja do të sigurojë pavarësinë energjetike të Republikës së Kosovës dhe afrimin e saj me tregun e energjisë së Republikës së Shqipërisë, daljen nga blloku rregullues me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Mungesa e pavarësisë i ka kushtuar Kosovës mbi 65 milionë euro nga viti 2008 e këndej.

§ Anulimi i projektit të motivuar politikisht të Zonës Ekonomike në Malishevë, ku vetëm për shpronësim ishte planifikuar kostoja marramendëse prej 7 mil euro.

§ Në Telekomin e Kosovës janë reduktuar shpenzime të panevojshme, një prej të cilave është edhe ulja prej 65% e pagës së UD e KE. Kursimi i përgjithshëm vjetor vetëm në këtë kompani publike është mbi 550,000 euro.

– Në ministrinë e Kthimit dhe Komuniteteve ka vazhduar procesi i ri-integrimit dhe kthimit të personave të zhvendosur, duke aprovuar ndërtimin e 62 shtëpive në fazën fillestare. Aksioni „Të fitoj jeta“ – i ndarjes së pakove të ndihmës gjatë pandemisë. Meqë rast u ndihmuan 606 familje në dy faza me pako ushqimore dhe higjenike. Në 31 komuna, nga të cilat 3.374 banorë përfituan drejtpërdrejt (46.6% serbë dhe 53.4% të tjerë – romë, ashkali, egjiptianët, shqiptarët, boshnjakët, goranët dhe turqit).

– Në Ministrinë e Arsimit janë përfunduar video-xhirimet në shkollën “Qamil Batalli”, në Prishtinë ku janë prodhuar 1800 video-njësi mësimore. Në fillim të muajit prill, MAShTI filloi prodhimin e video-ligjëratave edhe në gjuhë turke dhe në gjuhën boshnjake, këto xhirime ende po vazhdojnë në shkollën “Emin Duraku” në Prizren.

– Në ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve aktivitetet normale kanë qenë të pamundura por ato janë zhvilluar në platforma digjitale dhe virtuale: Teatri Kombëtar i Kosovës, Galeria Kombëtare e Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shota, Filharmonia e Kosovës që të gjitha kanë mbajtur aktivitete virtuale të cilat edhe kanë mbajtur gjallë jetën kulturore, paçka se në një formë tjetër.

– Ministria e Zhvillimit Rajonal ka vazhduar koordinimin e politikave për zhvillim socio – ekonomik rajonal të balancuar duke lansuar Programin për Zhvillim Rajonal të balansuar.

– Ministria e Punëve të Jashtme ka menaxhuar kthimin dhe riatdhesimin e qytetarëve. Janë marrë vendime për kthimin e ambasadorëve politikë, që e kanë përfunduar mandatin 4-vjeçar, të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës se Kosovës dhe ka filluar kthimi i meritokracisë.

Riatdhesimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës me rastin e pandemisë globale Covid 19. Aktualisht janë të paraqitur 2841. Deri më tash janë riatdhesuar 1482 qytetarë përmes linjave

ajrore dhe rrugore.

– Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka realizuar një komunikim, koordinim, dhe bashkëpunim të shkelqyeshem me komunat tona, posaçërisht në menaxhimin për COVID dhe në përmbushjen e obligimeve nga agjenda evropiane.

– Ministria e brendshme në bashkëpunim me MPJ-në ka kordinuar riatdhesimin e personave të kthyer; janë dhënë lejet e qarkullimit për rreth 12.000 persona; zyrtarëve të bankave, stafit esencial të misioneve diplomatike, stafit esencial të administratës shtetërore, përfshirë edhe nivelin komunal, OJQ-të, subjektet politike, etj.

– Ministria e Mbrojtjes ka punuar ne standardizimin dhe modernizimin e FSK-në përfshirë plotësimin e Ligjeve dhe koncept-dokumenteve për lëvizjen e FSK-së jashtë vendit. Janë analizuar komponenti Rezervë, Policia Ushtarake, shërbimi i obligueshëm ushtarak; rregulloret për rezervat për qëndrueshmëri operacionale të FSK-së si dhe ato të zhvillimit të karrierës së pjesëtarëve të FSK-së.

Janë shkarkuar bordet në këto ndërmarrje për t’u zëvëndësuar me ato të përkohshme profesionale:

1. Telekomi i Kosoves, Sh. A.

2. Ndermarrjen “Trepça” Sh. A,

3. ShSKUK (Sherbimi Klinik Univeristar te Kosoves)

4. Ndermarrja KRU “Prishtina” Sh. A.

5. Posta e Kosoves Sh. A.

6. “Hekurudhat e Kosoves Infrakos”, Sh. A.

7. “Korporata Elektroenergjetike e Kosoves” Sh. A.

8. Ndermarrja “Iber Lepenc” Sh. A.

9. Ndermarrja KRU “Prizren” Sh. A.

Pra në këto 100 ditë në njërën anë kemi marrë vendime për kursimin e parasë publike e në anën tjetër vendime për ndaljen e keqpërdorimit me pozita publike.

Që të dyja e kanë frenuar trendin ku pushteti vendoset në funksion të një rrethi të ngushtë njerëzish që krijonte një rreth vicioz ku forcohej dhe pasurohej një elitë e ngushtë politike e cila kontrollonte gjithë shtetin.

Natyrisht, dy dekada të shpërdorimit të parasë publike dhe krijimit të një kulture të përfitimit e pasurimit nga taksat e qytetarëve nuk mund të luftohen për 100 ditë, por ne tashmë kemi bërë hapat e parë në drejtimin e duhur.

E në këto 100 ditë ku morëm gati 200 vendime, kishim edhe 100 pengesa.

Një pandemi të pa dëshiruar e cila vazhdon të kërcënoj jetët e qytetarëve,

Një president të frustruar që vështirëson e sfidon çdo ditë punën e qeverisë,

Dhe një opozitë që në mes të një pandemie globale u angazhua që të rrëzoj qeverinë.

S’ka dyshim se pandemia ka konsumuar pothuajse gjithë energjinë e qeverisë dhe energjinë time si kryeministër. Afër 90% e punës dhe fokusit tonë ka qenë në luftimin e kësaj pandemie, punë që ka filluar në 8 në mëngjes e ka përfunduar në 1 të mesnatës për kabinetin tim por edhe të shumë ministrave.

As 10% të energjisë së mbetur nuk jam përqendruar në mbrojtjen e qeverisë nga sulmet e vazhdueshme. Ky është një standard i ri ku kryeministri dhe qeveria bëjnë detyrat e qeverisjes e jo akuzimin ose kundërsulmin ndaj opozitës.

Sot vërtetë janë bërë 100-ditë të qeverisë, por nëse bëhemi të sinqertë këtë 100 ditësh duhet ta shohim në dy rrafshe.

Së pari duhet ta shohim si dy pesëdhjetë ditësha, ku në pjesën e parë kishim një parlament funksional dhe në pjesën e dytë kur nuk e kishim, e cili nuk mund të kalonte iniciativa ligjore të votonte. Me mos besimin e qeverisë, iniciativat ligjore u bënë të pa mundura, duke pamundësuar edhe realizimin e një pjese të mirë të programit tonë të përbashkët.

Dhe së dyti duhet ta shohim në pikëpamjen e kohës për realizimin e programit ku 90% e energjisë shkoi në luftimin e pandemisë së corona virusit.

Pra një 100 ditësh i qeverisë me 10% të energjisë dhe fokusit; me 50 ditë të qeverisë me parlament dhe me një president dhe opozitë që sfidonte e pengonte që nga dita e parë, ne mund të them që kemi punuar përtej çdo parashikimi.

Paramendoni sikur të kishim 100% kohë të merreshim vetëm me korrupsionin e lartë dhe me krimin e organizuar!

Në këto 100 ditë, s’ka dyshim se ngjarja dhe drama më e madhe është ajo me pandeminë.

Derisa ne po mbajmë këtë mbledhje s’kemi si të mos reflektojmë në njërën nga krizat më të mëdha nëpër të cilën po kalon shoqëria jonë që nga pas lufta.

Siç e kam theksuar edhe më herët, COVID-19 nuk ishte zgjedhje as e qytetarëve dhe as e qeverisë, por është realitet me të cilin po përballemi.

Tashmë kanë kaluar dy muaj prej se kemi marrë masat e para dhe nuk kam se si të mos bashkë ndjej me të gjithë qytetarët të cilët çdo natë sytë i kanë kah ekrani televiziv në pritje të statistikave të Institutit Shëndetit Publik.

Është e vërtetë se kjo krizë shëndetësore ka rënduar jetët tona, por është e rëndësishme që për shëndetin tonë dhe të ekonomisë ne të vazhdojmë t’i mbajmë sytë dhe veshët tek numrat, këshillat dhe udhëzimet e institucioneve shëndetësore.

Kjo është një krizë e pa përjetuar në jetën e secilit nga ne e që do të tregohet nga gjeneratat që vijnë pas nesh.

Gati të gjitha vendet e Evropës kanë ndërmarrë masa, të cilat në një mënyrë ose tjetër janë të ashpra, por në përputhje me seriozitetin e pandemisë, dhe në linjë me respektimin e të drejtës për jetë – e cila duhet kujtuar që është e drejtë absolute. Ndërkaq ne, një shtet me sistem gati të rrënuar të shëndetësisë, kemi kaluar më shumë kohë duke u marrë me çështje ligjore sesa me çështje shëndetësore. Një sfidë e panevojshme kjo që harxhonte energjinë e qeverisë duke u marrë me konfuzionin e krijuar nga thirrjet politike të bëra që prej 23 marsit e këtej. Pra, në kohën kur kërkohej solidaritet dhe mbështetje nga qytetarët për ta bërë punën e qeverisë më të lehtë, u hap luftë ndaj qeverisë nga institucionet e ndryshme për ta bërë punën e qeverisë më të vështirë. Në tri javët më kritike të betejës kundër COVID-19, Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë pasur të pamundur të koncentrojnë 100% kapacitetin e tyre në luftimin e pandemisë COVID-19, meqenëse është dashur të prisnin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për të marrë vesh se sa hapësirë juridike kishim për të vepruar, dhe për të analizuar se në cilën mënyrë mundeshim njëkohësisht të vazhdonim masat parandaluese në njërën anë, dhe të respektonim në tërësi Gjykatën Kushtetuese dhe aktgjykimet e saj, në anën tjetër.

Siç e dini ne kemi reaguar me kohë ndaj pandemisë dhe kemi marrë masa para shfaqjes së rastit të parë zyrtar me COVID-19. Masat e hershme të qeverisë, puna e shkëlqyer e punonjësve shëndetësorë dhe policisë në njërën anë, dhe, bashkëpunimi i qytetarëve në anën tjetër, kanë qenë vendimtar në uljen e numrit të infektimeve që kemi parë në këto dy javët e fundit.

Por është mirë që këtë avantazh të fituar të mos e humbim. Le të mos e humbim këtë ndeshje kaq të rëndësishme në 10 minuat e fundit të saj. Nuk është mirë të bëjmë hapa prapa por nëse infektimet rriten atëherë hapa të tillë janë të pashmangshëm. Duhet të mbajmë distancën e nevojshme, duhet të mbajmë pastërtinë e domosdoshme dhe të ndalojmë vizitat dhe grumbullimet.

Por nga ne pritet që të bëhemi bashkë në kohë krizash.

Nga ne e tek ne, qytetarët presin që luftën politike ta lëmë anash e të përqendrohemi 100% tek jeta e qytetarit dhe shëndeti i tij, sepse jeta e qytetarëve dhe shëndeti i tyre është në rrezik.

Gjeneratat që vijnë pas nesh do të na gjykojnë dhe matin secilin nga ne me atë se çfarë kemi bërë në kohën kur shëndeti i gjithë popullit është rrezikuar. Do të pyesin nëse ne i kemi vendosur interesat tona personale përpara apo interesat e qytetarëve. Do të pyesin se si shpëtuam edhe shëndetin e qytetarëve edhe shëndetin e ekonomisë, por edhe shëndetin e demokracisë sonë të re.

Fatkeqësisht, pas gati 15 vjet të qëndrimit në opozitë, ende pa i bërë 50 ditë punë si subjekt fitues i zgjedhjeve, na u bënë bashkë i gjithë regjimi i vjetër që kishte qeverisur për 20 vjet në Kosovë vetëm për të rrëzuar një kryeministër dhe një qeveri që nga çdo parametër është treguar e suksesshme, duke përfshirë edhe menaxhimin e pandemisë.

Pse gjithë ky inat?

Pse gjithë kjo nguti për të marrë ulësen e kryeministrit përmes presidentit të cilën unë e kam fituar me votën e lirë të qytetarëve të ndershëm?

Pse gjithë ky marshim e kjo urrejtje ndaj një kryeministri e një qeverie që ka punuar mirë, ka punuar drejtë, pa rezervë e pa kursim.

Pse gjithë ky luftim i qeverisjes tonë të mirë, e cila jo që nuk i pati 100 ditë, por as 100 orë pa iu kundërvën frontalisht të gjithë ata që nuk e ndalën më 6 tetor.

Është vërtet për keqardhje dhe për turp trajtimi që i është bërë kryeministrit dhe qeverisë nga presidenti dhe nga regjimi i vjetër në këto 100 ditë.

E për fatin e keq nga këto veprime më së paku kam humbur unë, por më së shumti ka humbur shteti. E unë parapëlqej të humbas vetë por jo shteti, kurse këta shtetin e japin por humbjen nuk e pranojnë.

Por ja që kanë humbur.

Sepse, një gjë tashmë është e qartë si kristali. Në këto 100 ditë shkapja e shtetit prej mujsharëve shpërdorues ka filluar e nuk do të ndalet.

Unë tashmë e kam bërë të qartë se rruga përpara janë zgjedhjet e lira e demokratike, me masa mbrojtëse për shëndetin e qytetarëve dhe shëndetin e demokracisë. E tashmë ka edhe parti tjera të cilat po kërkojnë të njëjtën gjë.

Qeveria është në detyrë dhe do të vazhdojë të mbetet në detyrë deri në zgjedhjet e reja.

Është e vërtetë se qeveria u rrëzua, por është po ashtu e vërtetë se një popull i tërë u ngrit.

Përkundër arritjeve që janë bërë në këto 100 ditë, përkundër pengesave që na kanë vendosur dhe sfidave që kemi pasur, unë jam i mbushur me shpresë sot më shumë se kurrë. Sot si asnjëherë më parë.

Ajo që më jep shpresë është shpirti i qytetarëve të zgjuar pas një kohe të gjatë të nënshtrimit dhe shtypjes; besimi që ata kanë në vetën e tyre dhe në këtë qeveri të tyre.

Janë këta qytetarë që më japin shpresë. Është çdo i ri e i vjetër nga secili cep i Kosovës që më kanë dërguar qindra mesazhe urimi e inkurajimi për punën që kemi bërë bashkë.

Janë telefonatat falënderuese që më kanë bërë punëtorët në secilin departament të kompanive publike për çdo shkarkim që kemi bërë. “Z. Kryeministër, sot jam zgjuar e lumtur. Ju faleminderit që shkarkuat një drejtor i cili na ka terrorizuar në këto 10 vite. Unë dhe i gjithë stafi jemi të gëzuar pa masë dhe tashmë do të shkojmë në punë me motiv të ri.” Ishe njëri nga mesazhet.

“Z. kryeministër ju faleminderit për guximin dhe punën e jashtëzakonshme që keni bërë. Unë jam punëtor në kompaninë publike “…” dhe kam parë se si çdo vit kompania është varfëruar e ka ardhur në buzë të falimentimit kurse drejtorët janë pasuruar. Vazhdoni bashkë mos u ndalni. Të lutem bën diçka, bëni gjithvçka. Ne shpresat i kemi tek ju”.

Është telefonata që më bëri një i moshuar dhe i dalë në pension i cili jetonte në diasporë me familjen e tij, por çdoherë me mendje në atdhe. “Kam ardhur në Gjermani në vitet 90-ta, kam qenë kontribuues i rregullt në “Fondin 3%shit”, kam kontribuar edhe në “Fondin Vendlindja Thërret”, kam ndihmuar vëllezërit që të ndërtojnë shtëpitë e kam ardhur çdo vit në pushime, por kisha humbur çdo shpresë se ndonjëherë do të kthehem pasi fëmijët nuk më vijnë. Para dy ditësh djali im i madh më tha se po kthehet në Kosovë e të hap një biznes të vogël. Trupi mu rrëqeth e një gëzim i madh më përshkoi. Ka vite të tëra që e kam lutur të kthehemi por nuk pranonte. E pyeta se çfarë ka ndryshuar, më tha se tash me qeverinë e re ka shpresë. Unë desha t’ju thërras e t’ju falënderoj pa masë sepse falë qeverisë suaj unë mund të kaloj ditët e mbetura në vendin tim e të vdes i qetë.

Ndoshta, janë pikërisht këto mesazhe që i japin kuptim këtyre 100 ditëve tona, kyre 100 ditëve të qytetarit.

Ideja se qeveria është shërbim për qytetarët, se gara jonë në zgjedhje e debatet tona politike nuk bëhen për të zaptuar poste por për të ndryshuar jetën e qytetarëve tanë.

Janë këto mesazhe që i japin kuptim gjithë betejës tonë politike në ç ‘kapjen e shtetit.

Është motoja e studentit protestues që thotë se “nuk jemi të varfër por jemi të vjedhur”.

Nuk jemi të paditur e të pa vlerë por jemi të keq qeverisur.

Unë, të nderuar ministra e të dashur qytetarë, nuk jam kryeministër për vete dhe kurrë nuk e shoh karrigen e kryeministrit në funksion e në shërbim timin, por vetëm si mundësi e përgjegjësi për t’i shërbyer qytetarit.

Prandaj edhe ka kaq shumë rezistencë nga qytetarët sepse ka shumë shpresë për ndryshim të vazhdueshëm.

Shpresa ka lindur me 6 tetor dhe u takon qytetarëve nga secili cep i vendit të vendosin, me vullnetin e tyre se çfarë të ardhme duan të ndërtojnë për fëmijët e tyre.

Këto ishin vetëm 100 ditë.

Ndryshimi nuk vjen kurrë pa e kërkuar. E ndryshimi në fakt jemi vetë ne.

Në fund, natyrisht se kam shumë falënderime, por ka disa që dua të veçoj:

– Institucionet

Të gjitha institucionet, organizatat dhe ambasadat

Miqtë tanë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mërgatën tonë e cila ka dhuruar 700,000 Euro. Po ashtu kanë dërguar 11,000 teste në Kosovë që do të mbërrijnë ditët në vijim dhe mbi 4,000 pako ushqimore deri më tash.

Dua të falënderoj të gjitha komunat dhe secilin kryetar për bashkëpunimin e tyre.

Të falënderoj mjekët, infermierët, policët, zjarrfikësit, punëtorët e mirëmbajtjes dhe higjienës, punonjësit administrativ, stafin nëpër supermarkete, furra, fabrika dhe prodhimtari, doganë, aeroport, institucione qendrore, komunale, publike dhe qeveritare, dhe shumë të tjerë që nuk po i përmendi por kontributi i tyre është po aq i rëndësishëm.

Në fund më lejoni t’ju falënderoj juve, Haki, Hykmete, Glauk, Emilija, Xhelal, Albulena, Vlora, Blerim, Ivan, Besnik, Anton, Arben, Lumir, Besian, Dalibor dhe Rozeta. Faleminderit shumë e ju përgëzoj për punën e madhe që keni bërë.