OBSH: Bashkëpunim me median sociale kundër ideve të gabuara për COVID-19

0
87

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi sot se po punonte me mediet sociale për të luftuar konceptet e gabuara, që lidhen me sëmundjen COVID-19, përfshirë këtu edhe përmes aplikacioneve më të njohura në mesin e të rinjve.

“Ne po e luftojmë çdo ditë keqinformimin”, tha Andi Pattison, një zyrtar i OBSH-së, gjatë një konference virtuale për shtyp në Gjenevë.

“Në mediet sociale, informacionet e rreme qarkullojnë më shpejt se e vërteta”, shtoi ai.

Në faqen e saj të internetit, OBSH-ja ka krijuar një seksion, “Fundi i koncepteve të gabuara”, që synon të demaskojë lajmet e rreme, mitet dhe thashethemet, që qarkullojnë shpesh në rrjetet sociale.

Gjithashtu, organizata po punon me këto rrjete sociale për ta luftuar sa më mirë këtë keqinformim, veçanërisht përmes rrjetit social “TikTok” dhe aplikacionit “Snapchat”, me qëllim që të dëgjohet më mirë nga adoleshentët, të cilët i kanë shumë për zemër ato.