Vendimet e fundit të Qeverisë Kurti

0
105

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, me kërkesën e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti, ka zhvilluar mbledhjen e saj të 27-të korresponduese (elektronike), në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë. Në mbledhje ka shqyrtuar dhe miratuar dokumente dhe vendime të fushave të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Korniza Afatmesme e Shpenzimeve për vitet 2021-2023 ka qenë dokumenti i parë i cili është shqyrtuar dhe aprovuar në mbledhjen e sotme. Korniza Afatmesme e Shpenzimeve është dokumenti kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2021. Qëllimi kryesor është që të ofrojë një analizë, e cila reflekton mjedisin makroekonomik në vend, për të vendosur kështu bazën për planifikimet buxhetore për vitet që vijnë në përputhje me prioritetet strategjike të Qeverisë. Qeveria vazhdon të ketë si objektiv kryesor forcimin e mëtejshëm të pozitës së saj fiskale dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike.

KASH 2021-2023 është e strukturuar në katër pjesë kryesore. Pjesa e parë përmban “Deklaratën Afatmesme të Prioriteteve”, e cila ofron një përmbledhje të gjerë të prioriteteve të Qeverisë në përputhje me Programin Qeverisës, Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Programin e Reformave në Ekonomi. Në pjesën e dytë është korniza makro-fiskale bazuar në parametrat e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik. Në pjesën e tretë dhe të katërt janë paraqitur parashikimet fiskale të cilat përcaktojnë kufijtë e përgjithshëm të shpenzimeve mbi bazën e të cilave përgatitet më vonë Buxheti Qendror dhe ai Komunal.

Në vazhdim të mbledhjes është shqyrtuar dhe miratuar Plani i veprimit për themelimin e Pikës së vetme të kontaktit sipas Direktivës për Shërbime 123/2006/KE. Sipas planit, në përputhje edhe me dispozitat e CEFTA-s 2006 dhe Protokollit Shtesë 6, Kosova përkushtohet për krijimin e një kornize institucionale për një Pikë Kontakti për Shërbimet që do të performojë tri funksione kryesore:

– Të përgjigjet në kërkesat e anëtarëve të CEFTA-s për çështjet që kanë të bëjnë me ligjet, rregulloret dhe udhëzimet administrative që ndikojnë tregtinë në shërbime;

– Të informojë Nën-komitetin e Tregtisë së Shërbimeve një herë në vit për aktet juridike që ndikojnë tregtinë e shërbimeve;

– Të ofrojë informacione paraprake për çdo masë relevante të aplikimit të përgjithshëm që ndikon në tregtinë e shërbimeve dhe që synon miratimin për lejimin e mundësisë së palëve të tjera për të komentuar.

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar Programin e Borxhit Shtetëror 2021-2023. Objektiva kryesore e Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e borxhit shtetëror është financimi i deficitit buxhetor me kosto sa më të ulët të mundshme, me një nivel të pranueshëm të ekspozimit ndaj rreziqeve financiare. Konform Ligjit për Borxhet Publike, Qeveria ka obliguar Sekretarin e Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit që të njëjtin ta përcjell në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Raportin tremujor Financiar për vitin 2020. Ky raport përmban një përmbledhje të trendëve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë periudhës së tremujorit të parë të vitit 2020.

Hyrja në fuqi e ligjit të buxhetit me 19 Mars dhe fillimi i ekzekutimit të buxhetit 2020 me ndarjet e reja buxhetore, sipas sistemit të ri ministror të organizuar në 15 ministri (nga 21), paraqet sfidë për aspektin e raportimit. Gjithashtu fillimi i situatës së pandemisë (Covid-19), përkatësisht shpallja e situatës së emergjencës shëndetësore, megjithëse nuk pati efekte të ndjeshme në tremujorin e parë të vitit si komulativ, gjithsesi pati ndikim negativ në pjesën e dytë të marsit. Por falë performancës së mirë të dy muajve të parë u kompensua.

Gjithsejtë të hyrat në tremujorin e parë të vitit janë në shumë prej 402.42 milionë euro dhe paraqesin 17% të pranimeve të përgjithshme të planifikuara vjetore. Krahasuar me realizimin e tremujorit të vitit paraprak kemi ulje prej 13%. Ndërsa shpenzimet gjatë tremujorit ishin në shumë prej 399.04 milionë euro dhe paraqesin 16% të planit vjetor të shpenzimeve. Krahasuar me realizimin e tremujorit të vitit paraprak kemi ulje prej 1.98 milionë euro ose 0.5%.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për rialokim të mjeteve shtesë në buxhetin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për ndryshimin e listës së artikujve për përdorim të përbashkët që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik. Vendimi me listën e bashkangjitur të artikujve obligon Agjencinë Qendrore të Prokurimit për zbatim të këtij vendimi.

Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve është miratuar vendimi që autorizon Ministrin e Financave dhe Transfereve që të aprovojë transfere nga nën programi “Shpenzimet e Paparashikuara” në nën programe tjera. Vendimi autorizon Ministrin e Financave dhe Transfereve që të aprovojë transfere nga nën programi “Shpenzime të Paparashikuara në nën programe tjera sipas tabelave të Ligjit për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës 2020, për shumat individuale të kërkuara deri në 40 mijë euro. Kjo shumë nuk mund të kalojë 20% e shumës së ndarë vjetore në nën programin “Shpenzimet e Paparashikuara”.

Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike për transfer/rialokim të mjeteve financiare, të ndarjeve buxhetore për vitin 2020, në masën më pak se 25% për nënprogramet e përfshira në formular.

Me dy vendime të veçanta, të miratuara sot në mbledhje të Qeverisë, janë emëruar anëtarët e Bordit Drejtues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në këtë përbërje:

1. Nysrete Doda, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;

2. Delvina Hana, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;

3. Arsim Qavdarbasha, Ministria e Shëndetësisë;

4. Dafina Gexha, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës

5. Selatin Kaçaniku, Shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve;

6. Parim Bajrami, Oda Ekonomike e Kosovës;

7. Valdet Gjinovci, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Dhe anëtarët e Këshillit Shkencor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në këtë përbërje:

1. Ariana Kalaveshi, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës;

2. Betim Bresilla, Instituti Bujqësor i Kosovës;

3. Aziz Behrami, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore;

4. Imer Haziri, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë;

5. Arben Mehmeti, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.

Miratimin e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Financave dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve, dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI) për financimin e projektit për “Trajtimin e Ujërave të Zeza në Komunën e Gjilanit”.