Nënvlerësimi i virusit i rrezikshëm sa edhe vetë virusi

0
30

Këtë të premte kryeministri në detyrë, Albin Kurti i shoqëruar nga ministrat në detyrë të Infrastrukturës dhe Ambientit, z. Lumir Abdixhiku dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, znj. Emilja Redzepi, vizituan tri komuna të Kosovës. Komunën e Lipjanit, Ferizajt dhe Vitisë.

Mirëseardhje i pari u uroi kryetari i Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti. Komunat në vendin tonë në njërën anë po përballen me pandeminë COVID-19 dhe pasojat e saja ekonomike e shoqërore, kurse në anën tjetër edhe me ujin e pijshëm, ku nëpër shumë sosh nuk është i rregulluar tërë furnizimi.

Në këtë kohë e tërë vëmendja e institucioneve duhet të jetë tek luftimi i virusit Corona. Nuk duhet ta nënvlerësojmë virusin e kësisoj të na rritet vetëbesimi se nuk do të prekemi a se nuk do të na bëjë dëme. Ky virus është shumë i rrezikshëm edhe për shkak se është i padukshëm.

Në Ferizaj, delegacioni u prit nga kryetari i Komunës z. Agim Aliu dhe stafi emergjent. Të gjithë qytetarët, sikurse edhe institucionet janë duke u solidarizuar me ata më në nevojë. Të gjithë po i dalim në ndihmë njëri-tjetrit që virusin ta luftojmë me sa më lehtësi.

Në komunën e cila u prek e para, atë të Vitisë, momentalisht janë katër raste aktive, kurse tri të tjera janë shëruar. Po bëhen një muaj nga rasti i parë që u shënua në Kosovë e që është pikërisht në këtë komunë, dhe masat e marra nga komuna shihet qartë se janë shumë efikase meqenëse numri nuk është rritur.

Po punojmë për më të mirën e urojmë që ajo të ndodh. Ndihma qytetare është e pashmangshme, andaj na ndihmoni duke:

Qëndruar në shtëpi!

Qëndruar pastër!

Qëndruar në distancë!