Nga Lul Raka, mikrobiolog
Çka janë viruset?
Viruset janë mikroorganizmat më të vegjël, të cilët mund të jetojnë vetëm përbrenda trupit të strehuesit (njeriu, kafsha, por edhe tek mikrobet tjera).
A janë koronaviruset viruse të reja?
Jo, nuk janë viruse të reja sepse i njohim që prej vitit 1965 si shkaktarë të shpeshtë të flamës së zakonshme. Por i ri është nënlloji i gjetur në Kinë vitin e kaluar.
Çka d.m.th. COVID-19?
Është shkurtesë prej tri fjalëve: CO (Coronavirus), VI (Viral), D (Disease) = COVID-19, që dmth. sëmundje virale me koronavirus. Numri 19 tregon vitin kur është raportuar për herë të parë në Kinë (31.12.2019).
A është COVID-19 virus?
Jo, COVID-19 është sëmundje, kurse virusi që e shkakton këtë sëmundje quhet SARS-CoV 2.
Çka do të thotë fjala SARS?
SARS do të thotë Sindroma Akute Respiratore e Rëndë. Kjo është sëmundje, që u shkaktua nga familja e koronaviruseve në vitin 2002.
Pse virusi i ri quhet SARS-CoV2?
Quhet SARS CoV2, sepse i përngjan shumë virusit që shkaktoi SARS-in. Pasi që është i ri dhe nuk i ka mbushur ende 3 muaj, u quajt SARS CoV 2, për t’u dalluar nga vëllau i tij që shkaktoi SARS-in.
Kush është rezervoar i koronaviruseve?
Zakonisht rezervoar të virusit janë kafshët (lakuriqat, macet, devet, pangolina etj).
A ka pasur raste të SARS dhe MERS në Kosovë?
Asnjë rast nuk ka pasur asokohe në Kosovë me këta viruse.
A ka vdekshmëri të lartë kjo sëmundje?
Aktualisht në botë vdekshmëria është 4.4%. Por, në këtë numër nuk janë llogaritur të sëmurët e lehtë dhe ata asimptomatikë, të cilët nuk shkojnë te mjeku dhe nuk regjistrohen në statistika. Andaj, numri real është më i vogël sesa raportohet.
Koronavirusi po duket si virusi më infektiv në botë. A është e vërtetë?
Jo, viruset më infektive në botë janë viruset e fruthit dhe parotitit (shytat). Një i sëmurë me fruth infekton mesatarisht 18 persona, kurse një me parotit infekton 10 persona. Këto janë më infektivë sesa koronaviruset sepse qëndrojnë në ajër dhe barten përmes ajrit.