Institucionet kompetente të situatës me koronavirusin në Kosovës janë pajisur me listën e të gjithë udhëtarëve që kanë hyrë në Kosovë nga data 1 shkurt e deri më sot nga vendet e prekura nga Covid-19.
Gazeta Shneta ka mësuar nga burime se Ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti për koordinimin e situatës kanë kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që t’ua jap listën me emra të të gjithë qytetarëve që kanë hyrë në vendin tonë nga data 1 shkurt.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i MSH-së Faik Hoti, i cili ka thënë se do të gjurmohen dhe do të testohen të gjitha kontaktet e rasteve të konfirmuar me koronavirus.
“Po, Komiteti per Koordinimin dhe Vleresimin e Situates epidemiologjike me Covid -19 ka marre listen e te gjithe udhetareve qe pas dates 1 shkurt kane hyre ne Kosove nga vendet qe kane pasur raste pozitive me Covid-10 dhe ne kuader te gjurmimit epidemiologjik do te testohen ata dhe rastet e kontaktit”, ka deklaruar Hoti në një prononcim për Gazetën.
Kujtojmë se mbrëmë Qeveria e Kosovës e ka shpallur gjendjen emergjente të shëndetit publik bazuar në Ligjin për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse.
Në bazë të këtij ligji Inspektorati Sanitar i Kosovës obligohet të ndalojë qarkullimin e personave për të cilët konstatohet ose dyshohet se janë të sëmurë nga sëmundjet ngjitëse.
“Të urdhërojnë dezinfektimin, dezinsektim dhe deratizimin me qëllim të parandalimit ose të luftimit të sëmundjeve ngjitëse; Të urdhërojnë izolimin e personave të sëmurë nga sëmundjet e caktuara ngjitëse dhe mjekimin e tyre; Të urdhërojnë marrjen e masave të tjera të përgjithshme ose të posaçme të parashikuara tekniko–sanitare dhe higjienike”, thuhet në Nenin 44.
Gazeta ka kontaktuar me drejtorin e Agjencionit për Ushqim dhe Veterinari, pjesë e të cilit është ISK, Dr. Valdet Gjinovci, por i njëjti ka thënë se përgjigjet duhet të kërkohen nga Shefi i Inspektoratit Ibrahim Tërshnjaku. Ky i fundit nuk ka pranuar të flas duke thënë se është pjesë e Komitetit të MSH-së dhe nuk e ka të lejuar të jap informacione. Si rrjedhoj ai nuk ka treguar se çfarë masa janë marr deri më tani nga institucioni të cilin e drejton.
Kujtojmë se në Kosovë tanimë janë konfirmuar 15 raste me koronavirus, janë vënë në karantinë tri komuna, Vitia, Klina dhe Malisheva, ndërkaq janë izoluar disa fshatra në rrethin e Dumnicës në Podujevë