Shkruan: Baton Haxhiu
Jetën time nuk e paramendoj pa sfida të mëdha.
I kërkoj, por edhe më gjejnë. S’ua kam frikën.
E kam kuptuar moti: sfidat profesionale më mbajnë gjallë në gazetari. Ato u japin energji ditëve të mia të punës, me lumturi dhe mërzi, mirësi e zhgënjime.
Më shumë se 30 vjet kështu.
Dhe Klan Kosova.
Fillime idealiste me paqartësi e pasiguri, duke parë e duke bërë, me pasion, entuziazëm dhe vullnet të pakrahasueshëm me cilindo projekt tjetër medial kosovar në dekadat e fundit.
Energji fantastike e djemve dhe vajzave që u shndërrua në uragan kreativ. Çdo ditë rriteshim dhe ndryshonim për të mirë në hapësira të vogla me shumë ide.
Liderizmi i Klan Kosovës në skenën mediale, investimi në gjenerata të reja, ndërtimi i modeleve të reja të gazetarisë dhe stabiliteti i përgjithshëm janë arritje për mburrje dhe krenari. Për mua dhe për të gjithë që kanë qenë pjesë e tij.
Njëkohësisht, janë shenjë e qartë që ky cikël është përmbyllur. Kam arritur në cak.
Më duhet të lëviz. Drejt një adrese të re, një sfide tjetër.
Nuk e kam të lehtë, por e këtillë është jeta ime. Ky jam unë.
Jemi Një.
Përjetësisht.
Me dashuri,
Batoni