Ina Toska, fotografja me aftësi ndryshe e me talent të pakufishëm

0
266

Aktive, e hareshme dhe gjithmonë e zënë duke e bërë punën e saj të preferuar, ky është përshkrimi për këdo që e njeh Ina Toskën, e megjithatë jeta për nuk ka qenë gjithmonë kaq e lehtë.

Për shkak të një komplikimi shëndetësor në fëmijërinë e saj të hershme, jeta e Inës u ndryshua dhe vështirësitë do ta përcillnin gjithë kohën, deri kur ajo gjeti hobin dhe inspirimin e saj në aparatin fotografik.

Në vend të saj, shumëkush do të dorëzohej, por ajo luftoi për ta gjetur veten, për të punuar dhe për të inspiruar të gjithë njerëzit me aftësi ndryshe, të cilët janë duke u përballur me shumë vështirësi në realizimin e ëndrrave të tyre, që vetëm i përkasin kësaj kategorie.

Pikërisht këtu Ina e gjeti edhe inspirimin.

“Aparati fotografik ishte dëshira që unë kisha për të pasqyruar jetën dhe aktivitetin e personave me aftësi ndryshe, sepse familja ime më fliste gjithmonë për vështirësitë e tyre. Jam e palodhur për fotografinë. Merrem me orë të tëra që t’i pasqyroj sa më bukur ato”, rrëfeu ajo.

Në karrierën e saj si fotografe, Ina ka korrur shumë suksese dhe shumë shpesh është nderuar me çmime të ndryshme prestigjioze që jepen për fotografët në Shqipëri, përfshirë edhe atë të fundit, ku u shpall Personazhi i Vitit 2019 në qytetin e saj të lindjes, Fier.

Për gjithë suksesin e saj, ajo i është mirënjohëse familjes, psikologes dhe të gjithë shoqërisë, të cilët nuk e gjykuan dhe nuk e diskriminuan vetëm pse ishte person me aftësi ndryshe.

Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë të realizuar me fotografen Ina Toska.

Si ka qenë jeta jote në fëmijëri?

E vështirë për arsye të zhvillimit jonormal, por puna e familjes sime bëri që unë të arrij deri këtu dhe vazhdoj akoma të jem në kërkim të më së mirës.

Nga të lindi dëshira për aparatin dhe qe sa kohë merresh me fotografi?

Ishte dëshira që unë kisha për të pasqyruar jetën dhe aktivitete të ndryshme, si dhe aktivitetin e personave me aftësi ndryshe, sepse familja ime me fliste gjithmonë për vështirit e tyre. Jam e palodhur për fotografinë.Merrem me orë të tëra që t’i pasqyroj sa më bukur ato.

Çka është fotografia për ty?

Është hobi dhe pasioni im. E adhuroj vërtetë.

Cilat janë sukseset që ke korrur përgjatë karrierës si fotografe?

Suksesi i parë është se realizova dëshirën time. Jam nderuar me disa çmime nga vendi i parë, e deri tek çmimet inkurajuese. Aparati i vogël fotografik më ka bërë një personazh të njohur. Falë tij unë arrita që nëpërmjet një ankete të shpallem Personazhi i Vitit 2019 në qytetin tim.

A je ndjerë ndonjëherë e diskriminuar dhe sa ke gjetur mbështetje nga shoqëria?

Kam qenë gjithmonë e vlerësuar. I falënderoj gjithë shoqërinë, adhuruesit e mi, e në veçanti gjithë fotografët, si dhe psikologen time të parë të qytetit tim.

Çka do të thotë mbështetja e familjes për ty?

Pa ata asgjë nuk do të arrihej. Janë frymëzimi dhe kritikët më të mirë.

A mendon se është më e vështirë për personat me aftësi të veçanta që të gjejnë punë ose të krijojnë punë për vete?

Besoj se shteti dhe shoqëria ku ata jetojnë duhet t’u besojnë më tepër punë në përshtatje me aftësitë që ata kanë. Edhe ne si ju jemi.

Cila është këshilla jote për të gjithë njerëzit me aftësi të veçanta që duan të merren me ndonjë profesion?

Unë mendoj se edhe nëse shteti apo shoqëria janë pak të interesuar, familja e tyre, ashtu siç kjo e imja, nuk duhet të lodhen kurrë në kërkim të më të mirës. Çfarëdo profesioni që mund t’u japin fëmijëve të tyre është arritje dhe sukses për ta.

Cila është këshilla jote për njerëzit tjerë, në aspektin e përkrahjes së kësaj kategorie?

Ne e duam jetën njësoj si ju. Na besoni, na respektoni, na përkrahni, sepse ne dhe familjet tona do t’u jemi gjithmonë mirënjohës.

Sipas statistikave, aktualisht llogaritet se rreth 10% e popullatës së përgjithshme të Kosovës është me aftësi ndryshe, ndërkaq në Shqipëri ky numër është rreth 6%.

Bazuar në të dhënat aktuale, në Kosovë vetëm 0.1 për qind e personave me nevoja të veçanta janë të punësuar, e shifër e ngjashme është edhe në Shqipëri.

Në bazë të Ligjit për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, secili punëdhënës është i obliguar që të punësojë një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë punëtor, por ky ligj nuk ka gjetur ende zbatim.

Intervistoi Fatbardhë Kiqina, bashkëpunëtore e GazetaScanner

(Disa nga fotot e realizuara nga Ina)