Caktohet seanca e shqyrtimit gjyqësor për rastin “Veteranët”

0
47

Në fillim të muajit dhjetor pritet që të fillojë shqyrtimi gjyqësor i rastit “Veteranët”.

Lajmi për Drejtësia Sot, u bë i ditur nga gjyqtarja e rastit Nushe Kuka-Mekaj, sipas së cilës shqyrtimin gjyqësor do të fillojë më datë 4, 5 dhe 6 dhjetor 2019.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, janë duke u akuzuar ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demalijaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, po ashtu kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Sipas Prokurorisë Speciale, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04euro.

Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë, me datë 26.03.2019, e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ndaljen e përkohshme të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”./drejtesia