SHOTA vazhdon nëpër festivale, kësaj radhe në Turqi dhe në Korenë e Jugut

0
361

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, edhe gjatë këtij viti do të vazhdojë misionin e përfaqësimit të shtetit të Kosovës dhe trashëgimisë sonë shpirtërore, në festival prestigjioze të Folklorit në botë.

Më saktësisht, Ansambli, këtë vit do të merr pjesë në dy nga Festivalet, garuese më të mëdha të Folklorit: Në Büyükçekmece të Turqisë dhe në Seul të Koresë së Jugut.

Fillimisht trupa e Ansamblit do të udhëtojë për në Turqi, me datë 25 Korrik, ku nga 26.07-03.08.2019 do të mbahet edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar i Kulturës dhe Arteve.

Në këtë Festival Ansambli “Shota”, do të jetë në garë me 27 shtetet tjera pjesëmarrëse (Brazili, Kroacia, Afrika Jugore, Portogalia, Indonezia, Ukraina, Republika Ceke, Venezuela, Maqedonia e Veriut, Greqia, Qiproja Veriore, Bulgaria, Panama, India, Gjeorgjia, Rusia, Sllovakia, Austria, Kolumbia, Serbia, Peru, Spanja, Taivani, Polonia, Hungaria, Kenia dhe Gjermania).

Kjo është hera e tretë që Ansambli “Shota”, merr pjesë në këtë Festival, i cili është i kategorisë A dhe ndër Festivalet e para të organizuara nga CIOFF (Federata botërore e folklorit dhe Festivaleve). Më herët Ansambli ka marrë pjesë në vitin 2004 dhe në vitin 2013. Në vitin 2013, “Shota” ishte radhitur e dyta, në konkurrencë të 25 Ansambleve. Në këtë edicion, “Shota” mëton ta prezantojë denjësisht shtetin e Kosovës dhe kulturë, traditën dhe trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve.

Më vonë, nga data 25 Shtator, “Shota” do të udhëtojë drejt Seulit, ku edhe në lindjen e largët, në Festivalin “Cheonean Folklore and Dance Festival”, do të prezantojë kulturën dhe traditën tonë. Edhe në Seul, “Shota” ka qenë edhe më herët. Në vitin 2011, Ansambli është nderuar me çmimin e tretë (III).

Në mes të këtyre dy festivaleve, “Shota” ka pranuar edhe një ftesë nga komuniteti Arbëresh i Horës së Arbëreshëve (Sicili), për të marrë pjesë në manifestimin tradicional “Festa e Themelimit”, i cili do të mbahet me datë 30 Gusht 2019. Ky aktivitet pritet të jetë në bashkorganizim me Ministrinë e Diasporës të Republikës së Kosovës.