Lojërat e edukojnë një fëmijë

0
606

Psikologët e zhvillimit të fëmijëve deklarojnë se loja është shumë e rëndësishme për kapërcimin e prirjes së lindur drejt agresionit dhe dominimit.

Falë lojës e cila çon në bashkëpunim reciprok, shoqëritë primitive kanë arritur të mbijetojnë.

Ata thonë: “Loja dhe gjendja e mirë shpirtërore nuk kanë qenë vetëm mënyrë që jeta të jetë sa më argëtuese, por mjete për ruajtjen e shoqërisë dhe promovimin e barazisë reciproke, etj.

Këto janë virtyte të njohura të shoqërive të gjuetarëve të shtazëve, nga të cilat është varur edhe mbijetesa e tyre”.

Barazia dhe rregullat

Loja është aktivitet shoqëror, i cili eliminon prirjen drejt lakmisë dhe arrogancës, si dhe zhvillon kujdesin mbi ndjenjat dhe mirëqenien e të tjerëve. Shoqëria e cila harron se si zhvillohen lojërat, i kthen individët e saj në vetjakë. Në lojë, ti pranon që t’u bindesh rregullave të caktuara, të cilat vendosen me marrëveshje. Prandaj, loja është një ndër aktivitetet më demokratike. Fëmijët nuk mund t’i mësojnë vlerat demokratike nëpërmjet aktiviteteve, të cilat i bëjnë të rriturit, por vetëm nëse i shijojnë vetë, nëpërmjet lojës me fëmijët e tjerë. Loja është situata në të cilën të gjithë fëmijët janë të barabartë, vendosin bashkërisht, dhe ajo që është më e rëndësishme, duhet të respektojnë të drejtat e të tjerëve, nëse dëshirojnë të marrin pjesë.

Bashkëpunimi në vend të garave

Fëmijët të cilët luajnë me letra apo futboll, nuk i kushtohen edhe aq “fitores”, sa i kushtohen bashkëpunimit reciprok. Ndërsa prania e të rriturve e kthen lojën e fëmijëve në garë, dhe atëherë ajo nuk është më lojë. Aftësia më e rëndësishme shoqërore është ajo e kënaqjes së të tjerëve dhe njëkohësisht plotësimi i dëshirave dhe nevojave vetjake. Kjo është pikërisht ajo që loja i mëson fëmijët – të jenë në harmoni me fëmijët e tjerë, dhe të marrin në konsideratë nevojat e të tjerëve. Për t’i joshur fëmijët e tjerë që të luajnë, fëmijët patjetër duhet të mësojnë të vënë veten në pozitën e të tjerëve. Shtytja e fuqishme për të luajtur, e cila ekziston te fëmijët, nuk është nevojë e thjeshtë për argëtim. Duke pasur parasysh historinë e racës njerëzore, loja ka qenë mënyra themelore që fëmijët të shkathtësoheshin, të njohin vlerat dhe njohuritë të cilat  ishin të domosdoshme që të mbijetonin në kulturën vetjake. Loja për fëmijë nuk është ikje nga realiteti, por mënyrë për të në realitetin e jetës e për t’ia dalë –si fizikisht, intelektualisht dhe emocionalisht.

Loja është ambient i sigurt

Nëpërmjet lojës, fëmijët realitetin e transformojnë në imagjinatë kështu loja shndërrohet në një ambient të sigurt, ku mësojnë që të ballafaqohen me sfidat reale. Për ta loja është përvojë dhe trajnim. Fëmijët e dinë se cilat shkathtësi do t’u nevojiten në shoqërinë e tyre dhe i praktikojnë në lojëra. Ata “nuhasin” lehtë edhe se cilat shkathtësi janë të rëndësishme në shoqëri, andaj bëhen ekspertë për kompjuter më shpejt se prindërit e tyre.

Implikimi i të rriturve shkakton Problem

Problemi shfaqet kur përzihen të rriturit. Ata imponohen si autoritarë dhe mbrojtës, ndaj loja shndërrohet në ankesa dhe në naze, pastaj fëmijët sillen me më pak përgjegjësi dhe pjekuri sesa kur luajnë me moshatarët e tyre. Në atë mënyrë humbet fryma e vërtetë e lojës. Loja i mëson fëmijët shkathtësinë e negociatave, zgjidhjen e problemeve dhe mbështetjen në vetvete. Ajo ndihmon që fëmija të mësojë rregullat shoqërore, si edhe të mësojë të krijojë rregullat e tyre. Nëpërmjet lojës, ne mësojmë të japim dhe të marrim, të kuptojmë ndjenjat e të tjerëve dhe të zgjidhim konfliktet – që është bazë e çdo lidhjeje.

Të rriturit nuk duhet që t’ua ndalojnë fëmijëve këto leksione të rëndësishme me implikimin e tyre. Është për të ardhur keq që fëmijët e sotëm kanë aq pak raste të luajnë, pa mbikëqyrjen e të rriturve, ashtu siç kanë luajtur fëmijët e viteve ’80 – ‘90, tërheqin vërejtjen psikologët. Jo vetëm që prej këtij shkaku mbizotëron epidemia e peshës së madhe trupore dhe e depresionit te fëmijët, por gjithashtu fëmijët e sotëm janë gjenerata e cila po rritet pa mundësinë që t’i mësojë vlerat e vërteta shoqërore.

Ndjenja për barazi

Fëmijët dhe adoleshentët në kulturat e gjuetarëve-grumbullues kalojnë shumë kohë duke luajtur, e për këtë arsye zhvillohen në njerëz të rritur bashkëpunues dhe me ndjenjën për barazi. Vend të posaçëm në shoqëritë e tyre ka humori – ai shfrytëzohet për t’u ndërprerë grindjet dhe për t’u eliminuar tensioni shoqëror.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu